Publikuar me : 31.01.2012 Ne :
Politike - 85 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Kryeprokurori britanik Keir Starmer, ndërsa këmbëngul për pavarësisë e institucioneve kushtetuese në Shqipëri, shpreh hapur shqetesimin për sulmet personale dhe publike që u bëhet institucioneve të pavarura.
Ai citoi se sulmet ndaj një institucioni të pavarur, cënojnë elementët demokratikë të sistemit të drejtësisë. Ky qëndrim i prerë u shpalos gjatë një konference për shtyp, në prani të ambasadorit të BE-së, Sekui dhe ambasadores së Britanisë në vendin tonë, në permbyllje të vizitës së tij dy-ditore në vendin tonë.
“Si drejtues i një organi të pavarur, unë jam i shqetësuar nga sulmet personale dhe publike mbi integritetin e institucioneve të pavarura dhe të individëve në to. Këto sulme cënojnë jo vetëm individët e targetuar, por elementët demokratikë të sistemit. Nëse ka shqetësime reale, apo prova të shkeljeve, atëherë ato pretendime duhen ndjekur nëpërmjet kanaleve të duhura dhe jo të thuhen kot, apo të përdoren për të ushtruar presion mbi individët”, theksoi Starmer.
Sipas tij, për ngjarjen e 21 janarit e rëndësishme mbetet një investigim i plotë, gjithëpërfshirës, ndërsa sjell drejtësi.
“Dua të jem i qartë. Është me rëndësi që të ketë një investigim të plotë i cili të jetë efektiv dhe të japë drejtësi, dhe ky investigim duhet të drejtohet nga Prokuroria në mënyrë të pavarur. Unë do ta insistoja për këtë në vendin tim”, ka shtuar më tej ai.
Starmer shprehu vullnetin për të bashkëpunuar me Prokurorinë e Përgjithshme shqiptare, me qëllim luftën ndaj krimit.
“Mbretëria e Bashkuar është e angazhuar për të punuar me organet e zbatimit të ligjit të Shqipërisë për të luftuar krimin që cënon të dyja vendet dhe për të forcuar shtetin e së drejtës dhe sistemin gjyqësor në Shqipëri. Nëpërmjet Ambasadës tonë në Tiranë, departamentet dhe agjencitë e Mbretërisë së Bashkuar punojnë aktualisht me një sërë aktorësh në fushën e zbatimit të ligjit, me projekte asistence, raste studimore, projekte binjakëzimi dhe kështu me rradhë. Puna jonë me Prokuroren e Përgjithshme dhe zyrën e saj është një shtyllë qendrore e këtij bashkëpunimi”, theksoi ai.
Sipas tij, integriteti dhe pavarësia e institucioneve të drejtësisë është domosdoshmëri, duke theksuar se institucioni i Prokurorisë duhet të lihet i lirë të bëjë drejtësi.