Shtypi shqiptar online - Lajme dhe te reja !
Takimi i pare me nje film soc-realist

Publikuar me : 17.02.2012 Ne : Kulture - 57 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Piro Milkani

Më kujtohet si sot ajo pasdite vjeshte e vitit 1967 kur dikush më pëshpëriti që të shkoja në sallën e projeksionit të filmave në sektorin e kinofikimit. Ishte një praktikë e njohur kjo. Kur në Kinostudio vinin filma për vizionim nga bota, një pjesë e regjisorëve dhe operatorëve të vjetër kishin privilegjin t’i shikonin. Natyrisht që për shfaqjen ose jo të tyre në kinema, vendoste një komision vizionimi (për të mos thënë komisioni i censurës) ku nuk bënte pjesë asnjë regjisor.

Atë pasdite patëm rastin të shikonim filmin çek “Dashuritë e një bjondeje” të regjisorit Milosh Forman. Përmes revistave “Bianco e nero” apo “Film a doba” që na vinin në Kinostudio, e dinim se në Çekosllovaki, krahas lëvizjes liberalo-politike të njohur si Pranvera e Pragës edhe kineastët çek po realizonin filma të admirueshëm. Ajo epokë krijuese u emërtua nga kritikët si “Vala e re e filmit çekosllovak”. Dhe ja ku po shikonim një film të kësaj vale, me titull të thjeshtë, me ndodhi reale e jetësore.

E kisha njohur Milosh Formanin fillimisht si skenarist nga filmi “Konet” që doli në kinema në vitin 1956. Asgjë e veçantë. Një film korrekt. Brenda kornizës së metodës zhdanoviane të realizmit socialist. Por ajo që tërhoqi vëmendjen e publikut dhe kritikës evropiane ishte “Laterna magika”. Një spektakël i veçantë ku ndërthuren filmi dhe muzika, baleti dhe efektet zanore që befasuan të gjithë ata që patën mundësinë ta shikonin në Ekspozitën Botërore të Brukselit më 1958. Ky spektakël i rrallë u vlerësua me medaljen e artë të panairit. Është e vërtetë që Formani ishte vetëm asistent, por si do ta pohojë më vonë ai vetë, regjisori gjenial i kësaj shfaqjeje, Alfred Radoku, ka qenë dhe mbetet babai shpirtëror i Formanit në ecurinë e tij artistike.

* * *

Një ditë të ftohtë të 14 shkurtit të vitit 1932, në familjen e Formanëve pati gëzim të veçantë. U lindi djali i tretë që e pagëzuan me emrin Milosh. Nuk besoj se asokohe të festohej ashtu si sot dita e Shën Valentinit por mund të them se Miloshi, i lindur për Shen Valentin i dha shumë dashuri botës së filmit.

U rrit si një fëmijë normal në një qytezë të Çekosllovakisë me emrin Çaslav. Miloshi i vogël nuk kishte si ta dinte se matanë kodrave të qytetit të tij, në Gjermaninë fqinje, një burrë me mustaqe të prera shkurt i quajtur Adolf Hitler, po pregatiste një kasaphanë të tmerrshme që do ndikonte jashtë mase edhe në rrjedhat e jetës se tij. Fill pas pushtimit të Çekosllovakisë, Gestapoja arrestoi të jatin, anëtar i një celule anti-hitleriane, dhe sikur të mos mjaftonte kjo, pas disa kohësh edhe nëna e tij arrestohet nga Gestapoja. Fëmija dhjetëvjeçar lëviz nga një shtëpi te tjetra i goditur rëndë nga mungesa e prindërve dhe në fund të luftës mëson se vërtet i kishin vdekur, njëri në burg e tjetra në kampin e përqendrimit.

 

***

I rritur konvikteve, mësoi të mbijetojë edhe në çastet e vështira të jetës. Që i vogël ëndërronte të merrej me art ndaj së bashku me një grup shokësh themelon një teatër ambulant i cili, në shkretinë artistike të viteve pesëdhjetë të mbushur me drama heronjsh që tejkalojnë planet, me ndërtime hidrocentralesh e kooperativistë të gëzuar, pritej kudo me duartrokitje të forta nga publiku.

Ndryshimet e mëdha politike që erdhën si pasojë kur një grup komunistësh liberalë me në krye Aleksandër Dubçekun pretendonin për një “socializëm me fytyrë njerëzore” ndikuan edhe në realizimin e një serie filmash me vlera. Filmat e Menzelit, Hitiloves, Jireshit apo Formanit po prezantonin me sukses arritjet e kinemasë çekosllovake në botë. Pas “Dashuritë e një bjondeje” dhe “Zjarr po bie kukulla ime”, Formanit i vijnë oferta bashkëpunimi nga kineastët francezë e italianë. Pikërisht në një moment pregatitjesh për një film të ri në Paris, Formani mëson se më 21 gusht 1968 ushtritë e Traktatit të Varshavës pushtuan Çekosllovakinë. Iluzioni për një botë më të mirë u ndërpre brutalisht nga tanket e Brezhnjevit që shpiku teorinë e “sovranitetit të kufizuar”. Qëndrimi “provizor” i ushtrive ruse për normalizimin e situatës në Çekosllovaki vazhdoi plot 22 vjet.

“Po të mos ishte instaluar komunizmi, vështirë se do të largohesha ndonjëherë nga vendi im”, pohon në kujtimet e tij Formani.

 

***

Edhe pse asnjëherë nuk hoqi dore nga ambiciet krijuese, Milosh Formanit që zgjodhi emigracionin iu desh të priste me durim për disa vite momentin e duhur. Në adresë të tij në Hotel Çelsi në Nju Jork, i vjen një libër me titull “Dikush fluturoi në folenë e qyqes”. Ishte një libër i bazuar në përvojën personale të Ken Kesit nga jeta në një spital psikiatrik. Një libër që kudo që shkonte, të producentët privatë apo kompanitë e mëdha të Hollivudit, merrte të njëjtën përgjigje: Filmat me mjedise spitalet psikiatrike nuk kanë interes për publikun. Po Formani pa në atë vepër atë që nuk e deshifronin dot të tjerët. “Njerëzit krijojnë gjithfarëlloj institucionesh në përpjekjen për ta bërë botën më të drejtë dhe më racionale”, pohon Formani në kujtimet e tij. “Bota e sotme nuk do kishte kuptim pa shkolla, jetimore, gjyqe, zyra qeveritare dhe institute për të sëmurë mendorë, dhe ndërkohë sapo lindin fillojnë e devijojnë. Për interesa të tyre ato përkrahin tek njerëzit bindjen dhe vartësinë, sepse personalitetet e fuqishme i kërcënojnë ato.”

I realizuar me një buxhet sa gjysma e honorarit të një ylli të sotëm hollivudian, filmi brenda një kohe të shkurtër inkasoi vetëm në Amerike 140 milionë dollarë dhe në gjithë botën 280 milionë. I nominuar për Oskar në nëntë kategori, filmi fitoi për skenarin dhe regjinë, aktorin protagonist Xhek Nikolson dhe aktoren protagoniste Luizë Fleçer.

Pas këtij filmi Formanit i hapen kat e kat dyert e Hollivudit. Realizon filma të mirë, filma komerciale, kudo e kërkojnë por ndërkohë humbet tharmin e artistit rebel europian që e ndjente veten më mirë në mesin e aktorëve amatorë.

Në vitin 1982 i hyn realizimit të veprës më ambicioze dhe me të suksesshme të karrierës së tij, të titulluar “Amadeus”. Njohja e Formanit me pjesën teatrale të Pitër Shaferit, bashkëpunimi me të për rikrijimin e një skenari të mirëfilltë filmik, peripecitë gjatë realizimit të filmit në Pragën e komanduar nga burokratët bolshevike dhe të survejuar nga sigurimi i shtetit, të gjitha këto janë sa një manual praktik se si mund të realizohet një kryevepër filmike për të pasionuarit e kinemasë aq sa edhe një kënaqësi letrare për ata që u intereson jeta e njerëzve të mëdhenj të shekullit të kaluar.

 

***

Në pranverën e 1985-ës “Amadeusi” u nominua për njëmbëdhjetë Oskar, ndërkohë që për çmimin e aktorit më të mirë rivalizonin Tom Hulci (Amadeusi) me F.Mërej Abraham (Salieri). “Në fund Amadeusi mori tetë Oskar, por shpërblimi më i madh i imi është, ajo që përjetoj në fund të çdo shfaqjeje, kur njerëzit në gjithë botën gozhdohen në sediljet dhe për gjashtë minuta shikojnë titujt e mbylljes dhe dëgjojnë koncertin për piano të Moxartit”, kujton pas kaq vitesh mjeshtri i filmit.

 

 

Fisnikët dhe kalecët

Milosh Forman

 

Kur xhiroj film, përpiqem të jem i verbër dhe i shurdhër ndaj gjithë thashethemeve, sharjeve dhe aferave, të cilat i ke me tepri kudo. Jo se nuk më interesojnë, kush me kë shkon, kush shan shtabin, kush u deh si kopan dhe kush thotë për mua se jam skllavopronar. Përkundrazi, kjo pëshpërimë eksituese që shoqëron ekseset e njerëzve energjikë dhe inteligjentë, të cilët përkohësisht janë larg shtëpisë në ndonjë vend ekzotik dhe sillen sipas kësaj, provokon kuriozitetin tim. Por edhe më relakson.

Paradoksalisht në Pragë, kur isha dhe nuk isha në shtëpi, përqendrimi im për punën ishte më i vështirë. Shumë gjëra këtu i kisha për zemër dhe atmosfera përreth shtabit ishte gjithë tension. Shqetësime të ndryshme filluan menjëherë kur në janar të 1982-shit erdhëm në Pragën e acartë dhe të mbuluar nga bora. Produksioni çek më gjeti një banesë private menjëherë pas shkallëve të vjetra të kështjellës. Pallatet përreth që u përkisnin fisnikëve të vjetër çekë, shteti pas ndodhive të shkurtit 1948 i kish shtetëzuar, ua kish shitur vendeve të ndryshme dhe ishin bërë ambasada të huaja. Pronares së vjetër të njërit prej tyre, fisnikes Anetka, i kish mbetur vetëm pjesa e pasme, ku dikur jetonin shërbëtorët.

Anetka u bë qiradhënësja ime. Ishte mbi tetëdhjetë vjeç dhe banonte me kunatën e saj Marienka në një varfëri zemërgrryese. Të dy damat merrnin një pension minimal dhe lëviznin nëpër shtëpi me robdëshambër të arnuar dhe tuta të shkalavarura. Ishin të lumtura që kishin një qiraxhi, dhe mua në strehën e tyre më pëlqente shumë.

Pak kohë, pasi isha strehuar aty, u ktheva në shtëpi natën vonë. Ishte natë me dritë, e akullt dhe rrugët e mbuluara nga bora reflektonin hënën e plotë. Kisha në krahë disa kuti pijesh dhe kartonë me puro që i bleva në dyqanin e valutës me ryshfet – sipas zakoneve të vendit. Hapa portën, hyra në kopsht dhe vërejta, që dikush fshihej pas shkurreve. Përmes degëve të zhveshura fare dukshëm vizatohej në murin e bardhë të shtëpisë silueta e një gruaje.

“Juve jeni zonja Velfikova?” pyeta. Një ditë më parë zonjën plakë e takova në mbrëmje, duke kërkuar macen.

“Vazhdoni, vazhdoni!” u dëgjua një zë gruaje. Atëherë vazhdova, dhe kur pastaj në këtë natë janari u futa poshtë jorganit me pupla, vrisja mendjen, vallë cili shërbim informativ do të ketë vendosur në objektin e survejimit të rreptë një grua përveç se sigurimi i shtetit. E dija, se për mua punon shoferi im Paveli. Që në fillim e kisha të qartë, po nuk ma merrte mendja, se Paveli me dëshirë do ta pohonte.

“Ju duhet t’u tregoni atyre çdo gjë që bëj, apo jo?”

E provova njëherë, kur ishim miqësuar paksa. “Po nuk është e nevojshme të më përgjigjeni, nëse nuk doni.”

“Zoti Forman, po si mendoni, se do më lejonin mua t’ju vozisja juve?”

Më vonë, kur i besonim njëri-tjetrit, vura re, se si po na ndjek një makinë.

“Ajo skoda pas nesh, ata janë, apo jo?”

“Po a shikoni gjë tjetër?” pyeti Paveli.

Vura re, se makinës së sigurimit i qepej pas një makinë tjetër.

“Bile dy makina! Kaq i rëndësishëm paskam qenë?”

“Kjo është praktikë rutinë.”

“Pse?”

“Ndiqeni se ç’do të ndodhë, kur të futëm në këtë rrugën njëdrejtimëshe.” Nga pasqyra anësore pashë, se makina tjetër në hyrje të rrugës ndaloi. Po pas pak prapë u shfaq.

“Po pse e bëjnë?”pyeta Pavelin.

“Imagjinoni, sikur të më thoshit, që në këtë njëdrejtimëshen të ndaloja, dhe pastaj të shkonit pas në drejtim të kundërt. Këtë makinën e parë e zëmë se e bllokon ndonjë makinë tjetër, ç’do të ndodhtë? Do avullonit. Kështu që makina e dytë është siguri për njëdrejtimëshet.”

“Po si merren vesh?”

“Janë të lidhur me radio.”

Gjithë kohën në Pragë jetova me ndjenjën se sigurimi ndjek çdo hap që bëj. Nuk ishin dyshime të ekzagjeruara.

“Zoti Forman, juve këtu në Pragë ju duan shumë”, më përshëndeti Anetka që ditën e parë në shtëpinë e saj. “Imagjinoni, që telefoni ynë dy vjet nuk funksiononte dhe nuk gjenim që nuk gjenim dot një teknik riparimi, po sapo dëgjuan që do banoni të në, erdhën dhe na dhanë aparat të ri fare. Ejani ta shikoni.”

Nga ky moment e dija, se me këto dy dama plaka do ta kaloja për bukuri.

Nuk ha drekë, preferoj më mirë një mëngjes të pasur. Anetka me Marienkën çdo mëngjes ngriheshin dhe më servirnin delikatesa të tilla si pulë me piperka. Pastaj gjatë ditës me kujdes shënonin gjithë mesazhet. Po të kthehesha para dhjetës, Anetka më sillte një letër, në të cilën ishin shënuar të gjitha telefonatat, ama po të kthehesha më vonë, i gjeja ato në komodinën e krevatit.

Njëherë erdha në shtëpi pas mesnatë. Kërkova letrën me shënime, po nuk ishte gjëkundi, kështu që shkova të fle. Sapo u shtriva, dikush trokiti në derë.

”Po?” i thirra.

Në derë u shfaq Anetka që kishte veshur në trup rrobe të mrekullueshme, gjithë qëndisma dhe fruta. Ishin të bardha dhe duhej të ishin rrobat e nusërisë. Në kokë kishte kaçurrela të porsadredhura dhe lëviztë si kukull porcelani.

“Ju telefonuan, zoti Forman”, më njoftoi.

“Aha. Po kush ishte?”

“Konti Shvarcenberg telefonoi nga Vjena.”

“Po çfarë tha?”

“Nuk la asnjë porosi.”

“Aha. Po mirë.”

“Natën e mirë zoti Forman”, dhe e krekosur u largua.

Më zgjati pak, deri sa i bëra të gjithë lidhjet.

Sikur Çekia të ishte akoma pjesë e mbretërisë, konti Shvarcenberg do të ishte mbreti i tyre dhe Anetka nuk mund të vinte e të më njoftonte thjesht me robdëshambrin e saj të ronitur, se mbreti kish telefonuar.

Fragment nga biografia, në proces botimi, e Milosh Formanit “Ku ta di unë?” përkthyer nga çekishtja nga Piro Milkani

Komente

Mesa duket nuk ka ende asnje koment per kete artikull.
Shkruaje ti i pari nje koment !

Homazh Pandi Zguros

Publikuar me : 25.05.2012 Ne kategorine : Kulture - Lexuar : 94 here.
Me shfaqjen e dokumentarit “Pandi Zguro, një zë i papërsëritshëm” kujtohet dhe nderohet në 1-vjetorin e vdekjes këngëtari i Ansamblit të Ushtrisë. Nesër, ora 11.00, në Qendrën Kulturore të Ushtrisë, i bëhet homazh Pandi Zguros (1944-2011), aktivitetit të tij si artist dhe ushtarak. Ministria e Mbrojtjes e dekoron nënkolonelin Pandi Zguro “Artist i Merituar” me medaljen “Për shërbime të shquara” (pas vdekjes). Marrin pjesë: Avni Mula, Milto Vaka dhe Ligor...Lexo te gjithe artikullin »


» Ah, parate, parate
» Dama Plake ne Tirane
» Finalja e Orkestres me muzike baroke
» Ne dy skenat kombetare
» Diktator jo si te tjeret
» Mbremja Gala nga Shkolla e Baletit
» Instrumenti etnik i shqiptareve
» Takim me njeriun qe di ta degjoje tjetrin
» Shkolla e restaurimit, perfundon pjesa kombetare e programit
» Qeveria i sherben Aliajt pas vdekjes

Ndaj kete artikull me miqte e tu ne rrjetet sociale me te njohura :

Fjala jote vlen !

Stacione TV Shqip
Shiko TV Rrokum online falas! TV Rrokum
Shiko Lajme Top Channel online falas! Lajme Top Channel
Shiko KTV Live online falas! KTV Live
Shiko Lajme TVKlan online falas! Lajme TVKlan
Shiko SuperSonic Live online falas! SuperSonic Live
Shiko Ora News Live online falas! Ora News Live

Gazetat PDF
PDF Gazeta Shqip!
PDF Gazeta Koha Jone!
PDF Gazeta 55!
PDF Gazeta Tema!

Publicitet

Sherbime te tjera
Lidhu ne RSS
Sherbim per Webmasterat
Rezultate sportive Live
Termat e Perdorimit
Kontakte


Indeksi | Lajmet ne faqen tuaj | Shperndarje RSS | Reklamoni Faqen tuaj | Add to Google

VetemLajme.Com : Permbledhje e shtypit Shqiptar - Produkt i PikaWeb © 2007-2012
Kujdes : Artikujt e publikuar i perkasin autoreve perkates. Prane cdo artikulli gjendet dhe burimi origjinal. Per me teper lexoni Termat e Perdorimit