Publikuar me : 09.07.2011 Ne :
Kronike - 141 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Nga Dashamir Biçaku
TIRANE- Një biznesmen, pronar i një rrjeti furrash buke dhe pikash bastesh sportive, u rrëmbye dje në mbrëmje tre persona, të cilëve u kishte lekë borxh. Pas më tepër se dy orësh mbajtje peng dhe kërcënimesh, pengu është lënë i lirë vetëm pasi ka dhënë premtimin se do të paguante shumë shpejt borxhin.
Sipas policisë, Sajmir Shenjatari 35 vjeç, banues në kryeqytet u njoftua si i rrëmbyer në mbrëmje rreth orës 19:00, nga së paku tre persona. Ata kishin hyrë në ambientet e lokalit të tij, një pikë bastesh në rrugën “Kujtim Laro”, pranë zonës së njohur me emrin “Profarma” dhe e kishin nxjerrë që aty me forcë. Vetëm pak metra larg nga vendi i ngjarjes, i dëmtuari kishte edhe një furrë buke pjesë e një rrjeti prodhimesh brumi në Tiranë.
Si autorë të ngjarjes, policia identifikoi, Esat Lugën, Artur Gjakovën, dhe Altin Loshën, të njohur me biznesmenin Shenjatari. Zyrtarë të policisë thanë se shkak i rrëmbimit të 35 vjerçarit nga Burreli me banim në Tiranë, dyshohet të ketë qenë një borxh i konsiderueshëm i të rrëmbyerit ndaj autorëve të dyshuar të ngjarjes. Sipas burimeve të policisë, Shenjatari i kishte marrë një prej personave të dyshuar një shumë të konsiduerueshme parash, të cilat nuk kishte mundur t’ua shlyente në afatin në të cilën palët kishin rënë dakord. Për këtë shkak personat, sipas burimeve të policisë, kanë mbërritur dje në pikën basteve të Shenjatarit me pretendimin se kishin për të biseduar, por më pas e kishin rrëmbyer.
Dëshmitarët në vendin e ngjarjes kanë dhënë përshkrimin fizik të tre rrëmbyesve dhe kanë treguar se pengu është futur me forcë në një fuoristradë me targa italiane. Ky mjet është shoqëruar edhe nga një mjet tjetër i të njëjtës markë dhe mësohet se më pas janë drejtuar për në malin e Dajtit, ndërsa nuk dihet destinacioni i saktë i tyre. Burime të policisë thanë se kishin marrë informacione nga dëshmitarë të ndryshëm që pohonin se kishin parë personat me armë dhe t’ia drejtonin ato tregtarit Shenjatari, për ta kërcënuar me qëllim që ai të shkonte në veturat e tyre.
Pas veprimeve të para të kryera në vendngjarje me marrjen e deklarimeve të dëshmitarëve të ndryshëm, policia ka ngritur disa postblloqe për të bllokuar mjete të dyshimta të ngjashme me karakteristikat e dhëna në vendin e ngjarjes nga dëshmitarët. Hetimet e policisë kanë zbuluar se në të vërtetë autorët kanë lënë shumë shpejt të lirë të “rrëmbyerin”. Ky i fundit mësohet se është paraqitur vetë në ambientet e policisë.
Ai iu ka pohuar hetuesve se kjo çështje ishte një konflikt personal i tij dhe se ai nuk ishte rrëmbyer. Për këtë shkak ai nuk kishte dëshirë ta ndiqte këtë çështje në organet kompetente. Gjithsesi policia mori deklarimin e të dëmtuarit në lidhje me rrethanat e ngjarjes ndërsa mësohet se ka kryer disa kontrolle banesash për të gjetur e shoqëruar të dyshuarit e ngjarjes. Ata mund të akuzohen për rrëmbim e mbajtje peng të personit.
3
persona dyshohet se u përfshinë në rrëmbimin e djeshëm të biznesmenit Shenjatari dje në mbrëmje rreth orës 19:00, pranë lokalit të basteve sportive në pronësi të tij
2
orë vazhdoi situata e pengmarrjes së Sajmir Shenjatarit që nga momenti i rrëmbimit të tij. Rreth orës 21:30 policia njoftoi se Shenjatari ishte lënë i lirë dhe se ai ishte paraqitur në komisariat për të sqaruar situatën e tij
Pengu dhe pengmarrësit rrezikojnë 42 vjet burg
Tre të pandehurit nga Lushnja që morën “peng” për 57 orë borxhliun durrsak që nuk i kthente paratë e tyre, rrezikojnë të dënohen nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda me 32 vite burg e 6 milionë lekë gjobë. Ndërsa, borxhliu dhe bashkëpunëtori i tij rrezikojnë të dënohen me nga 5 vjet burg secili dhe nga 6 milion lekë të reja gjobë, për akuzën e “dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit” për dy nga të pandehurit e kësaj çështjes. Kjo kërkesë është bërë dje nga prokurori Eugen Beçi, i cili shpjegoi se gjithçka ka nisur në mes të muajit nëntor 2008 ku të pandehurit Ismail Hamiti dhe e fejuara e tij Arselona Aliaj i kanë dhënë 7 mijë euro të dëmtuarit të pandehur Gazmir Leka, i cili në atë kohë punonte si kamerier në një hotel në qytetin e Durrësit me premtimin se do ti dërgonte në Itali. Për këtë punë Leka ka kontaktuar me Qani Haskasën. Në dhjetor 2008 çifti u nis drejt Italisë por u kap në Malin e Zi dhe u kthyen në Shqipëri. Në këtë moment ata kërkuan paratë mbrapsht, por Leka iu shmangej. Në këto kushte, në 17 janar 2009, Hamiti, e fejuara e tij dhe një miku i tyre kanë marrë peng Gazmir Lekën në qytetin e Durrësit dhe fillimisht e kanë mbajtur në një kasolle e më pas e kanë vendosur në një banesë që ndodhej në pallatin në qendër të Lushnjes pranë PTT-së. Ata kanë detyruar pengun të lajmërojë babanë e tij që të bëjë gati paratë se për ndryshe do ta vrisnin. Ky i fundit ka njoftuar policinë , e cila ka organizuar dorëzimin e shumës së parave. Pas disa telefonatave mes babanë së “pengut” dhe “pengmarrësve”, këta të fundit kanë caktuar vendin, tek stacioni i trenit në Durrës për të dorëzuar pengun dhe marrë lekët. Më datë 19 janar 2009, rreth orës 20:30 minuta, sapo janë paraqitur “pengmarrësit” kanë ndërhyrë policia duke i arrestuar.
Detaje
Ismail Hamiti, të dënohet me 11 vjet burg dhe 2 milion lekë gjobë për akuzën e “Rrëmbimit ose mbajtjes peng të personit” të kryer në bashkëpunim
Arselona Aliaj, të dënohet me 11 vjet burg dhe 2 milion lekë gjobë për akuzën e “Rrëmbimit ose mbajtjes peng të personit” të kryer në bashkëpunim
Andrea Leka, të dënohet me 10 vjet burg dhe 2 milion lekë gjobë për akuzën e “Rrëmbimit ose mbajtjes peng të personit” të kryer në bashkëpunim
Qani Haskasa, të dënohet me 5 vite burg dhe 6 milion lekë për akuzën e “Ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit” të kryer në bashkëpunim
Gazmir Leka, të dënohet me 5 vite burg dhe 6 milion lekë për akuzën e “Ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit” të kryer në bashkëpunim
Flamur Vezaj