Publikuar me : 25.11.2011 Ne :
Sport - 48 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Endi Tufa
Ndeshja miqësore mes Shqipërisë dhe Maqedonisë, e zhvilluar në stadiumin ‘Goce Dellcev’ në Prilep, solli edhe reagimin e politikanëve shqiptarë në Shkup. Një gjë e tillë erdhi pas thirrjeve raciste në këtë stadium nga tifozët maqedonas. Agjencia e lajmeve “INA” deklaron se disa prej thirrjeve ofenduese të fansave maqedonas të vetëquajtur “Majmun” ishin: “Shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur”, “Dhoma gazi për shqiptarët” dhe “Maqedonia e pastër”. Thirrjet raciste në këtë stadium nuk janë risi për kombëtaren shqiptare, ndërkohë që politikanët u shprehën kundër, duke kërkuar zyrtarisht distancimin e Shkupit.
Zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani u shpreh se “federatat e futbollit duhet të marrin masat e nevojshme për të parandaluar dhe dënuar ata që kanë bërë thirrje të tilla. Ne përmes institucioneve shtetërore do të kërkojmë përgjegjësi për të gjithë ata që shfrytëzojnë apo keqpërdorin ngjarjet sportive për të zbrazur frustrime që pastaj mund të ndikojnë edhe në prishjen e raporteve ndëretnike”. Edhe Partia Demokratike Shqiptare, e cila është në opozitë ka reaguar, duke u shprehur se këto thirrje janë vazhdimësi e politikës antishqiptare të qeverisë maqedonase (duke kujtuar këtu që kryeministri aktual maqedonas Nikola Gruevski ka qenë një prej personave që ka mbështetur tezën: Shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur).
Deputeti Zijadin Sela tha se “ngjarja është pasqyrim i pozitës inferiore të partisë shqiptare në pushtet, BDI, e cila duhet t’i dënojë këta huliganë në mënyrë që incidente të tilla të mos përsëriten. Ndeshja Maqedoni-Shqipëri e zhvilluar të martën doli në barazimin e bardhë, 0-0.