Shtypi shqiptar online - Lajme dhe te reja !
Telefonata e pergjuar e Ilir Metes ne Rome

Publikuar me : 21.10.2011 Ne : Politike - 38 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

ROMË – “Përshëndetje President, Berluskoni nuk është. Është nisur për në Rusi, më ka lënë përshëndetje të mëdha për ju. Pastaj me atë kombinojmë një takim. Ne, ndërkohë, do të shihemi nesër në mbledhjen që do të zhvillohet në Farnesina. Në 11:00…”.

Është mbrëmje e 20 tetorit të vitit 2009 kur Valter Lavitola flet me Ilir Metën, zëvendëskryeministër i Shqipërisë që sapo kishte ardhur në Itali. Lavitola nuk e merrte me mend se Prokuroria e Peskarës kishte vendosur telefonin e tij nën përgjim dhe që po dëgjonte gjithçka. Më 20 tetor, Meta e merr në telefon për ta lajmëruar që mbërriti në Romë. Në të njëjtën mbrëmje Lavitola i telefonon mikut dhe ortakut të tij në biznese, Rikardo, për t’i thënë që të gjendet në Farnesina “rreth orës 12:00…”.

***

Pra, ai ka llogaritur që rreth 1 orë të jetë brenda me Metën dhe më pas të takohet për t’i thënë rezultatet e bisedës, mikut të tij biznesmen. Se çfarë ndodhi brenda është pak a shumë e ditur: nga përgjimi i telefonit të kryesekretares së Fratinit u mësua se Fratini e kishte porositur kryesekretaren të udhëzonte Lavitolën se në cilin pozicion të vendosej brenda zyrave që takimi me Metën të dukej spontan. Por në këtë pikë Lavitola nxjerr veten dhe Metën zbuluar duke thënë: “Dëgjo Nadia se unë me të njihem prej 10 vjetësh, ndaj më fut drejtpërdrejt në zyrën e Fratinit dhe jo në paradhomë…”. Dhe për t’i bërë të qartë që e njihte mirë, i jep dhe një informacion konfidencial, që dëshmon se Lavitola e njeh situatën politike të Metës mjaft qartë: “Ai ka 4 deputetë dhe mban në këmbë qeverinë Berisha, ka ndërmend të blejë edhe 9 të tjerë…”

Sekretarja këmbëngul se shefi (Fratini) i ka thënë ashtu dhe ashtu duhej të bëhej takimi. Pas kësaj, Lavitola është marrë vetë me Metën. Ai ka hyrë në kontakt me të dhe mbrëmjen e mbërritjes së Metës në Romë (shoqërohej nga shefi i kabinetit Sokol Devishi) Lavitola dhe Meta kanë folur në telefon dhe e kanë lënë të shihen në Farnesina (ministria e Jashtme italiane) të nesërmen në 11.

Fotoja që nxori në shesh gënjeshtrën e Fratinit (sepse ky deklaroi pas daljes së përgjimeve që takimi Meta-Lavitola-Fratini nuk u bë) shihet se Meta Lavitola dhe Fratini janë takuar rreth asaj ore brenda në Farnesina. Bisedën që donte të bënte me Metën, ai nuk e ka konsumuar gjatë atij takimi, dhe kjo provohet nga telefonatat e tij të asaj dite.

Para se të hynte në ministri, ai i thotë ortakut të tij që të jetë aty rrotull ministrisë në orën 12. Por pasi del nga takimi me Metën dhe Fratinin, Lavitola i telefonon Rikardos për t’i thënë: “Mos hajde. Kemi vendosur që të flasim gjatës darkës. Do të prenotoj unë dhe shihemi në 8 e gjysmë të mbrëmjes…” Pas mbylljes së telefonatës me ortakun e tij telefonon sekretarinë për t’i thënë: “Sonte në darke do të jem me zëvendëskryeministrin shqiptar për darkë, do të vijë edhe Rikardo, prenoto në restorantin Baglioni…”

***

Pra, si Fratini si Meta kanë dalë zbuluar nga telefonatat e përgjuara të mikut të tyre. Fratini është përpjekur t’i lajë duart me dy deklarata që përgënjeshtruan njëra-tjetrën. Ditën e parë të skandalit ai tha se takimi Lavitola-Meta-Fratini nuk u bë pavarësisht bisedave të Lavitolas me kryesekretaren e tij. Pasi televizioni shqiptar “TCH” nxori foton dhe filmimin që provonte takimin Lavitola-Meta-Fratini, ky i fundit doli me tjetër deklaratë të sikletosur ku thoshte se “nuk e dinte me se merrej Lavitola në atë kohë dhe ai e njeh Ilir Metën para se ta njoh unë”.

Kurse Meta ka rënë në grackën e gazetës italiane “La Republica”. Pa qenë në dijeni që ata kishin përgjimin e bisedës mes tij dhe Lavitolas, ai mohon ta ketë njohur sekserin që aktualisht është në kërkim nga prokuroria italiane. Më pas ka thënë që “edhe mund ta kem takuar”, e më pas ka deklaruar për gazetarin italian se “nuk mund të mbaj mend gjithë ata që takon”.

Por përgjimet e Lavitolas provojnë se Meta ka folur me Lavitolan sapo ka mbërritur në aeroport, e ka takuar të nesërmen në Farnesina dhe madje ka darkuar me të dhe ortakun e tij në darkën e së njëjtës ditë.

***

Më poshtë, telefonata Meta-Lavitola sapo Meta dhe delegacioni shqiptar ka mbërritur në aeroportin italian. Është Meta që telefonon. Më pas, ia kalon telefonin shefit të kabinetit, Sokol Dervishi, për të koordinuar oraret e takimit. Lavitola kërkon të darkojnë që mbrëmjen e mbërritjes. Dervishi i thotë që do ishte më mirë të takoheshin të nesërmen pas takimit të orës 11 në Farnesina… Telefonata e lë hapur mundësinë e takimit dhe darkimit. Të nesërmen, ndërkohë, Meta dhe Lavitola takohen në Farnesina siç e lanë dhe pas takimit Lavitola telefonon ortakun e vet për t’i thënë që ka lënë të darkojë me Metën. Telefonon dhe sekretaren e vet, së cilës i jep porositë dhe koordinatat për darkën me zv.kryeminitrin shqiptar në restorant “Baljoni”.

 

 

(Meta i telefon Lavitolas)

Valter Lavitola: Alo? Po…

Ilir Meta: Mirëmbrëma… Iliri jam.

Valter Lavitola: Oh, përshëndetje zëvendëskryeministër…

Ilir Meta: Mirë, shumë mirë…

Valter Lavitola: Çfarë do të bëjmë atëherë, do të darkojmë së bashku?

Ilir Meta: Mund të flasësh me shefin e kabinetit që është afër meje…

Valter Lavitola: Po…

Sokol Dervishi: Përshëndetje.

Valter Lavitola: Përshëndetje.

Sokol Dervishi: Jam Sokoli, shefi i kabinetit të zotit Meta.

Valter Lavitola: Po, unë jam Valter, është një kënaqësi… Zëvendëskryeministri ka kënaqësinë që të darkojë me mua sonte në mbrëmje?

Sokol Dervishi: Sonte nuk është e mundur, sepse kemi takimin me ambasadorët… Flasim më vonë, sepse nuk e dimë akoma se çfarë hapësirash kemi mes takimeve

Valter Lavitola: Mirë, por takimi nesër në Farnesina çfarë ore është, në 11:00?

Sokol Dervishi: Në 11 kemi takim…

Valter Lavitola: Nesër keni takimin në ministrinë e Jashtme të Italisë në 11:00, apo jo?

Sokol Dervishi: Po, në 11…

Valter Lavitola: Meqenëse jam edhe unë atje, Ilir preferon të takohet me mua përpara apo pas këtij takimi?

Sokol Dervishi: Pas takimit është më mirë…

Valter Lavitola: Atëherë takohemi nesër në Farnesina.

Sokol Dervishi: Po, kjo është më mirë.

Valter Lavitola: Atëherë i thoni Ilirit, po e përsëris, se nuk di nëse iu thashë se Berluskoni nuk është, është nisur për në Rusi, ju bën shumë të fala dhe më pas kombinojmë një takim…

Sokol Dervishi: Faleminderit, faleminderit shumë…

Valter Lavitola: Atëherë shihemi nesër në Farnesina…

Sokol Dervishi: Po. Faleminderit shumë…

Valter Lavitola: Faleminderit…

(Mbyllet telefonata)

 

Meta, ndryshe në “La Republica”, ndryshe në Tiranë: “E njoh… Nuk e njoh… Lavitolan”

ROMË – “Jo, unë nuk mbaj mend të kem njohur këtë zotëri Lavitola. Por mund të jetë që… tani që më kujtohet ajo vizita në Itali…”. Kjo është deklarata konfuze e bërë nga ish-zëvendëskryeministri dhe ish-ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, për gazetën “La Republica”.

Në një intervistë të publikuar në numrin e djeshëm të gazetës italiane, kreu i LSI-së thotë fillimisht se nuk e njeh biznesmenin italian që është fotografuar gjatë takimit dypalësh me ministrin e Jashtëm të Italisë, Franko Fratini.

E habitshme është që pak orë pasi kishte deklaruar për gazetën italiane se nuk e njihte Lavitolan, Meta, ka lëshuar për mediat shqiptare një tjetër variant, sipas të cilit, personi në fjalë njihet nga ai prej kohësh si “drejtor i gazetës “L’Avanti”.

“Në lidhje me pretendimet e ndonjë media, për gjoja angazhimin e personave të tretë gjatë vizitës sime zyrtare në Romë në 21 tetor të vitit 2009, sqaroj se prezenca e një drejtuesi të një gazete italiane në foton e paraqitur në media, e marrë gjatë konferencës së shtypit me homologun Fratini është krejtësisht e rastësishme, dhe nuk ka asnjë lidhje me asnjë aspekt institucional apo zyrtar të vizitës”, – thuhet në deklaratën e ish-ministrit të Punëve të Jashtme.

Pra, Meta ka dy versione të kundërta. Por të dyja hidhen poshtë nga përgjimet ku del që Meta jo vetëm e njeh Lavitolan, por e ka telefonuar atë sapo ka mbërritur në Romë dhe ka darkuar me të një natë më pas. Kurse Lavitola e njeh aq mirë Metën sa ia di edhe projektet. Fratini gjithashtu, të cilit tani i kërkohet dorëheqja për këtë skandal, ka pohuar se Meta dhe Lavitola njiheshin prej kohësh.

Më poshtë publikohet intervista e dhënë dje nga kreu i LSI-së për gazetarin Daniele Mastrogiacomo në të përditshmen “La Republica”.

 

Mastrogiacomo: “Ishte 21 tetor 2009 zoti Meta. Ekziston një foto që ju paraqet juve me ministrin e Jashtëm të Italisë, Franko Fratini”.

Meta: “E kam parë atë foto që keni publikuar në faqen tuaj të internetit. Si e keni marrë?”

Mastrogiacomo: “Fotoja është pjesë një shërbimi fotografik të gazetares shqiptare, Irida Cami. Ajo ndiqte vizitën tuaj në Itali”.

Meta: “Nuk mund t’ju them më shumë se ajo që shikoni ju dhe që shikoj unë.”

Mastrogiacomo: “Duket sikur e njihni doktor Lavitola-n…”

Meta: “Nuk e kam të memorizuar…”

Mastrogiacomo: “Ju e keni parë atë foto?”

Meta: “Sigurisht… E kujtoj mirë atë takim, por jo kush ishte tjetër përveç ministrit Fratini”.

Mastrogiacomo: Dhe nuk kujtoni përse Lavitola dëshironte me çdo mënyrë që t’ju takonte?”

Meta: “Nëse duhet të kujtoj arsyet përse dhjetëra persona, më së shumti sipërmarrës, duan të takojnë ministrin nuk do të mund të kryeja punën, për të cilën jam emëruar në qeveri”.

Mastrogiacomo: “Data e vizitës nuk është e largët: Duhet t’ju jetë dukur pak a shumë e veçantë prezenca e një personi jashtë protokolli në një takim zyrtar…”.

Meta: “Nuk dua të hyj në polemikat tuaja. Është një çështje që i përket shtetit tuaj dhe momentit tuaj të veçantë. Ripërsëris: Më vjen keq, por nuk di tamam se çfarë t’ju përgjigjem…”.

Mastrogiacomo: “Nuk keni reflektuar as në këto orë, duke parë që fotoja sapo është shfaqur dhe vendos në pozicion të vështirë ministrin Fratini?”

Meta: “Nuk kuptoj çfarë pozicioni të vështirë…?! Fotoja është zyrtare, ai njëri është prezent. Dikush do ta ketë autorizuar që të qëndrojë midis nesh”.

Mastrogiacomo: “Pra, këtë njeri mund t’ua ketë prezantuar ministri i Jashtëm i Italisë?”

Meta: “Nuk e mbaj mend”.

Mastrogiacomo: “Më duket se u bezdisët”.

Meta: “Nuk kam qëllim që të përfshihem në çështje që nuk më takojnë”

Mastrogiacomo: Mund të më thoni nëse keni dëgjuar të flitet për Valter Lavitola?

Meta: “Tani ju përshëndes, kam disa angazhime, natën e mirë”.

 

 

Meta deklaratë për mediat në Tiranë

“Në lidhje me pretendimet e ndonjë media për gjoja angazhimin e personave të tretë gjatë vizitës sime zyrtare në Romë, në 21 tetor të vitit 2009, sqaroj se prezenca e një drejtuesi të një gazete italiane në foton e paraqitur në media, e marrë gjatë konferencës së shtypit me homologun Fratini është krejtësisht e rastësishme, dhe nuk ka asnjë lidhje me asnjë aspekt institucional apo zyrtar të vizitës. Personi në fjalë njihet prej meje prej kohësh si drejtor i gazetës “L’Avanti”, – sqaron Meta për mediat.

 

 

Fratini: Lavitola e njihte ministrin shqiptar përpara se ta njihja unë

ROMË – Fratini deklaroi pas publikimit të përgjimit të telefonatës mes kryesekretares së tij dhe Lavitolas në “Canale 5”: “…Nga publikimet del qartësisht se nuk kam përzier asnjëherë aktivitetin institucional me tipe të tjera takimesh”. Kjo deklaratë u përgënjeshtrua pas pak minutash, pasi gazetarja Irida Cami tregoi foto të takimit të zhvilluar më 21 tetor 2009, në të cilin Lavitola, person aktualisht në kërkim, shfaqet nën shoqërinë e Fratinit dhe të zëvendëskryeministrit shqiptar, njëherësh ministri i Jashtëm, Ilir Meta.

Një ditë pasi fotot përgënjeshtruan versionin e tij, Fratini doli me një pozicion tjetër: “… Çdo qytetar, çdo sipërmarrës mund të ketë mundësinë që të vijë dhe të flasë për çështje private me zëvendëskryeministrin shqiptar… Në atë kohë askush nuk e imagjinonte ose të ishte në dijeni minimalisht se kush ishte Lavitola, dua të them për afera të paligjshme, asgjë prej tyre nuk ishte bërë e ditur. Lavitola ishte një person si të gjithë tjetër, që në atë rast e njihte ministrin shqiptar përpara se ta njihja unë”.

 

 

Ish-ministri Prifti duhet të flasë për HEC-in e Lavitolas

Emri i Lavitolas nuk është i panjohur për zyrtarët shqiptarë, sidomos për ata që janë marrë me Hidrocentralet. Ky skandal që ka tronditur Italinë, duhet të ketë në Shqipëri një dëshmitar okular. Ai duhet të jetë ish-Ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, sepse koha kur Meta ka takuar Lavitolën në Romë përkon me kohën kur Prifti ka qenë Ministër i Ekonomisë. Sipas medias italiane, Lavitola nuk ka ndërmjetësuar te Meta vetëm për projektin “TAP”, por edhe për një HEC në Shqipëri, për të cilin interesohej një grup milanez. Të njëjtat burime thonë se HEC-i në fjalë, megjithëse ka qenë në tryeza në kohën kur ministër ishte Prifti, në fakt është licencuar më pas kur Meta mori postin e Priftit. I interesuar bashkë me Lavitolan ka qenë edhe një i afërm i ministrit të Jashtëm shqiptar. Media italiane nuk bën të ditura shumë hollësi lidhur me këtë segment të skandalit, por ish-ministri Prifti mund të hedhë shumë dritë mbi këtë histori.

 

Komente

Mesa duket nuk ka ende asnje koment per kete artikull.
Shkruaje ti i pari nje koment !

Rama Takimi Berisha-Meta per Presidentin e ri, teatral

Publikuar me : 25.05.2012 Ne kategorine : Politike - Lexuar : 35 here.
Rama  Takimi Berisha-Meta per Presidentin e ri, teatralEdi Rama Në një kohë kur kryeministri i vendin, Sali Berisha, ka nisur negociatat me kryetarët e partive të koalicionit qeverisës, lideri i opozitës shprehet se ende nuk ka marrë një përgjigje për ftesën zyrtare për takim. Rama duke bërë të ditur se mbetet i gatshëm për të takuar Berishën ka nënvizuar se takimet e tij me Metën, Mediun dhe Idrizin janë teatrale dhe se nuk pranon që takimi mes tyre të jetë i tillë. “E kam ftuar kryeministrin zyrtarisht javë më...Lexo te gjithe artikullin »


» Kamez, 300 te rinj behen pjese e PS-se
» Jahjaga viziton studentet e plagosura
» Presidenti, Berisha takon Mediun Procesi do jete transparent
» Presidenti i ri, Berisha Do negociohet dhe me Ramen dhe Dulen
» Presidenti i ri, Berisha Do takoj dhe Ramen me Dulen
» Rama Takimi Berisha-Meta per Presidentin e ri teatral
» Rama Takimi Berisha-Meta teatral
» Skadon afati KQZ-ne Kolegjin dhe kutite nuk i levizim
» Berisha Me Meten rame dakord per nje president sa me konsensual
» Berisha Presidenti i ri nga Kryesia e PD-se

Ndaj kete artikull me miqte e tu ne rrjetet sociale me te njohura :

Fjala jote vlen !

Stacione TV Shqip
Shiko TV Rrokum online falas! TV Rrokum
Shiko Lajme Top Channel online falas! Lajme Top Channel
Shiko KTV Live online falas! KTV Live
Shiko Lajme TVKlan online falas! Lajme TVKlan
Shiko SuperSonic Live online falas! SuperSonic Live
Shiko Ora News Live online falas! Ora News Live

Gazetat PDF
PDF Gazeta Shqip!
PDF Gazeta Koha Jone!
PDF Gazeta 55!
PDF Gazeta Tema!

Publicitet

Sherbime te tjera
Lidhu ne RSS
Sherbim per Webmasterat
Rezultate sportive Live
Termat e Perdorimit
Kontakte


Indeksi | Lajmet ne faqen tuaj | Shperndarje RSS | Reklamoni Faqen tuaj | Add to Google

VetemLajme.Com : Permbledhje e shtypit Shqiptar - Produkt i PikaWeb © 2007-2012
Kujdes : Artikujt e publikuar i perkasin autoreve perkates. Prane cdo artikulli gjendet dhe burimi origjinal. Per me teper lexoni Termat e Perdorimit