Shtypi shqiptar online - Lajme dhe te reja !
Spektri i Demokracise

Publikuar me : 22.01.2012 Ne : Kuriozitete - 91 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli




 

Dr. Kesiana Lekbello

 

Duke kujtuar 21 Janarin dhe bashkë me të katër persona të pafajshëm që humbën jetën, duhet të pranojmë që demokracia tek ne ekziston në formë formale, edhe pse në emër të saj thuren fjalime  duke ju referuar vazhdimisht “vlerave” demokratike që ajo mishëron. Konkretisht të gjithë e dimë që fjala demokraci ka lindur në Greqinë e lashtë nga përbërja e fjalës demos, popull e kratos, pushtet, pra demoskratos do të thotë pushteti i popullit, i cili nëpërmjet zgjedhjeve përcakton klasën e tij drejtuese që ta drejtojë. Është shumë domethënse të kujtohet trajtimi që i bën ‘pushtetit’ Aristoteli në librin e tij Politika ku sipas tij, pushteti mund të jetë i formës së pastër ku qeveria drejtuese mendon për interesin e përgjithshëm të popullit, por mund të jetë edhe e formës së korruptuar ku qeveria harron interesat e përgjithshme dhe mbron interesat e saj.

Më tepër se aktuale forma e dytë aristoteliane i përshtatet konkretisht kohës sonë. Pra pushteti i popullit në demokraci është themelor dhe bazohet ekzaktësisht mbi zgjedhjet që kryen për qeverinë, e cila kështu përfaqëson popullin që e zgjodhi. Po ashtu, nëse qeveria e zgjedhur nuk zbaton korrektësisht detyrën e saj dhe nuk i shërben popullit (qeveri e korruptuar e quhan Aristoteli ) nuk është aspak çudi që populli të ngre zërin e tij duke manifestuar kundër politikës së gabuar që e drejton. Kështu ndodhi edhe në 21 janar të 2011, ku një pjesë e mirë e popullit e udhëhequr nga opozita, duke u mbështetur mbi pluralizmin që demokracia pranon, manifestoi kundër qeverisë. Më se normale, gjë që ndodh në të gjithë botën demokratike. Ngjarjet, siç kujtojmë me dhimbje, ndodhën ndryshe. Manifestimi, revoltimi dhe preokupimi i këtij populli që ngrihet në këmbë dhe kërkoi takim, sqarim dhe pse jo largim të qeverisë u manipolua (kujtojmë kur manifestonte PD nëpër sheshe e rrugë e thërriste NANO Ik /sot Nano hajde). Manifestimi, brënda normave, u komentua nga qeveria si një grusht shteti. Preteksti dredharak që u gjet menjëherë tregon qartë në cilën formë të qeverisjes futet Shqipëria. Dhuna e përdorur në 21 janar është dëshmia më e trishtuar që vërteton se si një “qeveri demokratike” mbron pushtetin, ndërkohë e përditshmja është bërë monologu i qeverisë,  ndërsa Vendi përjeton prej kohësh hijen e keqe të spektrit demokratik.

 

Në emër të demokracisë Shqipëria po ecën përpara. Përpara për ku… ? Për korrupsionin, për mashtrimet apo për 21 janarin…? Kush korrupton, mashtron, vjedh mban Moral, ata që shkaktuan hidhërimin e 21 janari janë akoma të lirë, kjo ditë nuk ka Emër përgjegjësie, njëlloj si Gërdeci ku faji u kalua derë më derë, deri sa u kapën disa fajtorë me rrol fakultativ.

Demokracia e vërtetë nuk do të lejonte që 21 janari të kthehej në tragjedi, sikurse nuk do të lejonte që votat e popullit për kryetarin e Bashkisë në Tiranë të shpalleshin mbas tre muajsh (rast i veçantë, nuk është i dëgjuar në botën perendimore, pa folur pastaj për vjedhjen e votave…uluret akoma Njeriu i piktorit suedez Munch, L’Urlo-1905, shuplakë për demokracinë). Demokracia e vërtetë bazohet mbi meritokracinë dhe nuk përjashton nga puna kundërshtarët e kësaj apo asaj pale politike, pranon bindjen politike të kujdo, sepse ky është pluralizmi, e për më tepër demokracia kërkon me çdo kusht të vërtetën, kërkon fajtorët kur ata fshihen; tek ne është e kundërta, fshihet e vërteta bashkë me fajtorin.

21 janari na kujton të gjitha këto mizëri, deri ku kemi vajtur dhe për çfarë po flasim.

Po flasim për pesimizëm që ndjehet sidomos mbas 21 janarit në popull, shpeshherë dëgjohet – nuk bëhet ky Vënd- demoralizimi moral ka ndrydhur zemrat, dje për fajë të diktaturs sot falë demokracisë, populli ka humbur shpresën. L’Urlo. Pikërisht, ulurima që ndjemë brënda vetes, duhet të kthehet,  sipas mundësive kush me penë e kush me krahë, në prodhimtari kolektive, gjithsekush është i ftuar me talentin, bagazhin e tij  të jap kontributin qoftë edhe minimal për një të mirë gjenerale. Nuk na shërben pesimizmi, edhe pse gjërat shkojnë keq, na shërbejnë inisjativat konkrete, veprat e ndershme, vetëm kështu shpëtojmë nga kthetrat e fajtorëve dhe paralizës mediokre që jetojmë, flasim dhe qahemi.

Vazhdojmë. Jemi sërisht në janar.

Jo më larg se disa ditë më parë (12 janar ora 21), gazetari i Shekullit E. Tanushi tentoi të fotografonte nga larg kryeministrin, i cili po hynte në vilën e Ilir Metës. Demokracia lejon informacionin, apo jo?. Gazetari, siç mësuam, u mbajt 1 orë nga trupat e gardës, dhe në emër të demokracisë i fshinë fotografitë e bëra edhe pse gazetari ishte jashtë zonës së rrethur nga policia dhe garda. Të nesërmen me datë 13 janar, ironia e fatit kërkon të luaj me ne, kryeministri Sali Berisha takon gazetarët dhe mediat, për ti falenderuar në emër të transparencës dhe pluralizmit, duke përdorur ekzatësisht këto fjalë  “Nxorrët Vendin nga Censura”.  Hapu qiell dhe thuaj një fjalë sepse këtu në tokë fjalët janë mbaruar. Në darkë gazetari ndalohet, pra çensurohet, gjatë ditës gazetari falenderohet. Perfekt, një tjetër shkelm për demokracinë.

Nëse mund të na ngushëllojë disi lajmi, ku për ngjarjet e 21 janarit Prokuroria përjashton grushtin e shtetit, duhet të kujtojmë që akoma nuk kemi dëgjuar nga qeveria një fjalë keqardhje për atë që ndodhi atë ditë; të pretendojmë një pendim, apo një /na falni/ duket Utopi. Për të gjithë dashuruesit, manifetuesit, organizuesit dhe në nderim të katër jetëve të humbura demokracia e vërtetë një ditë do të vij dhe Ditura, Zotësia do dëboj injorancën, atëhere kjo demokraci trasparente do të jetë krenare për njerëzit e saj që e kërkuan dhe e kërkojnë të pastër dhe jo të korruptuar.

Sot demokracia formale, mbuluar nga aparenca, i shërben një pakice që zotron fuqinë politike dhe ekonomike në Vend, duke mos qenë qeveri për popullin edhe pse është zgjedhur nga populli.

E mbyll duke cituar thënien e Abramo Lincoln:  Shteti Demokratik është ai në të cilin “qeveria është e popullit, përdorur nga populli, për popullin”.

Në kujtim të 21 janarit, përpjekjet për demokracinë e  vërtetë.

 

 

Komente

Mesa duket nuk ka ende asnje koment per kete artikull.
Shkruaje ti i pari nje koment !

Mishmashi i arsimit shqiptar

Publikuar me : 25.05.2012 Ne kategorine : Kuriozitete - Lexuar : 25 here.
Agim Fjolla Në Londrën e para pavarësisë shqiptare lindi një debat publik pas vjedhjes së një prej galerive private të artit që zotëronte një koleksion të veçantë veprash nga rilindja italiane. Roja i turnit të natës i ishte dorëzuar gjumit dhe këtë dobësi të moshës e kishte përdorur hajduti i cili vodhi plot pesë piktura. Kjo ngjarje shërbeu si nisje e një debati ku përzihej detyrimi moral me detyrimin ligjor ku njëra palë e hidhte rojën në anën e fajtorëve...Lexo te gjithe artikullin »


» Puna e mjekut flet me shume
» Ambasada ne Itali na ka mbyllur deren
» Kamikazet e drejtesise perballe vellezerve Deda
» Si e njoha Niko Agon
» Amnistimi i Serbise
» Bashkemoshatareve te mia
» Konsensus jo kompromis
» Aksidentet miresetevijne
» Bashkemoshatareve te mija
» Serbia heq makiazhin

Ndaj kete artikull me miqte e tu ne rrjetet sociale me te njohura :

Fjala jote vlen !

Stacione TV Shqip
Shiko TV Rrokum online falas! TV Rrokum
Shiko Lajme Top Channel online falas! Lajme Top Channel
Shiko KTV Live online falas! KTV Live
Shiko Lajme TVKlan online falas! Lajme TVKlan
Shiko SuperSonic Live online falas! SuperSonic Live
Shiko Ora News Live online falas! Ora News Live

Gazetat PDF
PDF Gazeta Shqip!
PDF Gazeta Koha Jone!
PDF Gazeta 55!
PDF Gazeta Tema!

Publicitet

Sherbime te tjera
Lidhu ne RSS
Sherbim per Webmasterat
Rezultate sportive Live
Termat e Perdorimit
Kontakte


Indeksi | Lajmet ne faqen tuaj | Shperndarje RSS | Reklamoni Faqen tuaj | Add to Google

VetemLajme.Com : Permbledhje e shtypit Shqiptar - Produkt i PikaWeb © 2007-2012
Kujdes : Artikujt e publikuar i perkasin autoreve perkates. Prane cdo artikulli gjendet dhe burimi origjinal. Per me teper lexoni Termat e Perdorimit