Publikuar me : 11.08.2011 Ne :
Sport - 121 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Milani është fituesi i Superkupës së Italisë për të 6-tën herë në historinë e këtij trofeu pasi mundi Interin 2-1 në Pekin. Në këtë mënyrë kuqezinjtë fitojnë dhe statusin si skuadra që e ka fituar më shumë here këtë trofe (më 1988 kur u zhvillua për herë të parë si Kupë, më pas në vitet 1992, 1993, 1994, 2004 dhe 2011). Ky sukses i parë i sezonit për kampionët e Italisë u realizua për herë të pestë jashtë territorit italian. Shnajder për një moment ngjall ëndrrat e Interit dhe të 80 milionë tifozëve kinezë të këtij ekipi, falë një supergoli në minutën e 22-të me goditje dënimi, një gol që i çoi në dhomat e zhveshjes në avantazh zikaltrit. Ndërkohë në pjesën e dytë Milani futet më bindës dhe më i fortë fizikisht duke përfituar nga një motivim më i madh e në të njëjtën kohë nga hezitimi i skuadrës së Gasperinit. Me një aksion force në minutën e 60-të Sedorf shërben mjaft mirë për Ibrahimovic i cili barazpeshon shifrat lehtësisht, ndërkohë në këto momente loja e kuqezinjve ndryshon tërësisht dhe aktivizimi i Patos sjell golin e dytë brenda 8 minutave. Një goditje fluturimthi diagonal e brazilianit devijohet nga shtylla, ndërkohë që Boateng nga shumë pranë i jep avantazhin kuqezinjve të cilët e mbajtën deri në fund. Në disavantazh Interi humbet toruan bashkë me emrat e mëdhenj që kishte fushë si Shnajder e Eto, të cilët nuk u panë më të tregonin rrezikshmëri, deri në fund. Menjëherë pas përfundimit të takimit trajneri i Milanit, Masimiliano Alegri tha: “E dinim që do të ishte e vështirë pasi bëhej fjalë për një ndeshje derbi. Nuk e filluam mirë ndeshjen dhe kjo për meritë të Interit që nuk na e dha mundësinë. Pasi pësuam golin rrezikuam me një shtyllë e më pas nuk i dhamë më mundësi kundërshtarit të na rrezikonte, deri në fund të ndeshjes. Luajtëm më mirë në pjesën e dytë dhe lojtarët i zbatuan detyrat siç ua kisha dhënë duke treguar agresivitet e shpirt gare. Kështu duhet të luajmë në çdo ndeshje,” – përfundon Alegri.
Barbara Berluskoni: Një sukses i dyfishtë
“Dua të komplimentoj skuadrën,” – thotë Barabara Berluskoni menjëherë pas ndeshjes. – “Gjithashtu dua të komplimentoj Alegrin dhe Galianin që ja dolën mbanë të merrnin objektivin e pare të këtij viti. Viti 2011 vazhdon të na dhurojë emocione të bukura e të forta, për ne milanistët kjo është një ditë feste, pasi morëm një tjetër trofe, por më tepër ky trofe merr vlerë pasi mundëm në finale Interin. Pra bëhet fjalë për një fitore të dyfishtë.
Gasperini: E kishim ndeshjen në dorën tonë
Trajneri i Interit Xhan Piero Gasperini, në konferencën për shtyp pas finales së Superkupës së Italisë ka deklaruar: “Më vjen keq pasi e kishim ndeshjen në dorë dhe meritonim ta fitonim, por vetëm nëse do të kishim mundësi të kontrollonim më mire fillimin e pjesës së dytë…” Sigurisht që humbja e ndeshjes së pare zyrtare për trajnerin e ri të Interit ka sjellë pakënaqësi. “Zhvilluam një ndeshje të mire, sidomos në pjesën e pare.” Ndërsa për të ardhmen e holandezit Uestli Shnajder ai shton: “Nuk e di, do të mendohemi javën e ardhshme dhe nëse do të duhet të ndodh një gjë e tillë do të ndodhë.”
Superkupa në shifra
5
Herë është zhvilluar jashtë territorit të Italisë Superkupa e këtij vendi. Për here të pare më 21 gusht të vitit 1993 është zhvilluar në Uashington. Milani mundi Torinon 1-0. 25 gusht 2002 është zhvilluar në Tripoli (Libi), Juventusi mundi Parëm 2-1. 3 gusht 2003 në Nju Jork, Juventusi fitoi me penallti 5-3 ndaj Milanit. 8 gusht 2009 në Pekin, Interi u mund nga Lacion 1-2.
3
Skuadrat e fundit që e kishin fituar këtë trofe ishin skuadrat që kishin fituar Kupën e Italisë. Në total janë zhvilluar 24 edicione të 18 herë e kanë fituar Superkupën skuadrat që më pare kanë fituar kampionatin dhe vetëm 6 herë skuadrat që kanë fituar kupën e Italisë kanë fituar edhe Superkupën.
10 mln
Euro, kjo është shifra që ka paguar Kina për të organizuar deri në vitin 2014-të Superkupën e Italisë. Një nga tregjet më të mëdha botërore financiare, prej vitesh është pushtuar nga klubet më të mëdha europiane. Mjafton të përmendësh se vetëm interi kishte rreth 80 milion tifozë në Kinë, ndërkohë që Milani diçka më shumë.