Publikuar me : 26.12.2011 Ne :
Politike - 51 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Makina e ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani duke dalë nga Drejtoria e Policisë së Tiranës. Autovetura e markës “Mercedez- Benz” të klasit S 500 rezulton e vjedhur
Dashamir Biçaku
TIRANË- Krerët e Ministrisë së Brendshme dhe të policisë së shtetit, pikërisht ata njerëz që duhet të jenë në pararojë të luftës kundër krimit, udhëtojnë me makina të vjedhura. Bëhet fjalë për makina që janë vjedhur në vende të ndryshme të Europës dhe këtu janë në përdorim të krerëve të lartë shtetërorë. Ministri i Brendshëm, Zëvendësministri i Brendshëm Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë lëvizin me autovetura të trafikuara apo të bllokuara nga autoritetet e policisë për probleme me ligjin.
Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, prej një kohe të gjatë lëviz me një autoveturë të markës “Mercedez- Benz” të klasit S 500, me një motor prej pesë mijë kubikësh dhe që shpenzon si lëndë djegëse benzinën. Këtë automjet Nishani ka nisur ta përdorë dy vjet më parë kur ishte ministër i Brendshëm. Ai u largua nga detyra dhe kur u rikthye në pranverën e këtij viti mori sërish në përdorim të njëjtën makinë.

"Audi Q7" me ngjyrë të zezë, me targa “TR 4304 S” i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Hysni Burgaj duke hyrë në Presidencë dhe brenda oborrit të Presidencës. Kjo makinë rezulton e vjedhur
Vetura në fjalë është një mjet luksi i një niveli tepër të lartë për administratën tonë, e cila rrudhet çdo ditë e më tepër nga fondet. Mjaft të mendosh që ky mjet shpenzon aq karburant në një distancë të caktuar sa ç’do t’iu duheshin 3- 4 veturave të policisë, me një madhësi motori, modeste vetëm 1.4, benzinë, për të për shkuar të njëjtën distancë rrugore.
Për herë të fundit Nishani, është parë në publik me këtë veturë, një ditë pas shpërthimit të ndodhur në banesën e zëvendësdrejtorit të Policisë së Tiranës, Dorian Muça. Nishani, mori një takim të nesërmen e ngjarjes, me drejtues të Policisë së Tiranës, i shoqëruar nga kreu i Policisë Hysni Burgaj, dhe zëvendësministri Avenir Peka. Vetura që tashmë mban targën “TR 0155 Z”, mësohet se i është sekuestruar me 28 janar Pajtim Serjanit nga komisariati i Policisë nr.2. Në momentin që ai po lëvizte, vetura e shtrentjë me numër shasie

Makina tip BMW X5 në oborrin e Drejtorisë së Përgjithshme të policisë mban targat “TR 0377 E”. E njëjta targë shfaqet tek një makinë tjetër në kryeqytet, këtë herë një "Mercedes ML"
“WDD221861A112090”, rezultonte i vjedhur në kryeqytetin serb Beograd. Mjeti rezultonte i vjedhur me 29 nëntor të vitit 2007, në Serbi dhe mësohet se kishte hyrë në Shqipëri, pak ditë pasi mjeti ishte vjedhur në Beograd.
Gjatë hetimit dhe marrjes së deklarimeve nga hetuesit e komisariatit nr.2, Serjani iu deklaroi atyre se mjeti ishte i kushërit të tij, djalit të tezës, Gëzim Mejdanit. Duke qenë se mjeti ishte pa targa dhe pa dokumentacion, policia e bllokoi atë, ndërsa thirri për të sqaruar çështjen, pronarin e deklaruar të mjetit, Gëzim Mejdanin. Ky i fundit iu deklaroi hetuesve se mjetin e kishte blerë në qytetin e Vlorës në tregun e zi të veturave për një shumë të konsiderueshme parash. Për të provuar këtë fakt ai paraqiti edhe një kontratë noteriale, sikur mjetin e kishte blerë në Itali.
Vetë Mejdani, gjatë hetimit gjyqësor pranoi se e kishte falsifikuar kontratën noteriale. Për këtë veprim ai shprehu edhe pendesë përpara trupit gjykues gjatë procesit gjyqësor. Në të kundërt ai pretendoi se mjetin e kishte blerë tek një person në tregun e zi, por se nuk e mbante mend atë. Madje Mejdani, pretendonte se këtë mjet e kishte blerë kundrejt një vlere të konsiderueshme parash në mirëbesim. Pavarësisht këtij pretendimi, të Mejdanit, gjyqtari, Bujar Krasniqi, vendosi të dënojë Mejdanin me dy muaj burg dhe 300 mijë lekë të reja gjobë, me kusht që brenda 18 muajve të mos kryente asnjë vepër tjetër penale. Ndërkaq për mjetin e bllokuar, gjyqtari Krasniqi, vendosi që ai të kalonte në favor të shtetit. Vendimi i mësipërm me nr. 355, është shpallur, me 22 prill të vitit 2009, nga Gjykata e Tiranës. Të njëjtin qëndrim për çështjen, ka mbajtur edhe Gjykata e Apelit që refuzoi t’i kthejë veturën Mejdanit, ndërsa konfirmoi kalimin e saj në favor të shtetit.
Ky shkrim u realizua me ndihmën e Agjencisë Daneze për Gazetarinë Investigative SCOOP
Avokatët kërkuan zbulimin e autorëve të vjedhjes së mjetit
Avokatët e të akuzuarit Mejdani, në një rekurs të dërguar në Gjykatën e Lartë, kundërshtuan kalimin e mjetit në favor të shtetit, pasi sipas tyre një mjet i vjedhur jahstë vendit dhe i trafikuar nuk mund t’i kalohej shtetit shqiptar. Avokatët kërkonin lënien e mjetit në ruajtje, si dhe nisjen e punës nga ana e policisë për zbulimin e autorit të vjedhjes. Avokatët e Mejdanit, kërkonin që vendimi i Apelit të rrëzohej dhe dosja e vjedhjes së mjetit t’i dërgohej policisë së Tiranës. Po ashtu sipas tyre, mjeti i mësipërm rezultonte në kërkim nga ana e Interpolit dhe se nuk mund të kalonte në favor të shtetit shqiptar sa kohë kërkohej nga Interpoli. Kërkesa për rekurs e Avokatëve të Mejdanit, nuk u pranua nga Gjykata e Lartë, duke lënë në fuqi vendimet e Apelit dhe Shkallës së Parë.
Burgaj shkoi tek Topi me “AUDI Q7- ën” e vjedhur
TIRANE- Veç ministrit të Brendshëm, edhe kreu i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, prej kohësh qarkullon me një autoveturë targat e së cilës nuk i përkasin asaj dhe që rezulton e bllokuar nga autoirtetet e policisë si e trafikuar. Bëhet fjalë për makinën e markës “AUDI” Q7, veturë, prodhim i vitit 2010, e cila mësohet se është bllokuar nga strukturat e Policisë së Shtetit, si e trafikuar dhe me probleme me ligjin. Burgaj mësohet se ka përdorur këtë autoveturë të shtrenjtë pavarësisht faktit se në vitin 2008, Misioni Europian i Asistencës Policore (PAMECA), i dhuroi Policisë së Shtetit, pikërisht për disa nga drejtuesit e saj disa autovetura. Ndër to ishin dy automjete “Volksvagen Touareg”, me ngjyrë të bardhë, po aq të shtrenjta sa edhe Audi Q7 që Burgaj, ka përdorur kohët e fundit.
Burime të policisë thonë se pavarësisht këtij fakti, Burgaj ka preferuar të lëvizë me automjetin AUDI Q7, në ngjyrë të zezë, me targa “TR 4304 S”. Në të kundërt në të shumtën e rasteve, vetura e cila ka qenë në organikën për t’u përdorur nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, ajo me Targa “TR 3336 P”, nuk është lodhur “shumë” nga kryepolici. Majde me autoveturën e bllokuar si të trafikuar, Burgaj, ka shkuar edhe në një takim me kreun e Shtetit, me 10 shtator të këtij viti. Ai ishte thirrur në një takim zyrtar nga kreu i shtetit Bamir Topi, për t’u informuar mbi hetimet e kryera nga policia dhe masat e marra nga ana e kësaj të fundit në lidhje me vrasjen e gjyqëtarit Skerdilajd Konomi.
Ngjarja ndodhi me 9 shtator të këtij viti, në qytetin e Vlorës, kur Konomi, u vra në mjetin e tij nëpërmjet aktivizimit të një lënde plasëse me telokomandë. Veç kryepolicit, Burgaj, në të njëjtin takim, ishin thirur Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama si dhe kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH), Bahri Shaqiri. Në fillim, për në selinë e Presidentit të Republikës u drejtua, Ina Rama me autoveturën “Mercedez- Benz”, me targa “TR 0206 Z”, dhe më pas kryepolici Burgaj me veturën Audi Q7, me ngjyrë të zezë dhe më pas kreu i SHISH, Shaqiri, me një autoveturë BMË 740, me ngjyrë të zezë. Pas përfundimit të takimit, të tre funksionarët e lartë shtetërorë janë larguar pasi janë takuar me njëri tjetrin pranë veturës së Prokurores së Përgjithshme. Më tej duket kur kreu i Policisë, futet në veturën e zezë Audi Q7 dhe më pas largohet.
Në 2009 u blenë 297 vetura për Policinë
Veç veturave të dhuruara nga misioni i PAMECA-s, Policia e Shtetit, në vitin 2009, ka blerë 297, autovetura të markës “Chevrolet” AVEO, të gjitha të reja, po pavarësisht kësaj kreu i Policisë, ka menduar të përdorë një mjet të sekuestruar. Mjetet e blera kanë kaluar për përdorim nga ana e policisë për shërbime të ndryshme si patrullim në komisariate, për patrullim në qarkullimin rrugor e qëllime operacionale. Ndërkaq për mjetet e bllokuara, sipas Kodit të Procedurës Penale, duhet të mbahet nën ruajtje nga policia në ambiente të posaçme nga policia dhe jo të vihen në përdorim.
Zv.ministri Peka, me veturë me targa që nuk i përkasin asaj
Një mjet me targa të cilat nuk i përkasin atij, përdor edhe Zëvëendësministri i Brendshëm Avenir Peka. Autovetura “Mercedez- Benz”, e klasit ML 320, në ngjyrë të zezë, mbahet dhe përdoret nga ky i fundit. Në disa prej daljeve të tij në publik, zëvendësministri Peka është vënë re të qarkullojë me këtë autoveturë që mban targat, “TR 0377 E”. Nuk dihet nëse kjo veturë, i përket kategorisë së automjeteve të bllokuara apo të trafikuar, por në sistemin e targave të Drejtorisë së Shërbimit të Transportit Rrugor, tragat që mban ky mjet nuk i përkasin veturës të cilën përdor zëvendësministri i Brendshëm.
Peka është filmuar ndërsa del nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Tiranës, duke shoqëruar Ministrin e Brendshëm Nishani, në vizitën e tyre, pas atentatit me eksploziv ndaj zëvendësdrejtorit të Policisë së Tiranës Dorian Muça. Në fund, Peka, futet në veturën e Ministrit Nishani, ndërsa nga pas i ndjek vetura me targat “TR 0377 E”, që është mbajtur historikisht nga zëvendësministri i Brendshëm. Po e njëjta veturë shfaqet edhe oborrin e Hotel Tirana Internatinal, në të cilin është zhvilluar javën e kaluar analiza e Policisë së Tiranës. Përkrah saj qëndronte Touareg-u i bardhë i kreut të Policisë, Hysni Burgaj.
“Shekulli”, ka fotografuar një veturë tjetër të markës BMË X5, e cila ndodhej e parkuar në oborrin e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, po ashtu me targat “TR 0377 E”. Fotografitë janë realizuar një muaj më parë. Burime të gazetës “Shekulli”, thanë se ky mjet është përdorur nga një prej Zëvendësdrejtorëve të Përgjithshëm të Policisë. Të njëjtat burime nuk pranuan të thonin emrin e funksionarit duke kërkuar që gjithashtu të mbeteshin anonim.
Kreu i Gardës, Prendi lëviz me një makinë të vjedhur
TIRANE- Në muajin shkurt të këtij viti, “Shekulli”, denoncoi komandantin e Gardës së Republikës, Ndrea Prendi, për përdorimin në mënyrë abuzive të një mjeti të bllokuar nga policia si të trafikuar me
14 tetor 2010. në momentin e bllokimit ajo mbante targat “CY 520 CW” me numër shasie “WP1ZZZ9PZ6LA54164”. Kreu i Gardës, jo vetëm që lëvizte me këtë veturë luksoze, por i kishte mbivendosur edhe targat e një veture tjetër. “Shekulli” e ka ndjekur dhe fotografuar kreun e Gardës gjatë lëvizjeve të tij me këtë makinë në Tiranë. E vështirë të kuptosh pse i duhet një Komandanti Garde një makinë luksoze Porche Cayene, si ato që mbajnë “çunat e Bllokut”. Mjeti është dyshuar si i trafikuar dhe është bërë vendimi për kryerjen e ekspertimit teknik të shasisë dhe i ishte dërguar policisë. Kjo e fundit pas kontrollit të kryer kishte konstatuar se mjeti kishte ndërhyrje në numrin e shasisë.
Megjithëse duhej të mbahej në ruajtje nga policia në një ambient pranë Rezervave të Shtetit, derisa pronarit, ti jepej vendim përfundimtar mbi dyshimet për makinën, mjeti është marrë prej aty fillimisht nga shefi i kabinetit te Ministrit të Brendshëm dhe më pas Komandanti i Gardës i ka vendosur në vend të targave të huaja, targa të një BMË-je të Gardës. Me këtë automjet z.Prendi u paraqit edhe në Prokurori kur u ekzekutuan urdhër-ndalimet për vrasjet e 21 janarit.