Shtypi shqiptar online - Lajme dhe te reja !
Te rinjte e arteve ne kerkim te punes

Publikuar me : 09.01.2012 Ne : Kulture - 84 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Jorida Pasku

Projekti “Rritja e aftësive sipërmarrëse të artistëve të rinj në kushtet e një ekonomie tregu”, organizuar nga shoqata “Miqtë e muzikës”, që mori jetë më 14 shtator 2011, u finalizua në funddhjetori në Galerinë “Zeta”, në një mbrëmje të veçantë, ku ndër të tjera, u evidentuan 4 projekt-idetë më të mira dhe u shpërndanë certifikatat e pjesëmarrjes. Ai u mbështet te organizimi i një cikli seminaresh dhe kursesh teoriko-praktike (trajnim) që synuan të orientonin të rinjtë në tregun e punës. U morën leksione për një mentalitet të ri të lidhur me botën e marketingut, për të parë problematikat e mbështetjes së projekteve artistike e kulturore, për mënyrën sesi duhet të aplikojnë për të thithur fonde, sesi të bindin partnerët për t’i mbështetur, për studimin e tregut, modelet më të sukseshme që operojnë, për të arritur deri te krijimi i idesë për ngritjen e një biznesi të fushës së artit.

Kjo nismë u mbështet nga fondacioni ABC (Albanian Besa Capital) dhe shkolla e mesme kombëtare “Jordan Misja”. U ftuan të aplikojnë të rinj që kanë kryer studimet në fakultetet e Muzikës, Artit Skenik, Arteve Pamore të Universitetit të Arteve Tiranë, që në këtë kohë janë të papunë, pa u përjashtuar edhe diplomantët. Përveç kryeqytetit erdhën aplikime edhe nga Shkodra, Fieri, Korça, Gjirokastra, Skrapari deri edhe nga Prishtina. Nga prurjet u përzgjodhën 36 vetë, të cilët u trajnuan nga lektorë ekspertë në fushat respektive. Projekti u drejtua nga Pjetër Guralumi që ishte edhe ideatori i kësaj nisme, ndërsa Gerond Kamberi, ekspert me përvojë në programe kulturore, mbajti leksione kryesisht për temat: “Marketingu në fushën e artit”; “Figurat e reja profesionale të marra nga bota e biznesit dhe të futura në strukturat artistike, si: Project Manager, Product Manager, Public Relation Manager”; “Sponsorizimi”, “Formularët e fondacioneve vendase apo të huaja”. Në grupin e punës ishte edhe Albana Hana, eksperte në Programet Komunitare të BE-së, e cila u mor në mënyrë të veçantë me Programin IPA (The Instrument for Pre-Accession Assistance) dhe më specifikisht me Programin IPA Ndërkufitare; Valentina Koça nga Galeri ‘Zeta’ (një model i sukseshëm i biznesit në fushën e artit), Elona Myftari e Belinda Taçe eksperte kredie. Koordinimi institucional: Etleva Kolnikaj dhe Ejiris Shoshi. Në fund të trajnimit u veçuan edhe projektet më të mira. Pjetër Guralumi, violonçelist, profesor i asociuar pranë Universitetit të Arteve, jep detaje të zhvillimit të projektit.

 

Z.Guralumi, si lindi ideja për krijimin e një trajnimi që synon të orientojë të rinjtë në tregun e punës? 

Më lejoni të hap një parantezë: shoqata “Miqtë e Muzikës” është interesuar prej gati 10 vitesh për fushën e menaxhimit artistik. Nga eksperienca më se 20-vjeçare në arsimin e lartë, mendoj që punësimi i të rinjve është i lidhur ngushtë me vazhdimësinë e vetë sistemit tonë arsimor artistik. Nëse do të arrinim të kishim një cikël të mbyllur të jetës së artistëve nga auditoret e deri në jetën e gjallë artistike, atëherë edhe profesioni i artistit do të kishte më tepër sens në këtë situatë të egër të ekonomisë dhe tregut shqiptar. Për rastin në fjalë, ne paraqitëm një projekt pranë Fondacionit ABC që në vitin 2010, pasi pamë që ata interesoheshin për punësimin rinor. Në këtë kohë projekt-idea jonë nuk kaloi, por pas gati një viti pamë që po fondacioni ABC kishte vendosur në prioritetet e veta dhe sipërmarrjen rinore në fushën e Artit. Për konceptin e shoqatës sonë, duket qartë pamundësia reale e institucioneve për “të thithur” të rinj që diplomohen apo edhe e vetë tregut shqiptar të artit për t’i futur në një sistem qarkullimi vlerash. Institucionet nuk kanë kapacitetet e freskimit të organikës me të rinj çdo vit, pasi dhe vetë ato as nuk mund t’i nxjerrin të gjithë në pension brenda një dite, sikurse nuk kanë dhënë prova të strategjive progresive të punësimit të artistëve me kontrata me kohë të përcaktuar. Sidoqoftë, institucionet dhe jeta e tyre artistike, nuk janë zgjidhja për më të rinjtë.

 

Çfarë do të parashtronit si zgjidhje?

Për mendimin tim, zgjidhja duhet parë në instrumentat e tjerë të mbështetjes së artit, qofshin këto të mbështetjes private, përmes ndryshimit të Ligjit mbi Sponsorizimin, ashtu edhe përmes ndryshimit të mentalitetit të artistëve të rinj lidhur me sipërmarrjen private dhe futjen e tyre në xhiron e produkteve të tyre specifike në një ekonomi tregu. Ajo që bie në sy në Ligjin e Sponsorizimit, është se ekuacioni i ndërtuar në lidhje me lehtësirat tatimore nuk i bën aspak të interesuara bizneset që të kontribuojnë për artin shqiptar. Ka ardhur koha që në tre tavolina të pushtetit të futet për diskutim dhe përmirësim ky ligj. Ministria e Kulturës për ta propozuar, Ministria e Financave për të gjetur modalitetet e nevojshme dhe Kuvendi i Shqipërisë për ta aprovuar.

Një pikë e fortë e trajnimit  me të rinjtë që ju drejtuat është ndryshimi i mentalitetit në lidhje me sipërmarrjen private. Si mendoni, a janë ata që dorëzohen ende pa e nisur jetën profesionale apo është ambienti që shtyn drejt pesimizmit?

Do të thoja se të rinjtë janë shpesh të paorientuar. Mendojnë paraprakisht vetëm për përgatitjen profesionale (dhe bëjnë mirë) duke pritur që ditën e parë pas diplomimit, dikush do t’i thërrasë. Realisht nuk ndodh kështu. Do të ishte e udhës që të fillonin sa më parë të ndërtonin profilin e aktivitetit të tyre të ardhshëm ose përmes organizatave jofitimprurëse ose përmes strukturave të biznesit të vogël të fushës së tyre respektive.

 

A ka në Universitetin e Arteve një lëndë të menaxhimit të artit?

Jo. Për disa vite me radhë, pas ‘90-s u hap një kurs studimi për menaxhimin artistik, i cili në një moment u mbyll. Nuk i kam të qarta arsyet se përse u mbyll. Parë nga zhvillimet që ka sjellë procesi i Bolonjës, nuk do të ishte çudi që të strukturoheshin studime të mirëfillta në fushën e menaxhimit të artit, ndoshta edhe në nivelin master të studimeve. Me menaxhim nuk do të nënkuptojmë vetëm menaxhimin e artistëve apo institucioneve artistike. Vendi ynë ka nevojë edhe për njerëz që të merren me politikat kulturore si në nivel të pushtetit vendor, ashtu dhe në atë qendror, me bibliotekat e specializuara artistike, me zyrat kulturore të përfaqësitë diplomatike. Pa folur këtu për ndonjë figurë profesionale ndërdisiplinore si në fushën juridike, e cila do të lidhej më së miri me problematikat e Të Drejtës së Autorit dhe të legjislacionit mbi punësimin apo kontratat e artistëve.

 

Një pengesë për gjetjen e punës është edhe mungesa e menaxherëve të artit…

Ajo që dihet dhe ndihet realisht është mungesa e menaxherëve të artit, të atyre që do të zbërthenin nevojat dhe kërkesat e kategorive të ndryshme të publikut shqiptar, si në qendër, ashtu edhe në periferi, mungesa e agjencive të përfaqësimit të artistëve të rinj apo dhe mbështetja shumë e kufizuar e artit në përgjithësi.

Nga kjo pikë vështrimi, nxitja dhe rritja e aftësive sipërmarrëse të të rinjve në kushtet e ekonomisë së tregut, do të ishte një zgjidhje, megjithëse jo e thjeshtë, për të krijuar tiparet e një cikli të mbyllur të produktit artistik dhe të vetë punësimit të artistëve në Shqipëri.

 

Cilat ishin alternativat që ju prezantuan të rinjve për t’u integruar në treg?

Siç e thamë dhe më lart, dy janë opsionet kryesore: i pari ka të bëjë me fushën e organizatave jofitimprurëse dhe i dyti me sipërmarrjen e mirëfilltë private. Të dyja këto mundësi kërkojnë një pozicionim të qartë të të rinjve nga ana juridike, si për formulën e OJF-ve, ashtu edhe për biznesin e vogël në fushën e artit, gjë që u bë e qartë për të gjithë pjesëmarrësit.

 

Praktikisht, çfarë mësuan të pranishmit në lidhje me thithjen e fondeve për të vënë në jetë projektet artistike?

Përveç sqarimit të kontekstit me të cilin operojnë fondacionet e ndryshme apo dhe bizneset e koorporatat, një aspekt i rëndësishëm i trajnimit ishte puna me formularët e aplikimit nëpër ato fondacione që mbështesin artet apo dhe sipërmarrjen e të rinjve në fushën e arteve. Ky element i projektit ishte dhe një konkretizim praktik i të gjitha dijeve të marra në leksionet teorike të zhvilluara nga z. Kamberi. Duke pasur nga njëra anë futjen e konceptit të marketingut në fushën e artit, u fol dhe për nevojën për të konceptuar zhvillimin e aktiviteteve kulturore e artistike në një ulje progresive të mbështetjes shtetërore në këtë fushë, si dhe për ngritjen e peshës specifike të prezencës së biznesit në partnership me organizatat dhe aktivitetet kulturore. Një temë mbi zhvillimet bashkëkohore ishte ajo e ‘Programeve të Bashkëpunimit Komunitar’, në mënyrë të veçantë Programi IPA dhe Bashkëpunimi Ndërkufitar lidhur me afatin më të afërt për aplikime, ai i shkurtit 2012.

 

Me çfarë rezultatesh u finalizua trajnimi?

Së pari, puna në grup e artistëve të rinj dhe krijimi i 3 grupeve simbolikisht të quajtur Moxart për muzikën, Rembrand për artet pamore dhe Shekspir për artin skenik. Më tej projekti u finalizua me evidentimin e katër projekt-ideve më të arrira. Këto ide u përzgjodhën pas një procedure analizash të bazuara në metodën SWOT (Strength, Weakness, Opportunity, Threats). Në gjuhën e menaxhimit këto katër elemente përcaktojnë suksesin apo dështimin e një produkti të ri. Së treti, u arrit krijimi i një rrjeti të titulluar Artbussines me të gjithë pjesëmarrësit e trajnimit. Përveç certifikatave, pjesëmarrësit u ndjenë më të motivuar. U krijua faqja e internetit AlbanianArtists.org ku secili prej pjesëmarrësve do të ketë falas për një vit informacionin personal artistik, blogun e rrjetit, informacione të detajuara mbi themelimin dhe ngritjen e një OJF-je apo biznesi të vogël në art, legjislacion, donatorë potenciale, lidhje me faqe të rëndësishme që lidhen me artin, kulturën dhe financimin e aktiviteteve kulturore.

 

Ç’rrugë do ndjekin tani projektet fituese?

Për projektet e përzgjedhura si më të mirat, shoqata “Miqtë e Muzikës” si dhe ekspertët lektorë do të ofrojnë asistencën dhe konsulencën e plotë për të nisur itinerarin e tyre që nga formati juridik deri në prezantimin e projekt-idesë së tyre në formularë sipas specifikave të institucionit, fondacionit, bankës ku do të paraqiten për financim.

 

Ju vetë nga e keni marrë përvojën në lidhje me menaxhimin e artit?

Personalisht kam ndjekur disa kurse trajnimi me ekspertë ndërkombëtarë, si mbi menaxhimin artistik ashtu dhe rreth programit IPA. Puna e përditshme ka qenë një shkollë e çmuar. Gjëja më e rëndësishme që mund t’i sugjeroja dikujt që do të donte t’i hynte fushës së menaxhimit do të ishte: Mësoni për të mos gabuar! Nuk ka kohë për të mësuar nga pësimi… dikush tjetër nuk do humbte kohën…

 

 Projektet fituese

“Albanian Young Artist Management Agency”, projekt i prezantuar nga regjisorja Alma Hoti Memo e cila me grupin e saj të artit skenik prezantoi një projekt-ide për krijimin e një angjencie të menaxhimit artistik për të rinjtë.

“Made in Albania” fashion design atelier, projekt i Bukuroshe Sinanajt, i cili mëton të fusë frymën bashkëkohore në veshjet tradicionale;

“Cikël mbremjesh spektakël” me muzikë të filmave të njohur dhe interpretimet e integruara në ansamble të muzikës së dhomës, skenografi dhe spektakël. Projekt i Najada Mejdanit.

“Ekspozita ‘Artistët në Rezidencë’ ku mendohet të shfrytëzohen hapësira të braktisura të ndërtesave të para viteve ‘90. Projekt i Bruna Mumajezit e Xhesika Selfos

 

 

 




Komente

Mesa duket nuk ka ende asnje koment per kete artikull.
Shkruaje ti i pari nje koment !

Homazh Pandi Zguros

Publikuar me : 25.05.2012 Ne kategorine : Kulture - Lexuar : 94 here.
Me shfaqjen e dokumentarit “Pandi Zguro, një zë i papërsëritshëm” kujtohet dhe nderohet në 1-vjetorin e vdekjes këngëtari i Ansamblit të Ushtrisë. Nesër, ora 11.00, në Qendrën Kulturore të Ushtrisë, i bëhet homazh Pandi Zguros (1944-2011), aktivitetit të tij si artist dhe ushtarak. Ministria e Mbrojtjes e dekoron nënkolonelin Pandi Zguro “Artist i Merituar” me medaljen “Për shërbime të shquara” (pas vdekjes). Marrin pjesë: Avni Mula, Milto Vaka dhe Ligor...Lexo te gjithe artikullin »


» Ah, parate, parate
» Dama Plake ne Tirane
» Finalja e Orkestres me muzike baroke
» Ne dy skenat kombetare
» Diktator jo si te tjeret
» Mbremja Gala nga Shkolla e Baletit
» Instrumenti etnik i shqiptareve
» Takim me njeriun qe di ta degjoje tjetrin
» Shkolla e restaurimit, perfundon pjesa kombetare e programit
» Qeveria i sherben Aliajt pas vdekjes

Ndaj kete artikull me miqte e tu ne rrjetet sociale me te njohura :

Fjala jote vlen !

Stacione TV Shqip
Shiko TV Rrokum online falas! TV Rrokum
Shiko Lajme Top Channel online falas! Lajme Top Channel
Shiko KTV Live online falas! KTV Live
Shiko Lajme TVKlan online falas! Lajme TVKlan
Shiko SuperSonic Live online falas! SuperSonic Live
Shiko Ora News Live online falas! Ora News Live

Gazetat PDF
PDF Gazeta Shqip!
PDF Gazeta Koha Jone!
PDF Gazeta 55!
PDF Gazeta Tema!

Publicitet

Sherbime te tjera
Lidhu ne RSS
Sherbim per Webmasterat
Rezultate sportive Live
Termat e Perdorimit
Kontakte


Indeksi | Lajmet ne faqen tuaj | Shperndarje RSS | Reklamoni Faqen tuaj | Add to Google

VetemLajme.Com : Permbledhje e shtypit Shqiptar - Produkt i PikaWeb © 2007-2012
Kujdes : Artikujt e publikuar i perkasin autoreve perkates. Prane cdo artikulli gjendet dhe burimi origjinal. Per me teper lexoni Termat e Perdorimit