Publikuar me : 29.11.2011 Ne :
Sociale - 41 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Eglantina Bardhi
Tashmë shëndeti mendor është më shumë se problem për popullatën e vendit tonë. Këtë e thonë shifrat alarmante dhe vetë specialistët që mbulojnë këtë fushë. Të jetosh në një familje me individ me probleme të shëndetit mendor është disi e vështirë për të gjithë por sidomos për fëmijët. Psikiatri Anastas Suli na shpjegon një panoramë të shëndetit mendor në vendin tonë dhe disa nga faktorët që ndikojnë në shëndetin mendor. Ndërkohë, edhe psikologia Ilisa Polena na shpjegon rreth shëndetit mendor të fëmijëve.
“Nuk janë pak, por plot 25 për qind e pacientëve që vizitohen në sistemin parësor, vuajnë nga sëmundjet mendore dhe mendoj se, nëse bëhet një diagnostikim i gjithë popullsisë, e njëjta shifër do të gjendet”, thekson Anastas Suli, duke shtuar se ky është një fenomen shumë problematik për vendin tonë. Sipas tij, mund të ketë mijëra persona që vuajnë nga çrregullimet mendore, por që nuk janë evidentuar nga mjekët, ndaj dhe kërkohet një depistim sa më korrekt për shëndetin mendor.
Por cilat janë disa nga faktorët që ndikojnë duke sjellë çrregullime mendore te shqiptarët? Psikiatri Anastas Suli shpjegon se ndër vite kanë ndikuar shumë faktorë, duke filluar nga lëvizjet masive demografike të kontrolluara jo mirë.
“Faktorë të tjerë janë papunësia e lartë e shoqëruar më nivel ekonomik të ulët, përhapja në masë e drogave, trafikimi i qenieve njerëzore dhe prostitucioni, emigracioni, e shumë e shumë fenomene të tjera negative, megjithëse jo të zgjatura në kohë, por me veprim të fuqishëm traumatik”, pohon Anastas Suli duke shtuar se faktorë të tillë na kanë ndikuar të gjithëve në humbjen e qetësisë. Na është rritur prirja për njëfarë konfliktualiteti me njëri-tjetrin, madje dhe brenda grupit familjar.
Ndërkohë psikiatri Anastas Suli thekson se nuk duhet të ketë më spitale të mëdha psikiatrike, por shtëpi të vogla të shërbimit komunitar të shëndetit mendor. Ky është rekomandimi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe do duhet të fillojë të zbatohet, pasi ky sistem do të ishte shumë më i rëndësishëm dhe me efekte pozitive për personat që vuajnë nga çrregullimet mendore. “Spitalet e mëdha psikiatrike me një numër shumë të madh pacientësh duhet të marrin fund, sepse nuk mundësojnë një shërbim cilësor për pacientët”, thotë ai. Ndërkohë shpjegon se shtëpitë komunitare për shëndetin mendor duhet të jenë në 3 forma: një formë e këtyre shtëpive duhet të jetë vetëm për të sëmurët psikikë të rëndë, të cilët kanë nevojë patjetër për praninë e mjekut specialist dhe të infermierit; shtëpitë psikiatrike të mesme ku duhet të presin vetëm pacientët që nuk janë në gjendje të rëndë psikike dhe që mund të kryejnë disa punë të vogla nën kujdesin e personelit mjekësor dhe shtëpi që duhet të pranojnë pacientë që kanë dëmtime të vogla të shëndetit mendor, kategori kjo që nuk e ka të nevojshme praninë e personelit mjekësor. “Pra, këta pacientë duhet të aktivizohen me punë të vogla dhe t’u krijohet një ambient sa më familjar që do t’i ndihmonte shumë ata”, thekson Suli.
Harta gjeografike e shtrirjes së Shtëpive të Mbështetura
Tiranë -1 (5 burra) dhe 2 (16 pac.kronikë) së shpejti duke zgjidhur problemin e pacientëve kronikë për Pavionin Psikiatrik të Tiranës.
Elbasan-2 (22 pacientë kronike nga spitali psikiatrik i këtij rrethi, 6 burra dhe 16 gra)
Shkodra- (52 pacientë kronikë nga pavioni psikiatrik i këtij rrethi, 24 burra dhe 28 gra)
Vlora-3 (34 pacientë kronikë nga pavioni psikiatrik i këtij rrethi, 18 burra dhe 16 gra)
Harta gjeografike e shtrirjes së Qendrave Komunitare të Shëndetit Mendor:
Tiranë 3 QKSHM
Elbasan 1 QKSHM
Vlore 1 QKSHM
Shkodër 1QKSHM
Korçë 1 QKSHM
Berat 1 QKSHM
Gramsh 1 QKSHM
Çfarë është shëndeti mendor?
Shëndeti mendor vihet në provë nga shumë gjëra. Në situata të vështira të jetës gjendja e keqe del në pah si simptomë psikike dhe fizike. Marrëdhëniet shoqërore lihen mënjanë dhe njeriu nuk mund të kujdeset për veten, veprimtaritë e kohës së lirë ndërpriten dhe asgjë nuk të entuziazmon më. Kështu e nis shpjegimin e saj psikologia Ilisa Polena duke u shprehur se shëndeti është një aspekt shumë i rëndësishëm i jetës njerëzore. Madje, në mënyrë disi filozofike, shpeshherë njerëzit i referohen konceptit të shëndetit si “një qëllim më vete i ekzistencës”. “Në njëfarë mënyre shëndeti ose mungesa e tij janë terma të pranishëm pothuajse në të gjitha kontekstet apo dimensionet e ekzistencës së shoqërisë njerëzore. Kjo është veçanërisht e vërtetë për “mirëqenien fizike” të organizmit, së cilës njerëzit i referohen pothuajse çdo ditë në biseda me njëri-tjetrin”, pohon Polena duke shtuar se diskutimet rreth përbërësve të tjerë të shëndetit, siç është
p.sh. “mirëqenia shpirtërore” apo “emocionale” janë më shumë të kufizuara në mjedise intime apo në grupe të një besimi fetar të caktuar. Sipas saj, problemet e shëndetit mendor janë akoma edhe më shumë të kufizuara në mjedise tepër intime për vetë karakterin sensitiv të sëmundjeve apo çrregullimeve që lidhen me sferën psiko-emocionale. Sidoqoftë, gjatë jetës së përditshme njerëzit i referohen herë pas here një apo disa komponentëve të shëndetit të tyre në situata dhe në kontekste të ndryshme, duke e konsideruar atë (shëndetin) si kapitalin më të çmuar në jetë. Shendeti dhe sjellja janë gjëja më e rëndësishme për çdo njeri.
Psikologia: Familjet shqiptare i fshehin pjestarët me probleme mendore
Të jetosh në një familje me individ me probleme të shëndetit mendor, është disi e vështirë për të gjithë, por veçanërisht për fëmijët. Sipas psikologes Ilisa Polena, sëmundjet e shëndetit mendor janë të ndryshme dhe përjetohen ndryshe nga secili individ. Nuk është e thënë që çdo person me probleme të shëndetit mendor të konsiderohet “i rrezikshëm” në ambjentin ku jeton. “Nuk duhet të abuzohet me termin “sëmundje e shëndetit mendor” për të diskriminuar këtë target grup dhe për të kërkuar si “zgjidhje” veçimin apo stigmatizimin e këtyre individëve. Familjet shqiptare shpesh i fshehin pjesëtarët e tyre që kanë probleme të shëndetit mendor, pasi për ta është turp”, pohon psikologia duke shtuar se frika është e përhapur veçanërisht kundër një kërcënimi të paqartë dhe të dallueshëm, por turpi është më i fortë në këtë rast. Kjo situatë sipas psikologes i çon këto familje në mungesë totale informacioni për veten dhe në mungesë të ndihmës së këtyre individeve. Por ka dhe nga ato familje që e kanë pranuar këtë sëmundje dhe me ndihmën e specialistëve ndihmojnë në socializimin dhe kurimin e këtyre pesonave. Ndikimi i specialistëve është shumë i rëndësishëm në mbarëvajtjen e të sëmurit dhe të jetës sociale të familjes.
Fëmijët dhe shëndeti mendor, si duhet të veprojnë prindërit
Përgjegjësia e prindërve është që ta mësojnë fëmijën të sillet mirë. Fëmijët më mirë mësojnë nëse i tregoni shembull personal. Në familje ”fatkeqe”, situata për fëmijën është plot rreziqe. Shpjegimi i psikologes Ilisa Polena në lidhje me fëmijët nis pikërisht nga nëna. “Nëna ndoshta ndihet e pafuqishme që ta përballojë trysninë e fortë dhe mbingarkesën fizike dhe emocionale që mund të krijojë të pasurit e një pjesëtari të familjes me probleme dhe dashje pa dashje lë pas dore pjesëtarët e tjerë të cilët kanë dhe ata nevojë për praninë dhe mbështetjen e saj. Këta fëmijë ndihen të braktisur dhe iu mungon vëmendja e nënës apo babait”, shpjegon psikologia. Kjo lloj mungese, sipas saj, i çon ata në probleme të ndryshme sociale dhe probleme të thella në personalitet. Këta fëmijë mund të reagojnë në mënyra të ndryshme për të fituar vëmendjen te prindërit. Psikologia shpjegon se reagimet mund të jenë të tilla: duke imituar pjesëtarin e familjes, i cili është me probleme të shëndetit mendor, duke u mbyllur në vetvete, bëhen problematikë në sjellje në ambjentet ku jeton, bën si i sëmurë vazhdimisht, mund të dhunojë edhe atë që është i sëmurë sepse mendon që është faji i këtij të fundit për mungesën e vëmëndjes së pjesëtarëve të familjes. “Po të merrnim shembuj negativ të këtyre situatave në Shqipëri, do të përmendnim shumë raste ku dhunohet edhe individi me probleme të shëndetit mendor, por edhe të mitur që janë rreth tij. I sëmuri diskriminohet, privohet dhe izolohet nga ambjenti social, ndërsa motrat ose vëllezërit e tyre pësojnë trauma nga mënyra e pakëndshme sesi trajtohen këta persona”, pohon psikologia duke shtuar se është shumë e nevojshme që do familje që konstaton probleme të shëndetit mendor t’i drejtohet qendrave të specializuara për të marrë sugjerimet, mjekimet dhe informacionet përkatëse për çdo kategori të sëmundjeve mendore.
Suli: Të depistiohet e gjithë popullata
“Është i domosdoshëm depistimi i gjithë popullatës për shëndetin mendor dhe të jeni të sigurt, që këto shifra që shpjegova unë do të jenë reale”, thekson psikiatri Anastas Suli. Sipas tij, fakti që shëndeti mendor i popullatës është cenuar shumë nga çrregullimet mendore, organet kompetente duhet të marrin masa për evitimin e këtij problemi. Kështu, puna duhet të fillojë pikërisht me depistimin e popullatës dhe ky depistim të realizohet me ekipe të përbërë nga psikiatër, psikologë, infermierë dhe mjekë specialistë. “Problemi i sëmundjeve mendore nuk është vetëm problemi i individit që e vuan atë apo i familjes së tij, por ky problem është i gjithë shoqërisë, ndaj dhe nuk duhet të jemi indiferentë përballë këtij fenomeni shqetësues”, thekson Anastas Suli.
- 1 për qind e popullsisë vuan nga skizofrenia
- 10 për qind e popullsisë vuan nga depresioni
- 3 tipe qendrash mendore duhet të jenë për pacientët
- 1 qendër mendore, duhet të ekzistojë në 100 mijë banorë
Skizofrenia dhe depresioni
E ndërsa sëmundjet mendore zënë vend në 1/4 e popullsisë, fatkeqësisht sëmundja tepër e rëndë e skizofrenisë nuk ka kursyer mijëra shqiptarë. “Është për të ardhur keq, por 0.5 deri në 1 për qind e popullsisë vuan nga skizofrenia dhe kjo sëmundje është një nga më të rëndat e sëmundjeve mendore”, pohon Anastas Suli. Sipas tij, kjo sëmundje e shkatërron në mënyrë sistematike shëndetin mendor, derisa pacientët degradojnë në një gjendje shumë të dhimbshme, duke e humbur çdo aftësi mbi logjikën. Ndërsa, për sa i takon depresionit, shifrat janë akoma më alarmante, pasi numri i personave që vuajnë nga kjo sëmundje, zë 7 deri në 10 për qind të popullsisë. “Megjithëse krahasuar me skizofreninë është sëmundje më e lehtë, kjo nuk do të thotë se situata nuk është problematike, pasi çdo çrregullim mendor sjell shqetësime për personin që e vuan dhe për gjithë shoqërinë”, thekson Suli, duke shpjeguar se edhe stresi që është çrregullim i shëndetit mendor, gjendet rëndom në popullatën tonë.