Publikuar me : 19.12.2011 Ne :
Politike - 64 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Denis Dedej
Qeveria dhe instituti i ish-të përndjekurve kanë përgatitur një ligj të ri për të përndjekurit, i cili shtyn deri në fund të këtij viti aplikimi në Ministrinë e Drejtësisë për përfitimin e dëmshpërblimeve. Në projektligjin e siguruar nga gazeta “Shekulli”, i cili është hartuar nga Ministria e Drejtësisë në bashkëpunim me atë të Financave dhe shoqatat e të përndjekurve, i hapet rrugë shqyrtimit të 700 kërkesave të cilat janë dorëzuar pas datës 1 gusht 2009, që ishte edhe afati i fundit i vendosur në ligj. Për shkak të dorëzimit jashtë afatit, këto kërkesa nuk janë marrë parasysh nga struktura përgjegjëse, ndaj me ndryshimet e reja të ligjit për “Për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politike të regjimit komunist” të gjithë aplikimet do të shqyrtohen. Ky ndryshim është bërë për të vendosur barazinë në trajtimin e subjekteve që kanë vuajtur pasojat e regjimit komunist. Ndaj, neni 6 i projektligjit, që së shpejti pritet të miratohet nga Qeveria, parashikon që data “1.7.2009” të zëvendësohet me datën “21.12.2011”.
Ndryshimi do të krijojë mundësinë e përfitimit të dëmshpërblimit që nuk kanë pasur mundësi të depozitojnë kërkesë për përfitim apo që e kanë dorëzuar kërkesën jashtë afatit ligjor. Zgjatja e afatit të aplikimit është shoqëruar nga Ministria e Drejtësisë edhe me një rregull tranzitor, sipas të cilit kjo ministri fillon kryesisht procedimin e shqyrtimit administrativ për të gjitha kërkesat për përfitimin e dëmshpërblimit financiar që janë paraqitur pas datës së 1.7.2009, që ishte edhe afati i fundit në ligj. Në nenin 8 të projektligjit të ri parashikohet që kërkesa e dorëzuar të përmbajë specifikimet lidhur me të dhënat për dosjen dhe gjeneralitetet e ish-të dënuarit. Pas regjistrimit të dokumentacionit të kërkuar, struktura përgjegjëse në Ministrinë e Drejtësisë fillon procedurën e shqyrtimit administrativ për përfitimin e dëmshpërblimit financiar.
Krahas shqyrtimit të 700 dosjeve të dorëzuara jashtë afatit, këto ndryshime synojnë gjithashtu që të gjithë ato persona që kanë marrë përgjigje “njoftim negativ” me arsyetimin se kërkesa lidhet me një periudhë jashtë objektit dhe fushës së veprimit të ligjit, kanë të drejtë të riparaqesin kërkesën e re brenda datës 31.12.2011. Zgjatja e afatit të aplikimit për personat e parashikuar në ligj është kërkuar nga Instituti i të Përndjekurve Politikë dhe është pranuar nga Ministria e Drejtësisë. Kjo e fundit, gjatë zbatimit në praktikë të ligjit ka vërejtur disa çështje që përbëjnë një shqetësim për kategorinë e ish-të dënuarve politikë dhe që janë vlerësuar si të drejta pas një analize të kryer nga ana e tyre.
Ligji i ri, shtohen kategoritë e të dënuarve që marrin dëmshpërblim
Të gjithë ata persona që janë dënuar gjatë periudhës së komunizmit për veprën penale “Vepra terroriste” do të përfitojnë dëmshpërblim si të përndjekurit e tjerë. Ministria e Drejtësisë ka vendosur që të zgjerojë listën e kategorive të të dënuarve politik që përfitojnë nga fondet që do të shpërndahen për ish-të përndjekurit politikë. Pas konsultimeve me Institutin e të Përndjekurve Politik, kjo ministri ka rënë dakord që në projektligjin që do t’i propozohet për miratim Këshillit të Ministrave do të shtohet edhe kategoria e re përfituesve.
Në nenin tre të projektligjit thuhet që në listën e veprave penale politike të përfshihet edhe vepra penale “Veprat terroriste”, parashikuar konkretisht në nenin 65 të Kodit Penal të vitit 1952 dhe neni 50 i Kodit Penal të vitit 1977. Në vitin 1952 për këtë vepër penale parashikohet se “veprat terroriste kundër përfaqësuesve të pushtetit popullor ose aktivistëve të organizatave shoqërore ose kundër personave të tjerë për shkak të veprimtarisë së tyre shtetërore ose shoqërore, dënohen me burgim jo më pak se dhjetë vjet ose me vdekje dhe kurdoherë me konfiskim të pasurisë”. Ndërsa në Kodin Penal të vitit 1997, për këtë çështje parashikohet si “Vepra terroriste kundër përfaqësuesve të shtetit dhe të Partisë së Punës të Shqipërisë ose kundër personave të tjerë për shkak të veprimtarisë së tyre shtetërore ose shoqërore dënohet me heqje të lirisë jo më pak se dhjetë vjet ose me vdekje. Po këto vepra penale, të kryerja kundër përfaqësuesve të shteteve të huaja, dënohen me heqje të lirisë jo më pak se dhjetë vjet ose me vdekje.”
Nga analiza që Ministria e Drejtësisë i ka bërë këtyre elementëve të veprave penale, rezulton sipas tyre se ato janë vepra penale me natyrë politike dhe për pasojë duhen përfshirë në kategorinë e përcaktuar për personat që janë dënuar gjatë regjimit komunikimit për arsye politike. Ky ndryshim që do t’i bëhet ligjit aktual është shoqëruar edhe me një rregull me natyrë tranzitore, në të cilën specifikohet se kërkuesit që kanë paraqitur kërkesë për përfitimin e dëmshpërblimit financiar në Ministrinë e Drejtësisë dhe janë njoftuar me “njoftim” negativ me arsyetimin se “Vepra terroriste” nuk përfshihen në listën e veprave penale politike, kanë të drejtë të riparaqesin kërkesë të re për të konfirmuar vullnetin e tyre brenda datës 31.12.2011. Gjithashtu, është parashikuar që kërkuesit për të cilët ka përfunduar shqyrtimi administrativ i kërkesë dhe me vendim të Këshillit të Ministrave kanë përfituar dëmshpërblim financiar të pjesshëm, me arsyetimin se vepra penale “Vepra terroriste” për të cilën kanë vuajtur dënimin e padrejtë nuk kanë qenë të listuar në ligj, kanë të drejtë të riparaqesin kërkesë të re për të përfituar pjesën takuese që zë dënimi politik për këtë vepër penale. Kërkesat do të duhet të përmbajnë edhe specifikimin e të dhënave për dosjen dhe gjeneralitet e të dënuarit. Ligji për të përndjekurit politikë i është nënshtruar shumë ndryshimeve gjatë viteve të fundit. Që prej vitit 1991, ligji për të përndjekurit është ndryshuar të paktën 20 herë duke shtuar apo hequr nene të caktuara.
Personat mbi 85-vjeç, dëmshpërblim me një këst të vetëm
Të përndjekurit politik që janë mbi moshën 85-vjeçare do të përfitojnë pagesën e plotë të dëmshpërblimit me një këst të vetëm. Ministria e Drejtësisë në bashkëpunim me Ministrinë e Financave kanë rënë dakord që për rreth 400 individë të ketë një privilegj në përfitimin e dëmshpërblimeve nga fondet e buxhetit të shtetit. Në projektligj parashikohet që sipas buxhetit të vënë në dispozicion të shpërndahet pjesa e mbetur e vlerës së plotë të dëmshpërblimit, për ish-të dënuarit politik, të mbetur gjallë, me moshë mbi 85-vjeç, të cilët kanë përfituar një pjesë të dëmshpërblimit. Për të realizuar këtë pagesë do të ngarkohet Ministria e Financave, e cila do të marrë masat për të parashikuar në buxhetin e shtetit për vitin 2012 vlerën financiare të përllogaritur për dëmshpërblimin në vlerë të plotë, të të gjithë ish të dënuarve politikë me moshë mbi 85-vjeçare. Në bazë të këtyre ndryshimeve, kjo kategori do të trajtohet me përparësi krahasuar me kategorinë tjetër të ish të dënuarve politik, duke e përfituar shpërndarjen e dëmshpërblimit në vlerë të plotë, në një këst të vetëm. Me vendimin e qeverisë të datës 14 prill 2011 “Për miratimin e afateve dhe të skemës së shpërndarjes së fondeve të dëmshpërblimit për ish-të dënuarit politikë të regjimit komunist”, ndër ndryshimet më të fundit, u vendos miratimi i afateve dhe skemës së shpërndarjes së dëmshpërblimit për ish-të dënuarit politikë të regjimit komunist sipas planifikimit vjetor buxhetor dhe parimit të proporcionalitetit. Dëmshpërblimi shpërndahet në tetë këste të barabarta. Kjo është një pikë që pritet të ndryshohet ekskluzivisht për ata që janë në moshë të madhe dhe parashikohet t’i marrin paratë në një këst të vetëm.
Skema
Sipas vendimit të miratuar në muajin prill të këtij viti nga Këshillit i Ministrave, skema e shpërndarjes është me zgjatje të pacaktuar kohore dhe dhënia e këstit të dytë nis pas përfundimit të miratimit të plotë të dëmshpërblimit për të gjithë ish-të dënuarit politikë. Kësti i tretë nis një muaj pas mbarimit të dhënies së këstit të dytë e kështu me radhë për tetë këstet.
Përparësitë
Me ndryshimet e reja, përparësi do të kenë rreth 400 të përndjekur që janë në një moshë më të madhe se 85 vjeç. Përparësi do të kenë edhe të dënuarit politikë të mbetur gjallë me moshë mbi 65 vjeç, të dënuarit politikë dhe familjarët e viktimave të ekzekutuara apo të pushkatuara padrejtësisht me ose pa gjyq për motive politike që vuajnë sëmundje të rënda.
Dëmshpërblim përfitojnë edhe të birësuarit
Fëmijët të cilët janë dhënë për birësim nga të përndjekurit politik do të jenë përfitues të dëmshpërblimit. Në projektligjin që do t’i dërgohet për miratim qeverisë është parashikuar që në nenin e ligjit aktual ku flitet për përfituesit e pagesave që do të kryhen nga buxheti i shtetit do të përfitojnë edhe fëmijët e birësuar në rast se familjari i përndjekur ka vdekur. “Në kategorinë e pasardhësve të ish të dënuarit politik përfshihen edhe fëmijët e tij, që janë dhënë në birësim, para, gjatë dhe pas periudhës së vuajtjes së dënimit të padrejtë, në rastet kur provojnë dhënien në birësim nga ish i dënuari politik”, – thuhet në projektligj. Ky ndryshim vjen për faktin se gjatë analizës së situatës të kryer nga Ministria e Drejtësisë por edhe nga Instituti i të Përndjekurve Politikë, rezulton që ish të dënuarit politik për shkak të dënimit ishin të dertuar që fëmijët t’i jepnin në birësim tek të afërmit e tyre, me qëllim që të shmangeshin pasoja më të rënda për fëmijët (Siç mund të ishte dërgimi i tyre në një jetimore). Për të qenë përfitues të këtij ndryshimi, fëmija i birësuar duhet të provojë me dokumente zyrtare të kohës faktin e dhënies në birësim të tij, nga ana e ish të dënuarit politik.
Të përndjekurit, ndryshojnë datat e vendimeve politike
Ministria e Drejtësie ndryshon periudhën kohore në të cilën personat e dënuar gjatë regjimit komunist mund të përfitojnë dëmshpërblim. Aktualisht përcaktimi i përfituesve të cilët kanë vuajtur persekutimin e drejtpërdrejtë në regjimin komunist si pasojë e një apo disa vendimeve penale të formës së prerë të gjykatave të zakonshme, gjykatave speciale apo të urdhrave të organeve të hetuesisë, gjatë periudhës 30.11.1944 deri më 1.10.1991. Data e fillimit të periudhës do të ndryshojë në 28.11.1944. Ministria argumenton se ndryshimi i kësaj do të bëjë të mundur marrjen në shqyrtim të disa kërkesave të paraqitura pranë Ministrisë së Mjedisit dhe që aktualisht janë trajtuar me “njoftim negativ” nga struktura përgjegjëse. Çdokush që përfshihet në këto ndryshime do të duhet që të paraqesë kërkesë për përfitim të dëmshpërblimit financiar. Kërkesa duhet të paraqitet sërish edhe nga ato persona të cilët iu është refuzuar dëmshpërblimi me arsyetimin se kërkesa lidhet me një periudhë jashtë objektit të fushës së veprimit.