Shtypi shqiptar online - Lajme dhe te reja !
Sulce Perse braktisa PS per LSI

Publikuar me : 23.10.2011 Ne : Politike - 54 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Intervistoi Luis Tanushi

Ish kryetari i Partisë Socialiste  në rrethin e Vlorës, Kujtim Sulçe,  sqaron arsyet e kalimit te Lëvizja Socialiste për Integrim. Në një intervistë për gazetën “Shekulli”, Sulce kritikon mënyrën e drejtimit të kryesocialistit Rama. Sipas tij, lideri i PS-së Rama ka ndrydhur demokracinë brenda strukturave dhe se vendimet i merr pa u konsultuar më parë me bazën. Akuza të rënda, Sullce hedh edhe mbi deputetët e zonës së Vlorës dhe për përzgjedhjen e kandidatëve në zgjedhjet e fundit vendore.

 

Ju vendosët që të largoheni nga Partia Socialiste ku keni qenë për vite me radhë në poste drejtuese. Përse vendosët që të merrni një hap të tillë?

Sigurisht unë ndjej keqardhje për largimin nga partia Socialiste sepse kam punuar bashkë me shokët këtu për 20 vjet dhe kam qenë në pozicione drejtuese. Gjithë veprimtaria ime politike ka qenë e drejtuar dhe kam punuar në mënyrë kolegjiale duke dëgjuar dhe marrë në konsideratë të gjitha vendimmarrjet që marrin strukturat. Ajo që është më kryesorja, nuk respektohet demokracia në parti. Nuk respektohet mendimi ndryshe,nuk respektohen vendimmarrjet e strukturave bile do të thosha injorohen, nuk merren në konsideratë. Për ta ilustruar këtë , po ju them se kam dy vite e gjysëm sekretar i PS i rrethit dhe një vit e gjysëm kryetar dhe ju them me bindje se kryetari Rama nuk ka ardhur asnjëherë në seli. Asnjëherë në zyrën e partisë të rrethit , të bisedojë me strukturat. Kur them këtë kam parasysh që në të gjitha rrethet nuk ka shkuar, jo vetëm në Vlorë tek unë. Po ashtu Rama me politikat personale dhe emërimet që bën, nuk e di se çfarë qëllimi ka dhe ku do e çojë PS-në, se humbjet po e shoqërojnë edhe radhazi dhe më vjen keq. Jo për Ramën, por më vjen keq për socialistët, për militantët e PS që i kanë besuar dhe i besojnë PS. Me vendimet që bën Rama dhe me aleatët që krijon kam bindjen se edhe në 2013 do të jetë në vështirësi, për të mos thënë e pamundur për ta fituar.

Ju personalisht keni pasur ndërhyrje nga zoti Rama apo njerëz të tjerë të PS në nivel qendror për emërime në degën e PS, Vlorë?

Po të kisha ndërhyrje do t’ia quaja për falenderim, por puna është që ai në një vit e gjysëm që unë jam kryetar , nuk më ka marrë njëherë në telefon. Edhe kur unë i bëra mesazh për tu takuar dhe për të zgjidhur disa probleme, jo vetëm që nuk më ktheu përgjigje, as në mesash, por as mori në telefon që të thoshte, ore hajde. Si ka mundësi që të shqetësohet një kryetari rrethi  dhe ta marri në telefon apo t’i bëjë mesazh edhe kryetari në qendër nuk i hap telefonin. Unë ja thashë në një takim që pata, unë po të isha në vendin tuaj, po të më merrte kryetari i Vlorës do t’i thosha a ke mundësi të vish tani, jo më nesër

 

Po për zgjedhjen e kandidatëve për zgjedhjet vendore?

U përzgjodhën kandidaturat për kryetar komune dhe bashkie. Unë nuk kam qenë në asnjë takim në vendimmarrjet që janë bërë. I ka bërë Rama edhe deputetët e zonës. Sado të mençur edhe të ditur të jenë, dy njerëz nuk mund të anashkalojnë strukturat e partisë, nuk mund të anashkalojnë kryetarin e partisë. Sigurisht ja kam bërë prezent. Të gjithë më jepnin të drejtë. Me pak fjalë Rama e ka ndrydhur demokracinë ose e ka injoruar demokracinë brenda partisë. Vendimmarrjen e bën personale. Nuk funksion kryesia e partisë. Të gjitha vendimet Rama i merr në mënyrë personale.

 

Sot bëhen zgjedhjet për delegatë, cili është komenti juaj?

Ata që janë zgjedhur në njësitë vendore kanë vajtuar deri atje sa të arrijnë të caktojnë edhe delegatët. Ka nga ata që caktojnë se kush do jetë edhe kryetari i partisë. Rama ka bërë takim me këta dhe s’ka bërë takim në nivel partie. Ai është kryetari i partisë , nuk është  kryetari i shoqatës së bashkive dhe të komunave. Ishte dikur, tani ka kohë dhe është kryetar partie. T’i mbledhi ata, por të mbledhi edhe të partisë. Ndoshta ka edhe njerëz që po abuzojnë se po dëgjoj mediat. Më vjen keqardhje për ata që mësohen, me ata njerëz të cilët nuk dinë edhe çfarë të prononcohen sepse dikush më thotë ka qenë kryetar, disa sekretar. Po bëhet votimi për delegatët e kongresit me kamera dhe me njerëz të ndershëm si e si për të hedhur poshtë dhe denigruar figurën time. Unë u them njerëzve që drejtojnë pushtetin vendor,  sidomos partinë që  është më mirë që të ruajnë partinë, se sa të venë njerëz që flasin kundër Kujtimit. Kujtimi s’ka bërë as tradhti as sherr. Kujtimi se gjeti veten se ishte në krye Rama dhe këta që e pasojnë për një mandat deputeti.

 

Përse zgjidhët LSI-në?

E zgjodha LSI. Sigurisht unë i përkas njeriut të majtë. Për korrektesë kam qenë ish i burgosur i Berishës në 97’. Në trazirat e 1997 më kanë çuar në burgun e Tiranës, por nuk mund të vazhdoja më te PS dhe zgjodha LSI si parti e re, si pati e majtë që lufton dhe mbron idealet e luftës nacionalçlirimtare. Një parti që punon dhe lufton për integrimin e vendit dhe besoj që së bashku do të kontribuojmë.

 

Është në koalicion  me zotin Berisha?

Është kjo politika në Shqipëri. Është ngatërruar keq në këtë rast. Ashtu siç është Nard Ndoka  te grupimi i PS, ashtu ka vajtur edhe LSI atje. Në Shqipëri nuk ka kufij të tillë. Për interesat e vendit mund të mblidhen të gjitha. Ndoshta ky koalicion siç është deklaruar edhe nga krerët e LSI u bë për interesat e kombit, për integrimin në BE.

 

Çfarë do tu thoni deputetëve të zonës apo edhe militantëve të PS në Vlorë?

Pavarësisht nga këto prononcime, nga ngarkesa psikologjike që kanë njerëz të veçantë apo të futur, unë duhet tu them atyre me shumë dashamirësi që unë do jem miku i tyre, ai Kujtimi që kam punuar 20 vjet me ta pavarësisht pozicionit politik. Do ti respektoj dhe do kërkoj të më respektojnë dhe të më mirëkuptojmë për këtë lëvizje që kam bërë.

 

 

* * *

 

PS  zgjedh delegatët për Kongresin e 5 nëntorit

Socialistët zgjodhën dje delegatët e Kongresit  që do të zhvillohet më 5 nëntor  ku do të miratohen ndryshimet në statut dhe programi i ri i Partisë Socialiste. Do të jenë këta delegatë të cilët do të zgjedhin edhe emrat e Asamblesë Kombëtare e cila do të miratojë më pas kryesinë dhe sekretariatin e partisë për katër vitet e ardhshme.  Që në orët e para të mëngjesit, anëtarët e PS iu drejtuan kutive të votimit për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në Kongres.  Të ndarë sipas degëve, anëtarët votuan në dy fleta votimi, një për kandidatët meshkuj dhe një për kandidatet femra, kjo për shkak të statutit të PS që përcakton se të paktën 30 përqind e anëtarëve duhet të jenë femra. Edhe pse votimi ishte caktuar që të mbyllej në orën 16:00, procesi u zgjat deri në orën 19:00. “Pas kërkesës së disa njësive bashkiake për shkak të fluksit të lartë të pjesëmarrjes në votim, Komisioni Zgjedhor i Tiranës udhëzoi të gjitha njësitë bashkiake që të vazhdojë procesi derisa të votojnë të gjithë anëtarët që paraqiten për të votuar”, thuhet në sqarimin e zyrës për shtyp të selisë rozë. Në orën 12. 20  të mesditës Kryetari i Komisionit Zgjedhor në PS Genc Gjonçaj, u shpreh se procesi ka qenë i qetë në të gjithë vendin dhe se mesatarja deri në mesditë ka qenë rreth 55 përqind. “Deri në orën 12 pjesëmarrja e anëtarësisë në këtë proces votimi, pra e anëtarësisë së Partisë Socialiste, është 55 perqind dhe kjo është në rang kombëtar. Anëtarësia është thirrur për t’u shprehur lidhur me delegatët e kongresit të Partisë Socialiste, një proces që deri në këto momente që flasim po ecën mirë. Ka një interes të anëtarësisë për të votuar. Ka rrethe, ka komuna, ka bashki, të cilat shkojnë edhe në 70-80 perqind të numrit të anëtarësisë. Por, përgjithësisht në një mesatare paraprake, jemi diku tek 55 perqind, një mesatare krahasuar qoftë me zgjedhjet vendore apo zgjedhjet e përgjithshme është shumë e kënaqshme, sepse tregon për një interes për t’u shprehur lidhur me ata persona që do të përfaqësojnë strukturat e partisë në Kongres”, tha Gjonçaj. Nga 1500 delegatë, sipas statutit të selisë rozë, 384 kryetarët e organizatave socialiste janë automatikisht të zgjedhur delegate. Bashkë me ta, pa votim në Kongres do të marrin pjesë si delegatë edhe 225 kryetarë socialistë të bashkive dhe komunave si dhe 64 deputetët e kësaj force në parlament. Në bazë të statutit të PS-së, pjesë automatike e Kongresit janë edhe ish-kreu i PS-së dhe njëherësh ish-kryeministri Fatos Nano, ish-presidenti socialist, Rexhep Meidani, ish-kreu i Kuvendit, që është njëherësh edhe anëtar i Asamblesë Kombëtare, Servet Pëllumbi, ish-kryeministri Ylli Bufi, e të tjerë figura të PS-së që kanë pasur funksione drejtuese. L.T

 

Votimi i Ramës

Kryesocialisti Edi Rama u paraqit në qendrën e votimit në njësinë 2 të kryeqytetit rreth orës 11:00. Pas votimit, kryetari i PS nuk preferoi që t’i përgjigjej akuzave të disa anëtarëve brenda selisë rozë për procesin e zgjedhjeve. Lideri socialist u mjaftua vetëm me një përshëndetje për anëtarët e forcës që ai drejton për pjesëmarrjen e tyre të lartë në votime. “Sot ashtu si dhe një pjesë në emigracion po votojnë për konstituimin e Kongresit të ri të PS-së. Jam shumë i kënaqur nga të dhënat që kemi deri tani për pjesëmarrjen. Ashtu si kundër jam shumë i kënaqur për konsolidimin e një tradite të promovimit të barazisë gjinore në forumet e PS“, u shpreh kreu i selisë rozë Edi Rama në një prononcim të shkurtër për gazetarët pas daljes nga qendra e votimit. Lideri i opozitës u drejtua më pas për në selinë e PS-së  ku ndoqi ecurinë e procesit të votimit të delegatëve për në Kongres.

 

Arben Malaj

Deputeti Arben Malaj nuk votoi dje për zgjedhjen e delegatëve për në Kongresin. I kontaktuar në telefon nga gazeta “Shekulli”,  deputeti i qarkut të Vlorës shprehet se ndodhet në Delvinë ku po ndjek zgjedhjet. I njohur për qëndrimin e tij kritik ndaj Ramës, deputeti i PS-së nuk pranoi të komentonte situatën e zgjedhjeve.

 

Dritëro Agolli

Patriarku i Partisë Socialiste Dritëro Agolli nuk ka mundur të votojë dje për shkak të vizitës në qytetin e Korçës ku u nderua me titullin Honoris Causa. Themeluesi i PS-së në 80 vjetorin e tij, preferoi që të jepte një mesazh për Partinë Socialiste duke deklaruar se në politikë nuk duhet të ketë armiq, por kundërshtarë politikë.

 

Zgjedhjet, Pëllumbi: U përgënjeshtruan zërat që thonë se nuk ka demokraci

I njohur si themeluesi i Partisë Socialiste, njëherësh edhe ish kryetar i Parlamentit Servet Pëllumbi iu drejtua kutive të votimit për zgjedhjen e delegatëve. Duke iu përgjigjur akuzave të disa anëtarëve të selisë rozë në drejtim të kryetarit të PS-së Edi Rama për mënyrën e drejtimit të partisë, në një prononcim për gazetën “:Shekulli”, themeluesi i PS-së, Pëllumbi  e cilësoi procesin e votimit si tregues të demokracisë së brendshme. Profesori thekson se zgjedhjet për strukturat drejtuese të selisë rozë, hedhin poshtë kritikat për mungesën e demokracisë. “E shoh si një shfaqje konkrete të demokracisë së brendshme në Partinë Socialiste dhe si një përgënjeshtrim të atyre zërave që thonë se në Partinë Socialiste nuk ka demokraci”, theksoi profesor Pëllumbi. I pyetur për risitë që do të sjellë zhvillimi i punimeve të Kongresit në 5 nëntor, themeluesi i partisë më të madhe opozitare në vend, shprehet optimist për programin që pritet të miratohet me të cilin socialistët do të shkojnë drejt zgjedhjeve të përgjithshme të 2013.  “Është herët për të parë se çfarë risish do të sjellë. Por është një hap i domosdoshëm dhe mendoj se do të miratohet një program shumë i mirë nga ai që ka qenë”, deklaroi anëtari i grupit të punës për hartimin e programit të selisë rozë i mandatar nga Asambleja Kombëtare.

 

PS,  gati ndryshimet në statut

Themeluesi i Partisë Socialiste dhe një nga katër hartuesit e programit të Partisë Socialiste Maqo Lakrori vlerësoi zgjedhjet për Kongresin e 5 nëntorit. Sipas tij, procesi shkoi sipas statutit të partisë dhe se nuk ka vend për interpretime.  I mandatar nga Asambleja Kombëtare si anëtar i grupit të punës për ndryshimin e statutit, Maqo Lakrori shprehet se aktualisht janë duke u bërë vlerësimet e fundit për të përfunduar ndryshimet e nevojshme. Sipas tij, dokumenti që do t’i paraqitet Kongresit, është në përputhje me traditën e Partisë Socialiste dhe të partive të tjera të Internacionales Socialiste.

PS votoi delegatët të cilët do të zgjidhen për në Kongresin e 5 nëntorit. Duke pasur parasysh edhe kritikat e disa anëtarëve të PS për demokracinë brenda PS, si e shikoni procesin ?

Procesi po realizohet sipas Statutit të Partisë Socialiste. Statuti është një dokument publik, i hapur për të gjithë, i lexueshëm për të gjithë, dhe procesi i sotëm po zhvillohet në zbatim të këtij statuti. Kështu që nuk ka vend për meraqe apo për interpretime të tjera.

Ju jeni mandatar nga Asambleja socialiste si anëtar i grupit të punës për ndryshimet në statut. Çfarë është bërë konkretisht?

Puna e grupit të caktuar për këtë qëllim po vazhdon normalisht. Po përgatitet materiali që do t’i paraqitet Kongresit. Është zhvilluar një punë shumë e madhe për të marrë mendime nga anëtarësia e partisë, nga drejtues të partisë socialiste në nivele të ndryshme. Është studiuar eksperienca e partive simotra në Internacionalen Socialiste dhe në Partinë Socialiste Europiane. Bazuar në gjithë këtë informacion të mbledhur, të përpunuar edhe në funksion të së ardhmes, këtu kam parasysh zgjedhjet e ardhshme parlamentare, por edhe çdo angazhim tjetër të Partisë Socialiste, po punohet që të bëhen ndryshimet e duhura. Të rikonfirmohen dhe të vlerësohen  të gjitha elementët pozitivë që i ka tashmë statuti i Partisë Socialiste dhe të bëhen të gjitha plotësimet dhe rregullimet e ndryshme që i kërkon koha dhe që pasqyrojnë të gjithë atë eksperiencë që ka ardhur te grupi punës përmes kontakteve me strukturat e partisë dhe eksperienca me Partinë Socialiste Europiane.

 

 

Rama në Twitter, mesazh për Malaj dhe Sulçen: S’dini ta përdorni lirinë

Rama ka preferuar të përgjigjet përmes Twitter për largimin e kreut të PS-së së Vlorës dhe për akuzat e deputetëve Malaj dhe Harasani

Fill pas votimit për delegatët e Kongresit, kreu i Partisë Socialiste Edi Rama ka preferuar ti përgjigjet zhvillimeve të fundit brenda partisë përmes një mesazhi në rrjetin social Twitter. Duke iu referuar largimit të kreut të PS-së së Vlorës drejt radhëve të LSI-së dhe deklaratave të djeshme të deputetit Arben Malaj mbi demokracinë brenda selisë rozë, Rama u shpreh në Twitter se për mungesën e lirisë ankohen ata që s’dinë ç’të bëjnë me të. “Teksa PS voton demokratikisht Kongresin, një fjalë për ata që thonë s’ka liri në PS: Kush s’di ç‘të bëjë me lirinë, ankohet nga mungesa e saj”, ishte mesazhi i kryesocialistit.  A.R

 

Harasani: Berisha të vërë para drejtësisë prishësit e takimit

Deputeti Andis Harasani lë të hapur mundësinë për të garuar për kreun e PS-së së Tiranës. Duke iu referuar incidentit të një dite më parë në takimin që po zhvillonte së bashku me deputetin Arben Malaj në Kombinat, Andis Harasani deklaron se do t’i kërkojë kryeministrit Berisha dhe Ministrit të Brendshëm Nishani që të vënë para drejtësisë personat që tentuan të prishin bashkëbisedimin. “Në ekranet televizive dhe të enjten në parlament do u kërkoj zyrtarisht Kryeministrit dhe Ministrit të Rendit të mbajnë përgjegjësi për prishjen e takimit të dy deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë dhe vënien para drejtësisë të atyre rrugaçëve që guxojnë të prishin takimet”, shprehet deputeti Harasani në statusin e tij në FACEBOOK. Harasani shprehet i pakënaqur për mospërfshirjen e tij në procesin e zgjedhjes së delegatëve për kongresin e 5 nëntorit

Komente

Mesa duket nuk ka ende asnje koment per kete artikull.
Shkruaje ti i pari nje koment !

Topi Presidenti te zgjidhet nga populli, do jete zgjedhja me e mire

Publikuar me : 25.05.2012 Ne kategorine : Politike - Lexuar : 64 here.
Topi  Presidenti te zgjidhet nga populli, do jete zgjedhja me e mirePresidenti Bamir Topi Zgjedhja me mirë e presidentit është vetëm nëse bëhet nga populli ka deklaruar presidenti Bamir Topi i ftuar në emisionin “Debat” në Vizion Plus, ku ka folur rreth zgjedhjes së kreut të ri të shtetit. Presidenti Topi ka komentuar garën presidenciale, në nisje të negociatave dhe ka thënë se kandidatura mund të jetë nga PD, por duhet të votohet nga PS “Presidenti mund të jetë nga PD, por nëse siguron më shumë se 71 vota, atëherë merr kuptimin...Lexo te gjithe artikullin »


» Patozi leter Rucit Te fillojme negociatat per presidentin
» Spahiu Presidentin duhet ta duan ne Shqiperi, Kosove dhe Maqedoni
» Rama Takimi Berisha-Meta per Presidentin e ri, teatral
» Kamez, 300 te rinj behen pjese e PS-se
» Jahjaga viziton studentet e plagosura
» Presidenti, Berisha takon Mediun Procesi do jete transparent
» Presidenti i ri, Berisha Do negociohet dhe me Ramen dhe Dulen
» Presidenti i ri, Berisha Do takoj dhe Ramen me Dulen
» Rama Takimi Berisha-Meta per Presidentin e ri teatral
» Rama Takimi Berisha-Meta teatral

Ndaj kete artikull me miqte e tu ne rrjetet sociale me te njohura :

Fjala jote vlen !

Stacione TV Shqip
Shiko TV Rrokum online falas! TV Rrokum
Shiko Lajme Top Channel online falas! Lajme Top Channel
Shiko KTV Live online falas! KTV Live
Shiko Lajme TVKlan online falas! Lajme TVKlan
Shiko SuperSonic Live online falas! SuperSonic Live
Shiko Ora News Live online falas! Ora News Live

Gazetat PDF
PDF Gazeta Shqip!
PDF Gazeta Koha Jone!
PDF Gazeta 55!
PDF Gazeta Tema!

Publicitet

Sherbime te tjera
Lidhu ne RSS
Sherbim per Webmasterat
Rezultate sportive Live
Termat e Perdorimit
Kontakte


Indeksi | Lajmet ne faqen tuaj | Shperndarje RSS | Reklamoni Faqen tuaj | Add to Google

VetemLajme.Com : Permbledhje e shtypit Shqiptar - Produkt i PikaWeb © 2007-2012
Kujdes : Artikujt e publikuar i perkasin autoreve perkates. Prane cdo artikulli gjendet dhe burimi origjinal. Per me teper lexoni Termat e Perdorimit