Publikuar me : 28.09.2011 Ne :
Kronike - 51 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Lindita Çela
Në çastet përpara vrasjes Arjan Selimi ndodhej në lokalin poshtë pallatit nën shoqërinë e Sokol Koçiut, ish-shefit të policisë të arrestuar për trafik droge, sot mbrojtës ligjor. Me ta ndodhej edhe bashkëshortja e Sokol Koçiut. Pak përpara vrasjes, Sokol Koçiu është ngritur nga tavolina për të bërë disa fotokopje ndërsa Arjani ka qëndruar në lokal. Por ish-shefi i policisë rrëfen se Arjan Selimi kishte parë një nga personat që kishin kryer vrasjen. Ai kishte hyrë disa herë në lokal dhe Selimi kishte dyshuar. Ai ishte ngritur për ta ndjekur nga pas, por nuk është kthyer më i gjallë. “Po shkoj të shoh se kush është ky djali që hyn e del nga lokali duke më parë. Nuk e njoh, nuk është djalë lagjeje”, janë fjalët e fundit të Arjan Selimit përpara vrasjes. Në një intervistë për “Shekullin”, Sokol Koçiu rrëfen takimin me mikun e tij si dhe dyshimet mbi vrasjen.
Z. Koçiu ju keni qenë në një tavolinë me Arjan Selimin pak minuta para se ai të ekzekutohej pranë shtëpisë së tij, cila ka qenë arsyeja e këtij takimi?
Po është e vërtetë që natën e ngjarjes unë ndodhesha në kafe me Arjanin. Bashkë me ne, krejt rastësisht ka qenë dhe bashkëshortja ime. Në fakt e lamë për t’u takuar sepse mesditën e së martës (dje) Arjani kishte seancën e radhës në Gjykatën e Krimeve të Rënda, një proces ky i stërzgjatur ku Arjani përpiqej të vërtetonte pafajësinë. Pikërisht për të diskutuar qëndrimet që do të mbanim në këtë seancë e lamë që të takoheshim me Arjanin, poshtë shtëpisë së tij.
Vutë re ndonjë shqetësim tek Arjani?
Jo. I vetmi shqetësim i tij ishte procesi i radhës në Gjykatën e Krimeve të Rënda. E tërë biseda aty është përqendruar gjatë gjithë kohës, rreth një orë që unë kam qëndruar në tavolinë me të.
Ju ishit në momentet e fundit të ngjarjes?
Pesë minuta më parë unë isha ngritur nga tavolina për të fotokopjuar disa dokumente që duhet ti paraqisnim në seancën e së martës. Aty në lagje nuk kishte fotokopje, kështu që jam detyruar të dal në rrugë kryesore, pikërisht në këtë kohë ka ndodhur dhe ngjarja.
Po bashkëshortja juaj qëndroi në tavolinë?
Po. Kishim dhe pak punë dhe më pas do të largoheshim. Por nuk kanë kaluar as pesë minuta kur ime shoqe më telefonon për të më thënë çfarë ka ndodhur. Kthehem dhe shoh Arjanin të shtrirë në mes të rrugës. Nuk jetonte më.
Çfarë ju tha bashkëshortja?
Pas largimit tim, ata kanë vijuar bisedën normal. Por gjatë kësaj kohe, Arjani ka vënë re një lëvizje të dyshimtë të një personi. Madje e ka diskutuar edhe me time shoqe këtë fakt. Pastaj është ngritur nga tavolina për mos t’u kthyer kurrë.
Cilat kanë qenë lëvizjet e dyshimta të këtij personi që kanë shqetësuar Arjanin?
Po ja, një djalë i ri vinte rrotull rreth lokalit dhe Arjani ka pikasur se ky djalë nuk i përket asaj lagje. Duke qenë se Arjani jeton në një pallat në formën e një U-je, dhe në atë kafene ulen kryesisht banorët e pallatit, prezenca e këtij djali ka tërhequr vëmendjen e tij. Arjani është ngritur nga tavolina për të ndjekur këtë djalë. Ai ka kaluar në tunelin e pallatit për të dalë në anën e pasme të tij. Pikërisht në këtë vend ai është ekzekutuar.
Bashkëshortja juaj e ka parë autorin?
Jo. Sepse ju thashë që ngjarja ka ndodhur në anën e pasme. Madje deri sa ka dëgjuar krismat ajo nuk është shqetësuar me idenë që asgjë nuk ishte e rëndësishme. Thjeshtë Arjani do i binte rrotull pallatit dhe më pas do ulej në tavolinë.
Z. Koçiu a takoheshit shpesh kohët e fundit me Arjan Selimin?
Duke qenë se unë kam marrë përsipër të isha avokati i tij në proceset gjyqësore që ai vijonte, sigurisht që jemi takuar shpesh, por duhet thënë se për hir të eksperiencës sime të hidhur, e kam njohur dhe më parë Arjanin.
A keni konstatuar ju ndonjë shqetësim të Arjanit, apo t’ju ketë rrëfyer se ndihej i kërcënuar?
Jo absolutisht. Arjani ndihej tejet i qetë. Nuk ka pasur as shqetësimin më të vogël. Po të ishte kështu ai do të ruhej për të parandaluar një ngjarje të tillë. Që ditën kur ka dalë nga burgu e deri më sot, Arjani lëvizte lirshëm nëpër qytet. Unë nuk kam dijeni që Arjani të kishte hasmëri apo konflikte me njerëz që të organizuar një vrasje të tillë.
Hetimet: Vrasësit ishin me pagesë, por jo profesionistë
Edhe pse kanë kaluar më shumë se 24 orë nga vrasja e Arjan Selimit, policia e Tiranës nuk ka mundur të përcaktojë një pistë të saktë hetimore apo detaje në lidhje me autorin. Zyrtarisht, sipas policisë, të gjithë dëshmitarët e ngjarjes kanë mbajtur gojën e mbyllur dhe kanë thënë se nuk kanë parë asgjë. Por burime nga grupi hetimor thanë për “Shekullin” se është krijuar një ide e qartë për personin që dyshonte Arjan Selimi.
Dëshmitë e personave që ndodheshin në lokal kanë treguar për një djalë të ri, i cili ka hyrë disa herë brenda duke parë nga Selimi dhe më pas dilte jashtë. Kjo ka bërë kurioz edhe vetë viktimën, i cili ka dalë jashtë për ta ndjekur djalin e ri dhe nuk është kthyer më. “Jemi duke verifikuar disa detaje dhe ende nuk kemi përcaktuar nëse bëhet fjalë për një karrem apo për një njeri roje. Dyshojmë se djali i ri që hynte e dilte nga lokali ishte dërguar nga vrasësit për të vëzhguar Selimin dhe më pas raportonte jashtë. Nga ana tjetër janë disa të dhëna që tregojnë se djali i ri është përdorur si katitem për të tërhequr viktimën jashtë në një zonë me pak ndriçim. Jemi ende duke verifikuar”,- thanë dje burimet e grupit hetimor.
Ata janë duke kërkuar në lokalet e zonës për të gjetur kamera sigurie apo për kamera bankomatesh, të cilat mund të kenë fiksuar imazhe nga vrasësit. Një tjetër e dhënë që po hetohet është makina e përdorur nga vrasësit. Dëshmitarët okularë kanë folur për një makinë të vogël me ngjyrë të bardhë, e cila është larguar me shpejtësi në drejtim të rrugës “Stavri Themeli”. Edhe për këtë makinë po kontrollohet në kamerat e rrugës.
Hetuesit kanë marrë në pyetje disa miq të Selimit, por pa mundur që të mësojnë ndonjë gjë të vlefshme për hetimin. Ata kanë treguar që pas daljes nga burgu ai ishte bërë tip shumë dyshues, por asgjë konkrete. “Ai dyshonte shumë, por këto ditë nuk kishte ndonjë dyshim konkret. Lëvizte i qetë si zakonisht, nuk mbrohej”,- kanë thënë në polici miqtë e viktimës.
Këto dhe të dhëna të tjera kanë shtyrë policinë të mendojë se bëhet fjalë për një vrasës me pagesë. Por nga rindërtimi i ngjarjes, hetuesit mendojnë se nuk bëhet fjalë për vrasës profesionistë. Ata kanë përdorur një armë që ka shumë fuqi, por aspak precizion. Dhe kjo është vënë re në vendin e ngjarjes ku policia ka grumbulluar më shumë se 20 gëzhoja ndërsa në trupin e viktimës kanë përfunduar vetëm dy predha. “Vrasësit kanë qëlluar me breshëri, por pa pasur precizion. Ata kanë drejtuar kallashnikovin nga Selimi dhe plumbat kanë përfunduar në të gjithë zonën”,- thanë burimet e policisë. Sipas tyre, kjo ka shtuar dyshimet se vrasësit nuk ishin profesionistë.
Bazuar në këto të dhëna, policia ka nxjerrë disa pista hetimore, duke u fokusuar tek e kaluara e Selimit, por edhe tek ndonjë gjë që mund të ketë ndodhur gjatë kohës që ai ishte në burg. Dyshime e hetuesve lidhen me një grup tjetër rival që gjithashtu ka qenë përfshirë në trafikun e drogës. Pavarësisht këtyre të dhënave, policia nuk ka pranuar të japë detaje apo fakte rreth grupit rival, me të cilin mund të ketë pasur probleme Selimi.
Dy hetues specialë për vrasjen “Selimi”
Ekzekutimi i Arjan Selimit dhe vrasjet e tjera që kanë ndodhur këto ditë në kryeqytet kanë vënë në vështirësi policinë e Tiranës, e cila duket se është tepër larg zbardhjes së tyre. Për këtë arsye Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka dërguar në ndihmë të hetimeve dy ekspertët e saj më të mirë. Ata i janë bashkuar grupit të hetimit të vrasjes dhe pritet që sot të marrin drejtimin e hetimeve. Ata do të marrin edhe një herë në pyetje dëshmitarët dhe do të verifikojnë provat e mbledhura në vendin e ngjarjes.