Publikuar me : 02.02.2012 Ne :
Kuriozitete - 23 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Preç Zogaj
E folura logjike, edukata, qetësia, profesionalizmi, luku, dinjiteti, ndjenja e masës, vendosmëria për gjërat e qarta, pavendosmëria për gjërat e paqarta, dikrecioni, eleganca – të gjitha këto dhe një mori cilësish të tjera që mund t’i shtohen kësaj liste plotësojnë në lidhjen e tyre figurën dhe performancën pozitive të një personi publik. Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, i manifestoi në intervistën e saj plot jehonë të javës së kaluar në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut. Ajo bëri për vete, entuziazmoi apo vuri në mendime masën e gjerë të teleshikuesve të këtij emisioni sa popullor, aq edhe elitar.
Në rrafshin shtetëror, zonja Rama afirmoi përgjegjshmërinë e institucionit që drejton. Në një rrafsh më të gjerë, që del tej kuadrit të emisionit, ajo riafirmoi pa tendencë, pa sforcim, krejt natyrshëm, siç ndodh kurdoherë me gjërat e vërteta, figurën e gruas së emancipuar shqiptare. E dimë se kemi kudo femra të afta, të kulturuara, që dinë të përballojë barrën e detyrës pa u zhbalancuar, pa u tjetërsuar, pa u shpërfytyruar. Brerorja e kulturës dhe delikatesës mbështjell pamjen dhe sjelljen e tyre. Kultura i pajis edhe ato me turp dhe zotësi të rrallë, siç do të thoshte Euripidi i lashtë. I kemi jashtë partive, i kemi në administratë në ato nivele ku nuk zbret hidhësia dhe zjarri i luftës së re të klasave, i kemi edhe brenda partive, aty ku dinjiteti i individëve të lirë respektohet si një gjë e shenjtë.
Në kuptimin intelektual, barazia gjinore është një gjendje objektive e shoqërisë shqiptare. Ajo është pabarazi vetëm në përfaqësim. Në përfaqësim gratë janë shumë pak dhe për fat të keq, si të mos mjaftonte kjo, mes kësaj pakice ka gra që përfaqësojnë një lloj aberracioni (shmangie) nga seksi femëror, çfarë duhet të jetë vërtet një mallkim për femrën. Gratë me poste të larta si Ina Rama bëjnë përshtypje të thellë kur flasin para publikut edhe për shkak të kontrastit që krijon normaliteti dhe e folura e tyre logjike me anormalitetin dhe alogjizmin e grave të shpërfytyruara nga injoranca, brutaliteti dhe servilizmi politik, armiku më i madh i klasit femëror.
A mos vallë thjesht se ishte logjike i bëri për vete teleshikuesit dhe lexuesit e shumtë shqiptarë Prokurorja e Përgjithshme? Nuk ka dyshim se arsyeja si sinonim i virtytit në punët e shtetit ishte një armë e fortë në duart e saj. Por arsyeja nuk punon në të thatë, sado i mençur dhe i ditur të jetë njeriu. Aq më tepër në rastin tonë kur zonja Rama kishte përballë një intervistues të stërvitur, të mirinformuar, që është më shumë se gazetar, që ka vetinë t’ia bëjë cilitdo që thërret ne studio pyetjet më pikante të publikut, pyetjet e oponentëve dhe të armiqve politikë të të pyeturit, pavarësisht se çfarë marrëdhëniesh vetjake ka me këtë të fundit.
Me ketë cilësi të profesionit, Blendi Fevziu ka ruajtur pas kaq vitesh popullaritetin e emisionit të tij. Ky me Ina Ramën besoj se ishte një kulm i kulmeve dhe ja ku vijmë sërish te pyetja: cili ishte shkaku, çfarë ndodhi që në atë studio gruaja e fuqishme e institucionit të akuzës, që nuk shau askënd, nuk ofendoi askënd, nuk kërcënoi askënd, nuk bëri asnjë grimasë force, madje tregoi shenja ndrojtjeje herë pas here, të tërhiqte jo vetëm një rekord shikueshmërie – çfarë shpjegohet edhe me daljen e saj për herë të parë në “Opinion”, – por edhe një rekord dakordësie dhe simpatie – çfarë shpjegohet me përgjigjet që dha.
Studiuesit dhe operatorët e komunikimit publik me siguri do të ndalen me gjatë te ky shembull për të kuptuar arsyet dhe për të nxjerrë përfundime të dobishme në lidhje me vendin e temave të tilla në media. Në këtë shkrim unë dua të nënvizoj një prej arsyeve: Në tërësi dhe sidomos për ngjarjet e 21 janarit, Kryeprokurorja iu referua fakteve konkrete, provave materiale, të prekshme, të dëgjueshme, të shikueshme, të kapshme nga ekspertizat ligjore dhe profesionale. Faktet me vlerën e provës në një hetim penal kanë hierarkinë dhe sovranitetin e tyre. Kryeprokurorja respektoi këtë hierarki, këtë sovranitet.
Ajo ishte neutrale ndaj fakteve në lidhje me hetimin. Pavarësisht se, në kontekstin e pengesave që i janë vënë dhe sulmeve që i janë bërë nga kryeministri Sali Berisha, i kishte objektivisht në favor ato fakte. Por nuk e manifestoi vogëlsisht kënaqësinë e kësaj gjëje. Qëndroi e ftohtë, la përshtypjen se njëlloj do të fliste edhe po të kishte dalë nga ekspertiza e FBI-së se demonstruesit janë vrarë nga brenda turmës. Në thelb, nuk është kryeprokurorja, por është sovraniteti i fakteve të pakontestueshme që ka rrëzuar ngrehinën e përrallave, gënjeshtrave, shpifjeve dhe pengesave që ka ngritur përgjatë gjithë vitit kryeministri Berisha për 21 janarin. Oficerët e Gardës kanë vrarë me paramendim, me fishekë luftarakë, drejt e mbi turmë, në mish të gjallë, me gjakftohtësi dhe urrejtje, pa asnjë arsye të përligjur. Vrasësit janë angazhuar në fshehjen, tjetërsimin dhe zhdukjen e provave të krimit.
Me justifikime dhe alibira pa asnjë vlerë ligjore, kryeministri Berisha ka marrë autorësinë e pengimit të Prokurorisë për të kryer hetime menjëherë pas vrasjeve. Në distancën e një viti dhe në dritën e ekspertizës së FBI-së del qartë se me veprimet e tij Berisha u ka marrë momentin prokurorëve për t’u dhënë kohë dhe mbështetje atyre që hapen zjarr mbi demonstruesit e pafajshëm, personave që janë impenjuar në zhdukjen e provave dhe në fshirjen e filmimeve nga serveri i kryeministrisë, një krim me vete që lëndon dyfish familjarët e të vrarëve, mbarë opinionin publik. Ai nuk ka folur ende si burrat se çfarë ka ndodhur me serverin, pse janë kopjuar e fshirë pamjet e 21 janarit të filmuara nga kamerat e brendshme e të jashtme të kryeministrisë. Në të vërtetë, faktet flasin vetë. Po të kishin qenë në mbrojtje të ligjit dhe rendit kushtetues, siç përrallisin që prej një viti, vrasësit dhe urdhëruesit e tyre nuk do të merreshin me ndërrimin e tytës së armëve apo me fshirjen e filmimeve. E kanë pasur vetëdijen se po bënin një krim, prandaj i kanë hyrë punës të zhdukin provat.
Respektimi i fakteve të certifikuara, sikurse dhe vlerësimi i tyre në peshoren e ligjit është një tregues integriteti për çdo punonjës të sistemit të drejtësisë. Ca më shumë për njeriun që kryeson institucionin e akuzës. Por, në emisionin e Fevziut, zonja Rama nuk u paraqit thjeshtë si një referuese faktesh. Përkrah sovranitetit të fakteve, ajo dëshmoi edhe sovranitetin e logjikës dhe pavarësisë në një vend të vështirë, ku kultura e pandëshkueshmërisë ushqehet, para së gjithash, nga koncepti antidemokratik i kryeministrit për ndarjen e pushteteve. Ajo rrëzoi me arsyetime të thjeshta metamitet e krijuara përgjatë vitit për të penguar hetimin dhe fyer kryeprokuroren (Bulevardi? Është referencë ligjore e vendit ku ndodhen vrasjet.
Njerëzit u vranë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”); mbajti një distancë higjienike ndaj paralajmërimit se nuk do të propozohej për një mandat të dytë; iu përgjigj pa frikë pyetjes, a kishte frikë nga paralajmërimet e kryeministrit Berisha se ky do ta hetonte atë, Ina Ramën, kur të merrte në duart e veta kreun e Prokurorisë. Ky është një presion, por unë kam frikë vetëm nga ligji, – tha ajo. Nga moszbatimi dhe jo nga zbatimi i ligjit. Kjo e moszbatimit të ligjit është një “frikë” pozitive që nuk e kënaq Berishën, pasi ai, siç e kemi parë gjatë këtij viti dhe shumë herë të tjera, këtë kërkon.
Jo më kot e pat lënë rehat kryeprokuroren, derisa dolën përfundimet e ekspertizës së FBI-së. Ndërkohë, “frika” pozitive e zonjës Rama është një sinjal shumë pozitiv për të gjithë ata që kërkojnë drejtësi në Shqipëri. Ligji, monarku i vetëm në një vend demokratik, e kërkon këtë grua dhe institucionin e saj në ballë të përpjekjeve për zbardhjen e plotë të 21 janarit. Me fakte, me fakte, me fakte. Sfida është e vështirë, por e mundur. Në këtë histori, zoti Berisha ka dy zgjidhje. Ose të pranojnë sovranitetin e paprekshëm të fakteve të certifikuara nga miqtë dhe partnerët amerikanë, ose … të vetiludohet me frazën e njohur “në qoftë se faktet janë kundër meje, aq më keq për faktet”. Por për ta bërë këtë duhet të na kthejë prapa në mesjetë, në një tirani të vdekur. Gjë që është e pamundur.