Shtypi shqiptar online - Lajme dhe te reja !
Sindroma e Kaposhit

Publikuar me : 21.12.2011 Ne : Kuriozitete - 92 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

 Ardian Vehbiu

E keni vënë re sa pak humor që ka në media? Ose më mirë, e keni vënë re që humori në media vjen gjithnjë i rrethuar me kornizë, i shënjuar me tabela, që të thonë: ky shkrim tani është për të qeshur, prandaj qesh të lutem!

Pjesa tjetër e gazetës nxin nga serioziteti; të gjithë, që nga autorët e shkrimeve e deri te personat për të cilët flitet, e marrin veten shumë seriozisht.

Këtë unë do ta quaja sindroma e kaposhit, sepse kaposhi, nga të gjithë shpendët, më duket ai që ka më pak humor.

Tema nga më të lehtat, për kulturën dhe spektaklin; ose për jetën e përditshme dhe çikërrimat e celebrities-ve, përcillen me tone simfonike; sikur protagonistët të jenë përballur befas me transhendencën ose të kenë komunikuar me hyjninë.

Humori nuk është se mungon. Te “Shekulli”, bie fjala, është gjithnjë i pranishëm në vargjet e rimuara të A. Dukës, që i gjen në dyfaqëshin e opinioneve; ose te “Tema”, në rubrikën e mirënjohur “Antena” brenda familjes, me bëmat groteske të Saimirit e të Flamurit.

Megjithatë, duket sikur gazetat kanë krijuar zona të posaçme ku mund të ushtrohet humori, ose vathë të gajasjes; dhe brenda atyre zonave, humori është zakonisht i zhurmshëm, prej kabareje; humor që fluturon me cërka të pështymës.

Nuk ka gjë të keqe me këtë humor, as me vjershat dhe bejtet, madje as me cërkat e pështymës. E keqja është kur vjen e mungon ai tjetri, humori i hollë dhe nënqeshja, ironia dhe nënkuptimi, ose shpotia e gërshetuar me seriozitetin.

Humori jo aq i tekstit, sesa i nëntekstit. Këtë të dytin e ndesh ndonjëherë te kolona e E. Tupes, në “Panorama”; por vetëm rastësisht, meqë Tupja ka vendosur të thyejë tabu të tjera dhe ka vite që rreh një kalë praktikisht të ngordhur.

Por Tupja, të paktën, është aq i rafinuar sa të të japë një ide se si mund të kish qenë ky zhanër i humorit inteligjent, i cili në një botë ideale nuk duhet t’i mungojë asnjëherë komunikimit publik.

Tek-tuk, gjen shkëndija humori të mprehtë te Artan Lame e te Kiço Blushi; dhe pikërisht në pasazhet më të goditura e të frymëzuara të këtyre dy opinionistëve sot nga më të mirët.

Në kulturën shqiptare, humori e ka ende të vështirë të shkëputet nga skena e estradës, skeçi folklorik dhe dialektor, Portokallija, ulërima dhe banaliteti, xha Brahoja dhe xha Vangjoja.

Si pa dashur, ka pllakosur kjo psikozë se gjërat e rëndësishme, çështjet me peshë për autorin dhe lexuesin, argumentet e thella dhe filozofike, mund të shërbehen vetëm me vetulla të ngrysura, profesorale, autoritare.

Paradoksalisht, sa më qesharake të jenë çështjet për të cilat flitet, aq më shumë i dëgjon zërat e protagonistëve të trashen. Podiumi i së përditshmes publike është katandisur skena e një opere ku këndojnë vetëm basë – jo ndonjë eksperiencë dëgjimi për t’u lakmuar.

Ndonjëherë të duket sikur tonet e ligjërimit publik, veçanërisht në debatet, kanë gjetur si emërues të përbashkët shprehjen ”nuk lejoj njeri të tallet me nënën time,” e cila vërtet i referohet një talljeje të supozuar, por tallja ndonjëherë është e kundërta e humorit; dhe shprehja vetë ka të bëjë më shumë me Kanunin dhe dorën në alltí, sesa me buzëqeshjen e mendjes.

Jo se tradita e humorit në kulturë dhe komunikim na mungon, përkundrazi. Mjaft të përmend autorë si Qamil Buxheli dhe Pëllumb Kulla, por edhe Dritero Agollin e Zylos së madh, që na kanë treguar, në vite, se si mund të bëhet art dhe filozofi me të qeshurën. Por edhe jashtë zhanrit, një vepër e lumtur si Kronikë në gur, e Kadaresë, i ka dhuruar lexuesit atë lloj humori të vetvetishëm, që vjen me hilaritet dhe nuk të lëshon më, derisa të shndërrohet në entuziazëm për një lexim të bukur.

Në mediat, humori për të cilin e kam fjalën është shenjë e mençurisë dhe e shëndetit mendor të autorit; por edhe përkujtesë për t’i mbajtur gjithnjë gati gjilpërat, në këtë botë tollumbacesh shumëngjyrëshe.

Që të shijohet, megjithatë, ky humor ka nevojë për pak qetësi – ose pikërisht për çfarë i mungon komunikimit publik sot, ku njerëzit më shumë se flasin, i recitojnë publikut poema epike si ato të Fishtës, ose shahen mes tyre si gra të liga (kështu zakonisht në Parlament).

Çfarë të shqetëson më tej, është se edhe lexuesit që komenton po i topitet shqisa e humorit; herë ngaqë e merr shumë seriozisht atë që shkruan, e më shpesh ngaqë e merr shumë seriozisht veten.

Kufiri mes dinjitetit dhe fryrjes së puplave është çështje shijeje, edukimi dhe… humori.

Çuditërisht, vetë imazhi i kësaj bote të populluar me kaposhë të bën të vësh buzën në gaz, se është antidot ngushëllues, për kapardisjet toksike.

Komente

Mesa duket nuk ka ende asnje koment per kete artikull.
Shkruaje ti i pari nje koment !

Mishmashi i arsimit shqiptar

Publikuar me : 25.05.2012 Ne kategorine : Kuriozitete - Lexuar : 25 here.
Agim Fjolla Në Londrën e para pavarësisë shqiptare lindi një debat publik pas vjedhjes së një prej galerive private të artit që zotëronte një koleksion të veçantë veprash nga rilindja italiane. Roja i turnit të natës i ishte dorëzuar gjumit dhe këtë dobësi të moshës e kishte përdorur hajduti i cili vodhi plot pesë piktura. Kjo ngjarje shërbeu si nisje e një debati ku përzihej detyrimi moral me detyrimin ligjor ku njëra palë e hidhte rojën në anën e fajtorëve...Lexo te gjithe artikullin »


» Puna e mjekut flet me shume
» Ambasada ne Itali na ka mbyllur deren
» Kamikazet e drejtesise perballe vellezerve Deda
» Si e njoha Niko Agon
» Amnistimi i Serbise
» Bashkemoshatareve te mia
» Konsensus jo kompromis
» Aksidentet miresetevijne
» Bashkemoshatareve te mija
» Serbia heq makiazhin

Ndaj kete artikull me miqte e tu ne rrjetet sociale me te njohura :

Fjala jote vlen !

Stacione TV Shqip
Shiko TV Rrokum online falas! TV Rrokum
Shiko Lajme Top Channel online falas! Lajme Top Channel
Shiko KTV Live online falas! KTV Live
Shiko Lajme TVKlan online falas! Lajme TVKlan
Shiko SuperSonic Live online falas! SuperSonic Live
Shiko Ora News Live online falas! Ora News Live

Gazetat PDF
PDF Gazeta Shqip!
PDF Gazeta Koha Jone!
PDF Gazeta 55!
PDF Gazeta Tema!

Publicitet

Sherbime te tjera
Lidhu ne RSS
Sherbim per Webmasterat
Rezultate sportive Live
Termat e Perdorimit
Kontakte


Indeksi | Lajmet ne faqen tuaj | Shperndarje RSS | Reklamoni Faqen tuaj | Add to Google

VetemLajme.Com : Permbledhje e shtypit Shqiptar - Produkt i PikaWeb © 2007-2012
Kujdes : Artikujt e publikuar i perkasin autoreve perkates. Prane cdo artikulli gjendet dhe burimi origjinal. Per me teper lexoni Termat e Perdorimit