Shtypi shqiptar online - Lajme dhe te reja !
Socialistet ne rrethe kerkojne largimin e Kastriot Islamit

Publikuar me : 19.12.2011 Ne : Politike - 92 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Denis Dedej

Krerët e Partisë Socialiste në të gjithë Shqipërinë u kërkojnë deputetëve të grupit parlamentar përjashtimin e deputetit Kastriot Islami për shkak të thyerjes së përsëritur të disiplinës. Të pyetur nga gazeta “Shekulli” se çfarë vendimmarrje duhet të marrë grupi për propozimin e Kryesisë mbi përjashtimin e deputetit socialist, zyrtarët socialistë në rrethe vlerësojnë se masa disiplinore duhet të jetë përjashtimi. Mes tyre nuk mungojnë edhe zërat ndryshe, të cilët kërkojnë që Islamit ti jepet një shans i dytë, por nga ana tjetër, liria brenda partisë duhet të kufizohet.

Kryetari socialist i rrethit të Tiranës, Pjerin Ndreu, vlerëson se të jesh pjesë e një ekipi, të luash në kundërshtim me taktikën e lojës që kanë vendosur të gjithë është shërbim që i bëhet kundërshtarit. Sipas tij, çdo ekip këtë lloj lojtari më së paku do ta nxirrte nga loja. “Një person i vetëm me çfarëdolloj backgroundi qoftë nuk mund të veprojë në kundërshtim me vendimet e shumicës. Pastaj nëse dikush e gjen më të përshtatshme që të gjejë te lidershipi i PS arsyen e situatës së mjeruar të shqiptarëve duke mitizuar kundërshtarët si të pathyeshëm nuk bën gjë tjetër veçse çon ujë në mullirin e Saliut, gjë që për anëtarësinë e PS dhe për shumicën dërrmuese të shqiptarëve është e papranueshme. Mendoj se disa vendime nuk duhet të vonohen më nga forumet drejtuese të PS”, – deklaroi dje Ndreu.

Të njëjtin qëndrim mbajnë dhe drejtues të tjerë në rrethe, por ka edhe nga ata që ia lënë në dorë grupit socialist për të marrë vendimin. Kreu socialist i Rrethit të Durrësit, Gent Bejku, shkon edhe më tej në arsyetimin e tij, duke vlerësuar se propozimi i Kryesisë është rrjedhojë e mendimit të bazës. “Unë mendoj që vendimi i Kryesisë nuk ishte burimi i dëshirës së saj, por reagim i mendimit të bazës në fund të fundit, ishte opinioni i diskutuar në bazë që arriti në konkluzionin për këtë vendim. Që të gjithë duhet të jemi koshiqet që mendimin e shumicës ta respektojmë”,- sqaron Bejku.

Në bazën e Partisë Socialiste ka edhe ata që mendojnë se është e papërshtatshme koha për të përjashtuar deputetin socialist. Për kreun e Partisë Socialiste të Bulqizës, Artur Kala, ky vendim duhej marrë më herët. Ai vlerëson se kur ndodh një përjashtim i një këshilltari në një fshat të Shqipërisë, deri në Konispol, do të ketë një lloj reflektimi deri në Vermosh. “Baza është më e ndjeshme sesa qendra. Por e dimë që Islami ka kaluar çdo cak lidhur me vendimmarrjen. S’është hera e parë që vepron jashtë strukturave të partisë, aq më tepër që e ka kthyer në një lloj pazari politik. Absolutisht s’e meriton të jetë në PS. Por për momentin kjo çon ujë vetëm në mullin e Metës dhe Berishës. Kur jemi vetëm një vit e disa larg zgjedhjeve është problem”, – shpreh mendimin Kala.

Midis drejtuesve aktual të degëve të Partisë Socialiste është dhe deputeti Eltar Deda, i cili është i komanduar në drejtimin e Degës së Vlorës. Krahas kësaj detyre, ai do të përballet me vendimmarrjen që grupi parlamentar socialist do të marrë ditën e nesërme për ndëshkimin ose jo të deputetit Kastriot Islami. “Unë jam vetë anëtar i grupit parlamentar Socialist dhe për këtë rast unë do t’i nënshtrohem vendimmarrjes së grupit, e cila do të bazohet në rregulloren e saj. Unë jam për zbatimin e rregullores me përpikëri, të çdo rreshti të saj, pasi kjo rregullore është miratuar nga vetë anëtarët e grupit”,- deklaroi dje deputeti Deda. Për këtë çështje gazeta ka kontaktuar dhe drejtues të tjerëve të degëve të PS-së, të cilët u janë përgjigje pyetjes për deputetin Islami.

 

 

Kryesia e PS propozon përjashtimin e Islamit

Kryesia e Partisë Socialiste i ka propozuar ditën e premte grupit parlamentar socialist që të marrë masë ndëshkimore ndaj deputetit socialist Kastriot Islami. Kjo kërkesë ka ardhur pas disa diskutimeve që janë zhvilluar brenda takimit me dyer të mbyllura për thyerjen e vendimeve të grupit mbi votimin e ligjeve apo dekreteve të ndryshme në seancë plenare. Në mbledhjen e fundit grupit i PS-së ishte vendosur që të gjithë deputetët të ishin në Kuvend për të votuar kundër shitjes së “Albpetrol” dhe kandidaturës së Bujar Leskaj për kreun e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Deputetët e PS-së, Kastriot Islami, Rudina Seseri dhe Pandeli Majko nuk ndodheshin në sallë. Seseri pranoi të japë dorëheqjen duke deklaruar se nuk e ka të mundur të përmbushë detyrën për të qenë deputete e Partisë Socialiste. Nga ana tjetër, Majko i rrëfeu Kryesisë sekretin e tij, pasi i kërkoi më parë anëtarëve që të mos e publikonin në media. Mësohet se në këtë takim, ish-kryeministri ka sqaruar se është propozuar si një prej kandidatëve për pozicionin e ndihmës sekretarit të Përgjithshëm për Europën dhe për vendet e ish-Bashkimit Sovjetik. Në momentin e votimit ai ishte në intervistë pune. Ndërsa i vetmi që nuk ka sqaruar mungesën e tij është deputeti Islami. Duke u bazuar në këtë precedent, por edhe në radhët e kaluara kur deputeti i Qarkut të Tiranës ka thyer vendime të grupit, Kryesia ka vendosur që t’i kërkojë grupit përjashtimin e deputetit socialist.

 

Çfarë do të ndodhë në grupin e PS

Vendimi përfundimtar për përjashtimin e deputetit Kastriot Islamit do të merret ditën e nesërme nga grupi i PS-së. Mësohet se për propozimin e grupit do të ketë një diskutim në mbledhje, pasi aty do të hidhet me votim përjashtimi ose jo i deputetit të Partisë Socialiste. Përjashtimi i tij është paralajmëruar edhe më parë nga anëtarët të PS, të cilët deklaruan se thyerja e vendimeve të grupit parlamentar nga deputeti Kastriot Islami, janë mëse të mjaftueshme për ta përjashtuar nga grupi. Ai ka qenë një nga kritikët më të ashpër të liderit socialist dhe të qëndrimeve të PS për bojkotin e parlamentit. Në jo pak raste, Islami ka votuar pro disa kandidatëve të propozuar nga e djathta apo ka dhënë pëlqimin për projektligjet e mazhorancës. Edhe gjatë periudhës së bojkotit të parlamentit nga grupi socialist, një prej kritikëve të kryesocialistit ka marrë pjesë në seancat plenare, në komisionet e përhershme dhe në delegacionet e Kuvendit jashtë shtetit.

 

Përjashtimi

Përjashtimi nga grupi parlamentar socialist, nuk do të thotë humbje e mandatit të deputetit. Kastriot Islami do të vijojë që të mbetet deputet në Parlament, por jo nën logon e Partisë Socialiste. Me rifillimin e sesionit të ri parlamentar, do të shihet nëse deputeti Islami do të bashkohet me ndonjë forcë tjetër politike apo do të qëndrojë si i pavarur.

 

Islami për përjashtimin

Deputeti i PS-së, Kastriot Islami, në reagimin e tij për këtë çështje është shprehur se nuk ka informacione mbi vendimin për përjashtim. “Nga shumë gazetarë dhe nga faqe të medias pranë Ramës jam bërë me dije për ‘propozimin e Ramës për përjashtimin tim nga grupi i PS’. Jam interesuar te një nga drejtuesit e Grupit Kuvendor të PS dhe më ‘rezulton se nuk ka asnjë vendim zyrtar për këtë çështje’. Kjo është arsyeja që nuk mund të kem asnjë qëndrim lidhur me këtë çështje”, – reagoi Islami.

 

 

Përjashtimi i Kastriot Islamit, çfarë thotë baza e PS

Vendimi i Kryesisë së Partisë Socialiste për përjashtimin e Kastriot Islamit ka shkaktuar jehonë mediatike në të gjitha qarqet politike. Nesër deputetët socialistë do të bëjnë një mbledhje për këtë çështje ku do të merret vendimi konkret i përjashtimit apo jo të deputetit Kastriot Islami. “Shekulli” ka kontaktuar me krerët e PS-së në 17 rrethe të vendit duke i pyetur se çfarë mendon baza në lidhje me veprimet e Kastriot Islamit dhe cilat masa duhen marrë ndaj tij.

Ja çfarë thanë dje krerët lokalë të PS-së:

Pjerin Ndreu, kreu i Rrethit të PS për Tiranën

Gjithkush në PS apo jashtë saj që beson e mendon se kjo qeveri është një klonim korrupsioni dhe një barrë që po mbyt jetën e shqiptarëve, e ka detyrim që të gjejë vetveten në rrjedhjen e shumicës së shqiptarëve. Të jesh pjesë e një ekipi, të luash në kundërshtim me taktikën e lojës që kanë vendosur të gjithë është shërbim që i bëhet kundërshtarit. Çdo ekip, këtë lloj lojtari, më së paku, do ta nxirrte nga loja. Një person i vetëm me çfarëdolloj backgroundi qoftë nuk mund të veprojë në kundërshtim me vendimet e shumicës. Pastaj nëse dikush e gjen më të përshtatshme që të gjejë te lidershipi i PS arsyen e situatës së mjeruar të shqiptarëve duke mitizuar kundërshtarët si të pathyeshëm, nuk bën gjë tjetër veçse çon ujë në mullirin e Saliut, gjë që për anëtarësinë e PS dhe për shumicën dërrmuese të shqiptarëve është e papranueshme. Mendoj se disa vendime nuk duhet të vonohen më nga forumet drejtuese të PS.

 

Gent Bejku, kreu i PS-së rrethit Durrësit

Unë mendoj që vendimi i Kryesisë nuk ishte burimi i dëshirës së saj, por reagim i mendimit të bazës në fund të fundit. Ishte opinioni i diskutuar në bazë që arriti në konkluzionin për këtë vendim. Që të gjithë duhet të jemi të ndërgjegjshëm që mendimin e shumicës ta respektojmë.

 

Ismail Dani, kreu i PS-së, Krujë

Për mendimin duhet të përjashtohet se ka pasur goxha demokraci për ta dhënë mendimin brenda grupit socialist, brenda Asamblesë Kombëtare, apo brenda Kryesisë dhe vazhdimi i asaj dukurie që ka dhënë Kastriot Islami nuk është mirë, por është e gabuar. Në fund të fundit, ai është një anëtar i PS-së, anëtar i Asamblesë, anëtarë i Kryesisë dhe brenda kësaj suaze ai mund të jepte mendimet e tij.

 

Florian Hysi, kryetar i PS për qytetin e Gjirokastrës

Nëse në mbledhjen që grupi parlamentar i Partisë Socialist, që do të mbahet ditën e martë, z. Islami do të përligjë mungesën e tij në Parlamentin Shqiptar, siç u përligjën mungesat e dy deputetëve të tjerë, z. Majko e znj. Seseri, mendoj se qëndrimet duhet të rivlerësohen. Në të kundërt, nëse nuk përligjet kjo mungesë, atëherë le të zbatohet statuti i Partisë Socialiste.

 

Sulo Muçobega, kryetar i PS, rrethi Tepelenë

Prej disa kohësh e deri në këto momente deputeti Kastriot Islami ka vepruar në kundërshtim me vendimet politike të Partisë Socialiste. Forumet e partisë janë vendi ku diskutohen problemet dhe gjithashtu merren edhe vendime. Kësisoj, asnjë prej anëtarëve nuk mund të dalë kundër këtyre vendimeve. Në fakt, z. Islami prej disa kohësh ka dalë kundër këtyre vendimeve, ka bërë deklarata në çdo media, në kundërshtim të plotë me vendimet politike dhe për këtë qëndrim duhet të marrë përgjegjësi. Por, pavarësisht kësaj, unë mendoj se Partia Socialiste ka nevojë për z. Islami dhe për shumë të tjerë, ndaj jam kundër përjashtimit të tij nga grupi parlamentar.

 

Gjergji Mërkuri, kryetari i PS, Sarandë

Vendimi i Kryesisë socialiste është i drejtë, ka ardhur koha që të mendohet dhe të veprohet për disiplinë në Partinë Socialiste.

 

Pajtim Ismaili, kreu i PS-së, Mallakastër

Unë nuk bëj pjesë në grupin e deputetëve. Ata e dinë se si do të veprojnë. Unë nuk paragjykoj se çfarë do të ndodhë.

 

Ulsi Manja, kreu i PS-së, Dibër

Nuk preferoj të prononcohem për këtë çështje. I zgjidhin vetë këta të mëdhenjtë në qendër.

 

Artur Kala, kreu i PS-së, Bulqizë

Për momentin s’është oportune përjashtimi i Islamit, duhej bërë më herët. Kur ndodh një përjashtim i një këshilltari në një fshat të Shqipërisë, deri në Konispol, do të ketë një lloj reflektimi deri në Vermosh. Baza është më e ndjeshme sesa qendra. Por e dimë që Islami ka kaluar çdo cak lidhur me vendimmarrjen. S’është hera e parë që vepron jashtë strukturave të partisë, aq më tepër që e ka kthyer në një lloj pazari politik. Absolutisht s’e meriton të jetë në PS. Por për momentin kjo çon ujë vetëm në mullin e Metës dhe Berishës. Kur jemi vetëm një vit e disa larg zgjedhjeve, është problem.

 

Myslim Zeneli, kreu i PS-së, Mat

E kam pasur profesor Islamin. Për sa i përket marrëdhënieve me strukturat i ka tërësisht të gabuara dhe ka kohë që duhej përjashtuar. Është mendimi i bazës së PS Mat, vetëm i ka bërë dëm Partisë Socialiste me vendime jashtë vendimmarrjes. Nuk duhet të jetë i përjashtuar, por të mos ishte zgjedhur në strukturat vendimmarrëse.

 

Astrit Halili, kryetar i rrethit të PS, Elbasan

Partia Socialiste e Elbasanit dhe anëtarësia e saj kanë parë me rezerva dhe kanë qenë kritikë ndaj deputetit Kastriot Islami edhe më parë. Çdo vendim i Partisë Socialiste dhe i grupit parlamentar të PS do të mbështetet nga socialistët e Elbasanit.

 

Agustin Marku, kreu i PS-së, Lezhë

Nuk mund të jap asnjë lloj opinioni lidhur me çështjen e Kastriot Islamit.

 

Keti Bazhdari, kryetarja e PS-së, Shkodër

Partia Socialiste është partia më demokratike në Shqipëri dhe sidomos, për ne të rinjtë që nuk është e lehtë të na hapen dyert në realitetin meskin dhe konjukturalist që ka pllakosë Shqipërinë, por Edi Rama luftoi vetë dhe për ne që të mund të integrohemi politikisht dhe të shprehim vullnetin tone për një vizion Evropian, në këtë vend të hedh me “krye në hi”. Demokracia është sistemi ku mënyra e imponimit për të shprehur vullnetin në shoqëri bëhet më e drejtë dhe më e lirë, por kjo nuk do të thotë që dikush që e përdor apo e ngatërron me anarkinë ka të drejtë dhe është i lirë, përkundrazi, kur nuk bëhet fjalë për një vizion që ka ndikim, por për ç’orientim e manipulim, kjo shkakton dhe dëm shoqëror. Prandaj, kushdo që i hyn kësaj loje dhe do t’i qëndrojë, duhet të marrë parasysh dhe pasojat.

 

Eltar Deda, kryetari në detyrë i PS për Degën Vlorë

Unë jam vetë anëtar i grupit parlamentar socialist dhe për këtë rast unë do t’i nënshtrohem vendimmarrjes së grupit, e cila do të bazohet në rregulloren e saj. Unë jam për zbatimin e rregullores me përpikmëri, të çdo rreshti të saj, pasi kjo rregullore është miratuar nga vetë anëtarët e grupit.

 

Pjetër Pjetri, kreu i PS, Mirditë

Pavarësisht qëndrimit që ka mbajtur Islami, që me tepër duken si produkt mediatik, në PS nuk para ka ndodhur përjashtimi dhe mendoj se nuk do të ketë një përjashtim.

 

Ylber Duraku, kreu të PS i Kukësit

Për mendimin tim, Kastriot Islami është vetëpërjashtuar që në zgjedhjet e 28 qershorit 2009. Ai jo vetëm që nuk kontribuoi, por u shndërruar në një opozitar të partisë së vet, e jo i qeverisë. Gjithashtu ai bojkotoi forumet ku bënte pjesë dhe rendte pas ekraneve të mediave duke kundërshtuar gjithçka e çdo gjë që kishte lidhje me PS.

 

Halit Mula, kryetar I PS-së së rrethit të Hasit

Unë e kam ndjekur përmes TV-së mbledhje e kryesisë. Personalisht mendoj që Kastriot Islami të mos largohet nga grupi parlamentar i PS-së. Është një zë ndryshe dhe partia jonë, në ndryshim nga partitë e tjera, është një parti e hapur për mendimin ndryshe. Por në të njëjtën kohë dua të theksoj se liria e tepërt, ku cenohen interesat e partisë, duhet të kufizohet.

 

Për këtë material punuan të gjithë gazetarët e “Shekullit” në rrethe dhe redaksia e Politikës

 

Komente

Mesa duket nuk ka ende asnje koment per kete artikull.
Shkruaje ti i pari nje koment !

Topi Presidenti te zgjidhet nga populli, do jete zgjedhja me e mire

Publikuar me : 25.05.2012 Ne kategorine : Politike - Lexuar : 64 here.
Topi  Presidenti te zgjidhet nga populli, do jete zgjedhja me e mirePresidenti Bamir Topi Zgjedhja me mirë e presidentit është vetëm nëse bëhet nga populli ka deklaruar presidenti Bamir Topi i ftuar në emisionin “Debat” në Vizion Plus, ku ka folur rreth zgjedhjes së kreut të ri të shtetit. Presidenti Topi ka komentuar garën presidenciale, në nisje të negociatave dhe ka thënë se kandidatura mund të jetë nga PD, por duhet të votohet nga PS “Presidenti mund të jetë nga PD, por nëse siguron më shumë se 71 vota, atëherë merr kuptimin...Lexo te gjithe artikullin »


» Patozi leter Rucit Te fillojme negociatat per presidentin
» Spahiu Presidentin duhet ta duan ne Shqiperi, Kosove dhe Maqedoni
» Rama Takimi Berisha-Meta per Presidentin e ri, teatral
» Kamez, 300 te rinj behen pjese e PS-se
» Jahjaga viziton studentet e plagosura
» Presidenti, Berisha takon Mediun Procesi do jete transparent
» Presidenti i ri, Berisha Do negociohet dhe me Ramen dhe Dulen
» Presidenti i ri, Berisha Do takoj dhe Ramen me Dulen
» Rama Takimi Berisha-Meta per Presidentin e ri teatral
» Rama Takimi Berisha-Meta teatral

Ndaj kete artikull me miqte e tu ne rrjetet sociale me te njohura :

Fjala jote vlen !

Stacione TV Shqip
Shiko TV Rrokum online falas! TV Rrokum
Shiko Lajme Top Channel online falas! Lajme Top Channel
Shiko KTV Live online falas! KTV Live
Shiko Lajme TVKlan online falas! Lajme TVKlan
Shiko SuperSonic Live online falas! SuperSonic Live
Shiko Ora News Live online falas! Ora News Live

Gazetat PDF
PDF Gazeta Shqip!
PDF Gazeta Koha Jone!
PDF Gazeta 55!
PDF Gazeta Tema!

Publicitet

Sherbime te tjera
Lidhu ne RSS
Sherbim per Webmasterat
Rezultate sportive Live
Termat e Perdorimit
Kontakte


Indeksi | Lajmet ne faqen tuaj | Shperndarje RSS | Reklamoni Faqen tuaj | Add to Google

VetemLajme.Com : Permbledhje e shtypit Shqiptar - Produkt i PikaWeb © 2007-2012
Kujdes : Artikujt e publikuar i perkasin autoreve perkates. Prane cdo artikulli gjendet dhe burimi origjinal. Per me teper lexoni Termat e Perdorimit