Publikuar me : 26.10.2011 Ne :
Rajoni - 52 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Ndërsa skuadrat e shpëtimit janë në garë me kohën në rrënojat që la pas tërmeti i së dielës në Turqi, numri i viktimave sa vjen e shtohet. Sipas të dhënave të fundit të shpërndara nga autoritetet turke, deri tani janë nxjerrë nga rrënojat trupat e të paktën 461 personave. Ndërsa numri i të plagosurve është 1350.
Beteja për jetën
Ndërsa skuadrat e shpëtimit vazhdojnë kërkimet për të tjerë të gjallë nën rrënoja, “mrekulli” të vogla zënë faqet e mediave orë pas ore. Të mërkurën në mëngjes, një mësuese 27-vjeçare iu nxorr e gjallë nga rrënoja e një ndërtese në Ercis. Gohzde Bahar, mësuese anglishteje, u shtrua menjëherë në spital për shkak të plagëve të rënda. Atje 27-vjeçarja pësoi një arrest kardiak, por mjekët arritën ta risjellin në jetë.
Ndihmat
Qeveria turke ka vendosur të pranojë ndihmat e ofruara nga vende të ndryshme, mes të cilave edhe Izraeli. Në një komunikatë për shtyp, ministri i Jashtëm, ka njoftuar se vendi ka mundësi të kufizuara për të strehuar mijëra njerëz të mbetur pa shtëpi. Në total, ndërtesa të shembura janë 2256, pjesa më e madhe e të cilave kanë qenë banesa.