Publikuar me : 22.09.2011 Ne :
Ekonomi dhe Biznes - 69 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Emirjon Senja
Sjellja e ekzekutivit me borxhin e brendshëm mund të përkufizohet shumë mirë me proverbin e njohur “ha e plas, rri e vdis”. Përgjatë tetë muajve të parë të vitit, qeveria ka realizuar të gjithë planin për marrjen e borxhit nga ana e bankave dhe individëve në vend duke shpenzuar të gjitha paratë që ishin parashikuar të mjaftonin deri në fund të vitit.
Më konkretisht, në buxhetin e rishikuar të vitit 2011 qeveria kishte parashikuar të merrte borxh në tregun vendas përgjatë gjithë vitit rreth 29.4 miliardë lekë, ndërkohë që kjo shumë është marrë deri në fund të muajit gusht, madje është tejkaluar plani edhe me 150 milionë lekë duke lenë si mundësi të vetme të financimit të deficitit nëpërmjet të ardhurave të tjera.
Deficiti buxhetor i këtij viti është rreth 46 miliardë lekë nga të cilat 30 miliardë qeveria ka programuar t’i gjejë nga burimet e brendshme ndërsa pjesën tjetër në tregun jashtë. Të dhënat tregojnë se ekzekutivi është treguar disi më e përmbajtur në marrjen e borxhit në tregun jashtëm, të cilit me shumë mundësi do t’i drejtohet më shpesh gjatë muajve deri në fund të vitit 2011. Ministria e Financave ka programuar një borxh të jashtëm prej 16.7 miliardë lekë, nga i cili deri në fund të gushtit ka marrë vetëm 6 miliardë lekë, dhe pjesën tjetër pritet ta marrë gjatë muajve në vijim.
Në kushtet kur tregu i jashtëm paraqet një kosto më të lartë të shërbimit të borxhit, ekspertët e vlerësojnë pozitivisht këtë veprim, megjithatë rëndimi i bankave vendase me borxh të qeverisë sipas tyre ndikon në ngushtimin e hapësirave në kreditimin e biznesit dhe individëve.
Megjithatë, Shqipëria do të jetë më e prirur për të marrë borxh jashtë tashmë, gjë e cila do të ketë kosto më të lartë. Një gjë të tillë e parashikon edhe vetë Ministria e Financave. “Përsa i përket normave të interesit në tregjet ndërkombëtare (Libor, Euribor), gjatë kësaj periudhe të vitit 2011 është vënë re gjithashtu tendenca në rritje e tyre, gjë që do të japë ndikimin e vet në shërbimin e borxhit të jashtëm”, -shpjegon Ministria e Financave në raportin gjashtë mujor për Borxhin Publik.
deri në fund të qershorit, Shqipëria arriti në një nivel borxhi publik prej 751.5 miliardë lekë me një rritje prej 36 miliardë lekësh vetëm përgjatë periudhës janar-qershor 2011.
Një rritje e tillë e borxhit pasqyrohet edhe në treguesit e kostos së borxhit. Në buxhetin e vitit 2011, qeveria ka parashikuar të paguajë përgjatë 12 muajve plot 46.8 miliardë lekë vetëm interesa për borxhet e marra ndër vite. Kjo shumë është thuajse e barabartë me buxhetin vjetor të Ministrisë së Transporteve, e cila bashkë me Ministrinë e Çështjeve Sociale përbëjnë mbajnë peshën më të madhe të shpenzimeve buxhetore.
Pjesa më e madhe e interesave të parashikuara për vitin 2011 duhet të shlyhen përgjatë katër muajve të fundit të vitit duke renduar edhe më tepër financat a vendit. Kështu përshembull, deri në fund të gushtit, pra për tetë muaj, Shqipëria ka paguar 55 perqind të interesave të borxhit, kurse pjesa tjetër, duhet të paguhet për afat kohor prej katër muajsh.