Publikuar me : 11.11.2011 Ne :
Kuriozitete - 67 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Nga Fatmir Lamaj*
20 vjet më parë e djathta shqiptare erdhi në politikën e kohës si i vetmi rrezatim shprese për një popull unik në shkallën e martirizimit dhe vuajtjeve. Sot pyetet shpesh: PD-ja u krijua, apo e krijuan? Ishte forcë reale, apo mundësia e vetme për të orientuar llavën e urrejtjes së vullkanit popullor në pamundësi për ta ndalur ndryshe?
Historia dëshmoi se idealistët ishin kasta më e rrezikshme për planprishjet e regjimit, ndaj duheshin patjetër të eliminoheshin me të gjitha format e mundshme. U vunë në funksion të qëllimit falangat e spiunëve, sigurimi i shtetit, si dhe përvoja e gjatë 50-vjeçare e Partisë së Punës. Pragmatistët, pasi kaluan momentin e parë të hutimit, e gjetën shpejt rrugën e mbijetesës. Me Berishën. U përjashtuan dhe denigruan përgjatë viteve të gjitha figurat që ishin jashtë skenarit ish-komunist për një PD “të butë” dhe me orientim neokomunist. PD u mbush me dordolecë mjeranë, tërësisht të depersonalizuar dhe u kthye në një varkë pa vela me marinarë që vetëm frika nga kamxhiku i kapitenit i motivon akoma për t’u dhënë rremave në drejtim të kundërt me rrjedhën e kohës. Megjithëse të gjithë janë në gjendje ta parashikojnë fundin e turpshëm dhe tragjik, ata dëshmohen të verbër në bashkëfajësinë me kapitenin e mbërthyer në kthetrat e një obsesioni të vetëm, i cili është pushteti… Me çdo kusht e çmim.
E djathta shqiptare duhet të ringrihet nga bataku berishian duke bërë urgjentisht një ndërhyrje kirurgjikale në pjesën e saj të gangrenizuar. Ajo është e zhgënjyer e përçarë, e pamotivuar… Ajo pret një drejtues të ri e të besueshëm. Sot pjesa më e madhe e popullit shqiptar jeton e nëpërkëmbur; ballafaqohet çdo ditë me pamundësinë për të jetuar në paqe e mirëqenie; nuk ka arsim, nuk ka shëndetësi, nuk ka punë, pjesa më vitale e kombit, rinia dhe inteligjenca vijojnë të marrin ende arratinë rrugëve të botës. Pronat e rrëmbyera çdo ditë prodhojnë vdekje. Ish të burgosurit politikë janë akoma në burg. Sepse liria për ta nuk është thjesht mungesa e prangave. Ata po presin deri në vdekje, me një durim të tejskajshëm, dëmshpërblimin e merituar (jo atë të miratuar).
Për këto dhe shumë arsye të tjera, demokratët dhe socialistët, ballistët edhe zogistët, të zhgënjyer tërësisht nga deformimet e rënda dhe devijimet e qëllimshme të sistemit, presin sot të shikojnë në horizontin e zymtë të politikës shqiptare ardhjen e një fryme të re. Jo vetëm unë, por qindra miq e bashkëvuajtës flasin këto ditë për lëvizjen e re të mundshme politike të djathtë të z. Bamir Topi. Nëse z. Topi, më lejon, do të doja t’i shkruaja në këtë shënim të shkurtër në gazetën “Shekulli”, me disa fjalë të drejtpërdrejta: “Z. Topi, në një bisedë me Berishën në ato kohëra (ai kishte dashamirësinë e madhe për të na takuar në fillim të 1999), i kam thënë këto fjalë: Doktor, njeriu gjithçka mund të tradhtojë në jetë dhe nga gjithçka mund të tradhtohet, përveç origjinës nga e cila rrjedh”. Z. Topi, unë kam bindje se ju nuk mundeni t’i bëni sfidë origjinës suaj. Ndaj jeni sot njeriu më i besueshëm për të drejtuar të djathtën shqiptare, aktualisht të zhgënjyer dhe të shkatërruar. Eja. Është koha. Të gjithë po të presim!
*Ish i burgosur politik