Publikuar me : 06.12.2011 Ne :
Ekonomi dhe Biznes - 53 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Tregjet e aksioneve në Evropë pësuan sot rënie pas paralajmërimit të agjencisë Standard & Poors se mund ta ulë klasifikimin e kreditit për vendet e eurozonës, përfshirë edhe Gjermaninë. Sipas “Zërit të Amerikës” paralajmërimi vjen në prag të takimit të nivelit të lartë që udhëheqësit evropianë do të mbajnë të premten lidhur me rrugët për zgjidhjen e krizës së borxhit që kërcënon monedhën e përbashkët, euron.
Agjencia Standard & Poors bëri një paralajmërim të pashembullt, duke thënë se mund të ulë klasifikimin e kreditit për 15 nga të 17 vendet e Eurozonës, nëse udhëheqësit evropianë nuk bien dakord për një zgjidhje të besueshme të krizës së borxhit.
Në grupin që përballet me ulje të klasifikimit përfshihen edhe Gjermania dhe Franca, gjë që nënkupton se edhe këto dy vende mund ta humbasin klasifikimin 3A, më të lartin e mundshëm. Pa një klasifikim të tillë, këto dy vende do ta kishin të pamundur të siguronin fonde të mjaftueshme për të nxjerrë nga kriza e borxhit vendet më të dobëta.