Publikuar me : 12.12.2011 Ne :
Politike - 25 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Organizata Mjaft ka përgatitur dy studime mbi punën e Qeverisë shqiptare me buxhetin nga viti 2006 deri në 2010 si dhe punën dhe transparencën e ministrive bazuar në ligjet që veprojnë në vend.
Nga konkluzionet e “Mjaft” del qartë se qeveria shqiptare ka punuar vetëm në një linjë: të bëjë premtime të parealizueshme. Ndërkohë që ministritë nuk kanë qënë shumë bashkëpunuese me organizatën.
“Bie në sy mungesa e dukshme e gatishmërisë së disa ministrive për të ndihmuar në realizmin e këtij Publikimi, duke mos ofruar Planin e Integruar, në mungesë të së cilit ka mbetur pa u pasqyruar një pjesë e veprimtarisë ligjore të disa ministrive. Kërkesat për marrjen e këtij dokumenti, hartimi dhe raportimi i të cilit është detyrim ligjor i Ministrive që prej vitit 2007, kanë qenë për vitin 2009 vetëm kërkesa zyrtare 1 drejtuar njëkohëshit Ministrive të Linjës dhe Këshillit të Ministrave, i cili është edhe autoriteti ligjor përgjegjës për miratimin e këtyre planeve”, thuhet në studimin e “Mjaft”.
Konkluzionet e “Mjaft” për monitorimin e buxhetit
1- Realizimi faktik i buxhetit të shtetit për vitin 2010 është krejt i ndryshëm nga programi i qeverisë, gjë që më shumë se sa mospërmbushje e premtimeve mund të interpretohet si premtime jorealiste, të cilat asnjë qeveri nuk mund t’i përmbushë.
2- Buxheti i shtetit është nën rrezik konstant për rritje të deficitit dhe borxhit publik për shkak të parashikimeve më tepër optimiste se sa është e logjikshme nga ana e qeverisë.
3- Kriza ekonomike dhe financiare botërore ka sjellë uljen e normave të rritjes ekonomike të Shqipërisë, gjë që duhet të sjellë një ndryshim thelbësor të popullatës mbi atë çfarë është e mundshme në terma makroekonomikë. Premtime të tilla si rritja e pagave dhe pensioneve me mbi 10 për qind, në kushtet kur rritja ekonomike pritet të jetë rreth 4 për qind për të ardhmen e afërt, janë sot shumë larg realitetit.
4- Qeveria shqiptare nuk e përdor kodin e praktikave të mira buxhetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar.
5- Mënyra e analizimit të kostove dhe përfitimeve nga ndryshimet në legjislacion është shumë larg praktikave më të mira.
6- Hapësira kushtetuese që i jep mundësi qeverisë të marrë vendime me fuqinë e ligjit (akte normative) po kthehet në një hapësirë spekulimi të vazhdueshëm nga ana e qeverisë, me të cilën shmanget miratimi i ligjeve sipas mënyrës së zakonshme, shmanget debati mbi to dhe mbi të gjitha, përdoret për çështje të cilat nuk mbartin urgjencën e nevojshme për të justifikuar ndërmarrjen e një akti normativ.
7- Efikasiteti i përdorimit të mekanizmit të borxhit publik dhe efekteve të borxhit në ekonomi është tërësisht i pashpjeguar.