Shtypi shqiptar online - Lajme dhe te reja !
Tenderi, 196 mije leke per kemishen e nje polici

Publikuar me : 11.11.2011 Ne : Politike - 51 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Luis Tanushi

Deputetët anëtarë të Komisionit Parlamentar të Sigurisë kanë hedhur dje dyshimet për korrupsion në tenderin qeveritar të uniformave të reja të policisë së shtetit. Ata kanë akuzuar ministrin e Brendshëm, Bujar Nishani si dhe drejtuesit e lartë të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë për favorizim të firmës “Gjergjefi” në tenderin për prodhimin e veshjeve të reja për punonjësit e rendit me vlerë 2.2 miliardë lekë. Por ministri Bujar Nishani u mbrojt duke thënë se tenderi për uniformat e policisë ishte i hapur dhe u zhvillua në përputhje me ligjin. Ajo që bie në sy në këtë tender është se janë paguar 200 euro për këmishën e një polici, një shifër tepër e lartë për standardet shqiptare ku një polic që rrezikon jetën paguhet aq sa këmisha që mban veshur.

 

Tenderi për uniformat

Qeveria, ndryshe nga praktika e ndjekur më parë, i ka hequr kompetencat ministrit Nishani për zhvillimin e tenderit për uniformat duke ia ngarkuar këtë detyrë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë. Por kjo e fundit, në kundërshtim me vendimin e qeverisë që përcaktonte nënshkrimin e një kontrate njëvjeçare, ka lidhur një kontratë katër vjeçare. Por, skandali më i madh, sipas anëtarëve të Komisionit të Sigurisë, lidhet me fituesin e këtij tenderi, i cili u arrestua duke u akuzuar nga vetë Policia për korrupsion aktiv.

Deputeti Gazmir Bizhga pohoi dje në parlament se zanafilla e korrupsionit me uniformat daton që në janar 2009 kur qeveria nxori një vendim për ndryshimin e uniformës. “Vetëm pak kohë më pas fillojnë procedurat për tenderin ku qeveria shqiptare, siç mund të verifikohet mjaft lehtë nga Agjencia e Prokurimit Publik, rriti pa dhënë sqarime fondin limit nga 650 milionë lekë në datë 16 mars 2009, tek ajo prej 1 miliard e 173 milionë lekë në datën 8 dhe 15 qershor 2009. Pra dëmi nga rritja do të ishte 523,8 milionë lekë. Kur çdo gjë duket se po shkonte siç duhej, papritur tenderi anulohet”,- tha dje deputeti Bizhga.

Sipas tij, më datë 22 dhjetor 2009, në komunikatën operative nr. 357 të datës 23 dhjetor 2009 të lëshuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit thuhet: U arrestuan shtetasit Jani Gjergjefi, Bujar Murati me detyrë Drejtor i Përgjithshëm i Prokurimeve Publike në Ministrinë e Brendshme, Redi Popescu specialist në Ministrinë e integrimit, Tahir Imami shef i prokurimeve në Gardën e Republikës dhe Artan Berberi sepse në bashkëpunim, kanë kryer veprime korruptive për tenderin e veshmbathjes. Por vetëm dy vjet më vonë, me një vlerë disa herë më të lartë, tenderi Drejtoria e Përgjithshme e Policisë shpall fitues të tenderit, po firmën “Gergjegji shpk”. “Kjo është çudia më e madhe !!! Më pak se përpara dy vitesh Drejtoria e Përgjithshme e Policisë e arrestoi me motivin se korruptoi me 125 000 euro drejtues të lartë të saj për një tender për blerje uniformash në një vlerë jo më të madhe se 175 milionë lekë, ndërsa tani duke qenë ende në një proces gjyqësor i jep tenderin me vlerë 2.2 miliard lekë po për blerje uniformash dhe jo për një vit, por për katër vjet rresht dhe me të drejtë për të qenë sërish operator kryesor edhe pas katër vitesh”, tha anëtari i Komisionit të Sigurisë, Gazmir Bizhga lidhur me tenderin e fituar nga firma “Gjergjefi shpk”.

 

Çmimet

Por dje në Kuvend u publikuan detaje nga kontrata e uniformave ku parashikohet që të blihen 365 187 objekte të uniformës dhe elementeve të tjera përbërëse. Këtu përfshihen 101 artikuj, për të cilët do të paguhen 447 milionë lekë. Ndërsa për vitin 2012 ku do të blihen vetëm 45 180 objekte, që përfshijnë vetëm 11 artikuj, do të paguhen nga buxheti 888 milionë lekë. Sipas anëtarit të Komisionit të Sigurisë Bizhga, nga 45180 objekte që do të blihen nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit për 888 milionë leke, sipas tabelës së materialeve të tenderit janë vetëm këmishë me mëngë të gjata e të shkurtra dhe këpucë me qafa e pa qafa. Një llogari e thjeshtë tregon se do të paguhet 19 600 lekë të reja për një këmishë.

“T’ju thuash shqiptarëve se në vitin 2012 me paratë e tyre, Policia e Shtetit do t’ju blejë policëve dyqind mijë lekë një këmishë me mëngë të shkurtra apo të gjata, më e pakta do të qeshnin se nuk do ta besonte kush. Po ja që kështu është e shkruar në këto dokumentet tuaja dhe këtë nuk e mohon dot askush”,- tha Bizhga. Të gjitha këto blerje janë parashikuar për katër vite, edhe pse për tre vitet e ardhshme në 2012, 2013 dhe 2014 nuk ka ende një buxhet.

 

 

Nishani: Tenderi ishte i rregullt, nuk pati ankesa

Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani u shpreh dje në Parlament se në prokurimin e uniformave të policisë, Policia e Shtetit përdori tenderin e hapur ndërkombëtar në përputhje me kërkesat ligjore për këtë lloj tenderi dhe publikimi i tij është realizuar në përshtatje të prokurimit elektronik të prokurimeve shqiptare. “Kanë qenë tre kompani të cilat kanë shprehur interes për tu përfshirë në këtë prokurim, kompani shqiptare dhe të huaja në këtë grup dhe kanë dhënë ofertat e tyre ku në vend të parë pas seleksionimit është shpallur bashkimi i një shoqërie shqiptare. Subjekti fitues ka ofertuar një vlerë 54 milion lekë të reja më të ulët se subjekti i renditur i dyti dhe 86 milion lekë të reja më të ulët nga fondi i limitit, apo me një kursim me 4 perqind nga fondi i limitit. Për këtë procedurë prokurimi nuk ka pasur asnjë ankesë administrative”, u shpreh Ministri Nishani.

Sipas ministrit, firma fituese ka dorëzuar të gjithë dokumentacionin e nevojshëm ligjor financiar dhe teknik ku përfshihet dhe dokumentacioni i nevojshëm në marrëdhënie me gjykatën, përmbarimin dhe organet tatimore. “Deri tani zbatimi i kontratës po ecën në drejtimin e duhur pasi ka ardhur lënda e parë është analizuar nga supervizori, është autorizuar përdorimi i saj në pjesën më të madhe, është bërë zëvendësi mi i saj kur kërkesat e saj nuk përputheshin me specifikimet teknike dhe po vazhdon prodhimi i produktit të gatshëm”,- tha Nishani. Ministri deklaroi se brenda vitit 2012, punonjësit e Policisë së Shtetit do të pajisen me uniformat e reja.

 

 

Si do të shlyhen pagesat e uniformave

Në vitin 2011 vlera prej 372.732.877 lekë pa TVSH (447.279.454 lekë me TVSH)

Në vitin 2012 vlera prej 740.272.500 lekë pa TVSH (888.327.000 lekë me TVSH)

Në vitin 2013 vlera prej 522.660.432 lekë pa TVSH (627.192.518 lekë me TVSH)

Në vitin 2014 vlera prej 249.839.407 lekë pa TVSH (299.807.288 lekë me TVSH)

 

Kostumet ceremoniale

Ajo që bie në sy në tabelat e objekteve që do të blihen, është ajo e prodhimit të një numri prej 8600 kostumesh ceremoniale, nga të cilat 7900 do të jenë për meshkuj dhe pjesa tjetër për femra. Një blerje e tillë sipas specialistëve duket ekzagjerim i pa justifikuar për dhe tërësisht i panevojshëm në blerjet e Policisë së Shtetit, pasi kostume të tilla vishen vetëm më raste ceremonish, vetëm nga një repart i Policisë së Shtetit, që përbëhet afërsisht prej 100 efektivësh, si dhe nga drejtuesit e lartë të Policisë në qendër dhe në qarqe.

 

 

Komente

Mesa duket nuk ka ende asnje koment per kete artikull.
Shkruaje ti i pari nje koment !

Rama Takimi Berisha-Meta per Presidentin e ri, teatral

Publikuar me : 25.05.2012 Ne kategorine : Politike - Lexuar : 35 here.
Rama  Takimi Berisha-Meta per Presidentin e ri, teatralEdi Rama Në një kohë kur kryeministri i vendin, Sali Berisha, ka nisur negociatat me kryetarët e partive të koalicionit qeverisës, lideri i opozitës shprehet se ende nuk ka marrë një përgjigje për ftesën zyrtare për takim. Rama duke bërë të ditur se mbetet i gatshëm për të takuar Berishën ka nënvizuar se takimet e tij me Metën, Mediun dhe Idrizin janë teatrale dhe se nuk pranon që takimi mes tyre të jetë i tillë. “E kam ftuar kryeministrin zyrtarisht javë më...Lexo te gjithe artikullin »


» Kamez, 300 te rinj behen pjese e PS-se
» Jahjaga viziton studentet e plagosura
» Presidenti, Berisha takon Mediun Procesi do jete transparent
» Presidenti i ri, Berisha Do negociohet dhe me Ramen dhe Dulen
» Presidenti i ri, Berisha Do takoj dhe Ramen me Dulen
» Rama Takimi Berisha-Meta per Presidentin e ri teatral
» Rama Takimi Berisha-Meta teatral
» Skadon afati KQZ-ne Kolegjin dhe kutite nuk i levizim
» Berisha Me Meten rame dakord per nje president sa me konsensual
» Berisha Presidenti i ri nga Kryesia e PD-se

Ndaj kete artikull me miqte e tu ne rrjetet sociale me te njohura :

Fjala jote vlen !

Stacione TV Shqip
Shiko TV Rrokum online falas! TV Rrokum
Shiko Lajme Top Channel online falas! Lajme Top Channel
Shiko KTV Live online falas! KTV Live
Shiko Lajme TVKlan online falas! Lajme TVKlan
Shiko SuperSonic Live online falas! SuperSonic Live
Shiko Ora News Live online falas! Ora News Live

Gazetat PDF
PDF Gazeta Shqip!
PDF Gazeta Koha Jone!
PDF Gazeta 55!
PDF Gazeta Tema!

Publicitet

Sherbime te tjera
Lidhu ne RSS
Sherbim per Webmasterat
Rezultate sportive Live
Termat e Perdorimit
Kontakte


Indeksi | Lajmet ne faqen tuaj | Shperndarje RSS | Reklamoni Faqen tuaj | Add to Google

VetemLajme.Com : Permbledhje e shtypit Shqiptar - Produkt i PikaWeb © 2007-2012
Kujdes : Artikujt e publikuar i perkasin autoreve perkates. Prane cdo artikulli gjendet dhe burimi origjinal. Per me teper lexoni Termat e Perdorimit