Publikuar me : 07.12.2011 Ne :
Politike - 95 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Një ditë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për termin “kombësi”, kanë ardhur edhe reagimet e para. Të parët që janë shprehur kundër këtij vendimi, janë dy deputetët minoritarë, Kosta Barka i PD-së dhe Vangjel Tavo, i LSI-së.
Në një deklaratë të përbashkët për shtyp, ata e cilësojnë shfuqizimin e termit “kombësi”, si një shkelje të hapur të të drejtave themelore të njeriut dhe në mënyrë të veçantë, të të drejtave të minoritetit grek në Shqipëri.
“Është e vërtetë që qytetarët nuk mund të detyrohen të deklarojnë të dhëna mbi përkatësinë e tyre etnike dhe fetare. Por qytetarët nuk mund të ndalohen ta bëjnë këtë. Deklarimet kanë vlerë kur bëhen jo në rrugë apo tribuna, por në institucionet dhe dokumentet e shtetit. Me verdiktin e fundit kushtetues, ky ndalim praktikisht rekomandohet për t’u zbatuar dhe e kthen kështu Gjykatën për mbrojtjen e Kushtetutës, në një shkelës brutal të saj. Bëhet fjalë për nenin 20 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, që e klasifikonte Kushtetutën e vendit tonë midis vendeve me demokraci të përparuar në respektimin e të drejtave të personave që u përkasin pakicave kombëtare”.
Më tej, sipas deklaratës, kur bëhet fjalë për qëndrime ndaj minoriteteve, përfshirë në rradhë të parë minoritarët grekë, nënkuptohet jo zgjerimi i lirive të tyre ekonomike, shoqërore, njerëzore, etnike dhe fetare.
“Vendimi i mësipërm i Gjykatës Kushtetuese, pavarësisht argumenteve ligjore, dëmton integritetin e minoritetit grek dhe inkurajon tendencat nacionaliste dhe antieuropiane në Shqipëri, shtëpinë tonë të përbashkët. Ky vendim është një sinjal jo emancipues në kontekstin e proceseve integruese dhe globalizuese, në të cilat është përfshirë vendi ynë”, thuhet ndër të tjera, në këtë deklaratë për shtyp.