Publikuar me : 20.12.2011 Ne :
Kuriozitete - 98 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Besmir Vokopola
Mesa duket kemi të bëjmë me një prej qyteteve më bashkëkohore në botë, me një histori klasike tashmë të hedhur mbi supe. Kështu do të shprehej cilido kritik nëse do t’i binte rasti të ndiqte një prej shfaqjeve të fundit të “Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit”. E tillë të jetë vallë Tirana…? Apo mbase forma “bashkëkohore” e sheshit të ri të saj ka kontaminuar dhe këtë institucion. Pas “Flautit Magjik” “triumfit të fundit regjisorial” të jetë Turandot-i “preja”e radhës? Apo preja e kësaj here të jetë vetë regjisori?
Domosdoshmëria e frymës bashkëkohore në teatrin e ditëve të sotme është e pamohueshme. Shumë prej tyre kanë qenë një sukses i padiskutueshëm me gjithë morinë e “gojëve të liga” që gjithmonë përfaqësohen nga kritikët. Kemi parë bija faraonësh të përshtatura në adoleshente të alkoolizuara …(vështirë të parashikohej) apo (vështirë ta pranonte një faraon). E megjithëse kritika nuk ka qenë aspak bujare për këto deformime që u bëhen veprave sipas tyre, sot në pjesën më të madhe të teatrove botërore, kjo sjellja në kohë është shumë e parapëlqyer e në më të shumtën e rasteve jo nga publiku por nga vetë institucioni. Kriza ekonomike nuk mund të mos prekte dhe një institucion të tillë siç është teatri, kërkesat e të cilit duhen mbështetur nga një buxhet i qëndrueshëm ose më qartë: nga një shumë e madhe të hollash. Artefica që përdoret në këtë rast është termi bashkëkohor dhe “nevoja” e modernizimit. E duke qenë se muzika është rigorozisht e paprekshme regjisorit i jepet fleta e bardhë ku mund të dizajnojë konceptin e tij të lirë, brenda kufijve të një buxheti të miratuar. Shfaqjet luksoze të Franco Zeffirelli-t prej qindra e mijëra eurosh janë shumë larg “preferencave ekonomike”të kohëve të fundit. Megjithatë, këto eksperimente të ditëve të sotme kryesisht përqafohen nga vende me një traditë të konsoliduar të artit klasik. A është gati Tirana që përpos enigmave të Turandot-it të përballet me një shfaqje kaq bashkëkohore ndërkohë që historia e kësaj vepre në teatrin tonë është shumë e shkurtër, për të qenë më korrekt vetëm një herë ?
Parashikimet tona nuk gabuan. Duke pritur që perdja e konsumuar nga koha, të ngrihej, një zhurmë sa vinte e bëhej më prezent në korridorin e katit të parë. Me gjithë frymën e re që kjo shfaqje premtonte të sillte, vështirë të mendohej se shfaqja do të zhvillohej jashtë dyerve të sallës së tejmbushur. Mbase regjisori kish tentuar të krijonte një raport jo të drejtpërdrejtë mes publikut dhe skenës. Të gjitha këto mendime ia linin vendin njëra-tjetrës. Por ishte një imagjinatë disi e tepruar. “Asgjë për t’u shqetësuar”, – tha dikush. Kori i Teatrit të Operës dhe Baletit nuk dëshironte të ishte pjesë e premierës. Përse vallë?! Bëhej fjalë për mosmarrëveshje me administratën, ku “molla e sherrit” në këtë rast ishte shpërblimi financiar. E kështu nisi shfaqja, le të themi jo në mënyrën më të mirë të mundshme.
TURANDOT, sipas Nicola Zorzi-t
E qepur enkas për vendin tonë, e inspiruar nga historia e para viteve ‘90, të regjimit totalitar. Këto ishin disa nga fjalët e drejtorit të Operës, zotit Ciko. Deri këtu shumë mirë, megjithëse një pjesë e mirë e publikut po mendonte mos kishte ngatërruar shfaqje. Po si nisi dhe si përfundoi? Pas kësaj paranteze dhe një mori falënderimesh të Cikos baketa e dirigjentit Edmond Doko nisi të lëvizë. Përballja e parë ishte me një skenë gjigante (brenda mundësive arkitektonike të kësaj të fundit) ku ishte punuar me hapjen deri në limitet e saj. Zhveshur nga dekoret hapësira e ndarë në tre pjesë: dysheme, podium dhe ballkon, transmetonte epërsinë apo pushtetin e një sheshi diktatorial ku pushteti vjen nga lart-poshtë. Ky konstruksion skenografik qe ndërtuar ashtu siç ia donte zakoni i atyre kohëve. Marrja e mbetjeve të fundit të rekuizitave të operave të shkuara, na kthehu dhe njëherë në kohën ku çdo gjë arnohej. Një foto e përmasave të mëdha në mesin e skenës vërtetonte dyshimet e audiencës. Po, kishim të bënim me oborrin e brendshëm të një kampi përqendrimi komunist ashtu siç dhe u premtua nga Ciko. Ky koncept përforcohej akoma dhe më shumë nëpërmjet kostumografisë së unifikuar dhe me tonalitete të ftohta. Një grup pionierësh me shall të kuq lidhur ndër qafë krijoi tablonë përfundimtare të revolucionit kinez në Shqipëri. Regjisori me një karrierë të konsoliduar Nicola Zorzi ishte interesuar për të njohur historinë e vendit tonë. Mes materialeve të shumta të shfletuara, i kishte bërë përshtypje një libër ku thuhej se diktatori i vërtetë i vendit tonë i përkiste gjinisë femërore. Shumëkush e ka kuptuar tashmë se për kë bëhet fjalë. Me gjithë vërtetësinë e këtij libri, që vlen për tu diskutuar, Zorzi i impresionuar nga ky rrëfim mendoi se kjo ishte simbolika e duhur për ta lidhur me veprën që i qe ngarkuar. A mjaftonte vetëm ky detaj për të lidhur këto dy femra e më pas për të mbajtur një bosht të tërë historik me këtë analogji? Mesa duket nuk mjaftonte. Ky arsyetim nuk gjente vërtetësi në atë çka u paraqit në skenë. Vështirë të mbahet një vepër e tërë vetëm në një karakteristikë kaq përgjithësuese siç është rasti i përkatësisë gjinore. Mbase pushteti ka qenë një tipar tjetër ku regjisori ka menduar të shkrijë këto dy figura. Nëse do t’i qëndronim “besnikë” historisë së “vërtetë” 45-vjeçare të diktaturës në dorën e një femre në Shqipëri, analogjia me veprën sërish do qe kontradiktore (për më tepër kur kemi të bëjmë me një përrallë): në rastin e Turandot pushteti i saj është i drejtpërdrejtë pa pasur nevojën e një transmetuesi mashkullor, ndërsa në rastin tonë figura simbol e diktaturës (qoftë kjo vetëm në rolin e një fasade) mbetet një mashkull. Këto janë vetëm disa nga shumë fakte që bien ndesh me veprën Pucciniane . Në intervistat e ndryshme regjisori Zorzi u shpreh se zhveshja e dekoreve është bërë enkas për të vënë në qendër të vëmendjes dhimbjen. Duke kriujuar një tablo të zymtë e të ftohtë skenografike që mbante firmën e Manuela Gasperonit, do të evidentohej dhimbja. Por duke tentuar evidentimin e saj ishte bërë e kundërta. Emocionet e forta të dhimbjes ishin të pafuqishme të thyenin muret e ftohta të skenës. Kjo si pasojë edhe e interpretimeve kryesisht të vakëta. Për të mos folur për ngërdheshjet apo të qeshurat e “rojeve” të Turandot, të cilët iu mirëbesuan Ushtarëve të Gardës. E gjithë këtij ansambli i shtohej dhe përkthimi i përhershëm “alla-Google Translate”. Si një rezyme mund të themi që tentativa e Zorzit mbetet në thelb interesante por realizimi mbetej shumë larg asaj çka ishte premtuar. Intuita e këtij regjisori të talentuar nuk ka gabuar në rastet e sjelljes në skenën e teatrit tonë shfaqje të denja si: Rigoletto, Norma apo Lucia di Lammermoor. Rasti i Turandot mbetet i diskutueshëm.
TURANDOT, sipas Giacomo Puccini-t
E kompozuar prej tij dhe me libertin e Giuseppe Adami-t dhe Renato Simoni-t, Puccini i mbeti besnik historisë së Carlo Gozzi-t. Ekstrakti fillestar është marrë nga një prej përrallave të librit “Një mijë e një ditë”. Turandot apo bija e Turanit (vend në Azinë Qendrore të perandorisë Perse të dikurshme), është personazhi kryesor. Historia zhvillohet në Pekin ku princa të shumë vendeve të huaja vinin për të sfiduar fatin e për tu përballur me 3 enigmat e saj. Rezultati final do të ishte: vdekja ose martesa. Në fillim të aktit të parë, ndërkohë që një mandarin anuncon ligjin e vendit, princi i Persisë dërgohet për t’ju prerë koka, si pasojë e dështimit në gjetjen e enigmave. Calàf nuk trembet përpara këtij fakti. Ai mbetet i goditur nga bukuria e Princeshës së Akullt. Të kota janë lutjet e Timurit, babait të tij njëkohësisht dhe Mbreti i Tartarëve, si dhe të skllaves Liù. Kjo e fundit i shpreh dashurine e saj naive dhe arsyen pse i kishte qëndruar besnike plakut të verbër. Me gjithë përpjekjet e Ping, Pang dhe Pong për të ndaluar Calàf-in, ai arrin t’i bjerë 3 herë gongut, që simbolikisht përkthehej në përballjen me enigmat famëkeqe të Turandot-it. Në aktin e dytë trio e ministrave Ping, Pang dhe Pong përgatisin procedurat nëse princi do të dalë fitimtar apo do të dështojë. Në tablonë e dytë shfaqet Turandot ku nëpërmjet aries së famshme “In Questa Reggia” shpjegon se si stërgjyshja e saj masakrohet nga një princ i huaj. Për këtë ka vendosur të mos bjerë “pre” e asnjë mashkulli dhe pa humbur kohë nis të shpalosë enigmat e saj. Me gjithë vështirësinë e këtyre të fundit, Calàf arrin të zbulojë se, Shpresa, Gjaku dhe Turandot janë dhe çelësi i fitores së tij . E gjendur e papërgatitur për këtë fitore ajo i lutet më kot perandorit, të mos ia japë vajzën e tij një të huaji. Atëherë Calàf i propozon … “Me thuaj emrin tim përpara agimit dhe unë do të vdes”… Kështu mbyllet dhe akti i dytë. Akti i tretë nis me arien më të famshme në historinë operistike: “Nessun Dorma”. Pas kësaj shfaqet Ping Pong dhe Pang, të cilët i ofrojnë Calàf-it pasuri dhe prikë vetëm të heqë dorë nga Turandot, por ai është i vendosur. Në moment një grup ushtarësh të princeshës së akullt sjellin Timurin dhe Liù-në sepse kishin vënë re afërsinë që kishte princi me ta. Me gjithë urdhrat e Turandot-it për të folur, Liù merr të gjithë përgjegjësinë, dhe preferon të vetëflijohet se sa të çojë drejt vdekjes dashurinë e saj sublime. Kështu pasi përfundon arien më prekëse të të gjithë veprës,“Tu che di gel sei cinta” (Ti që je e rrethuar me akull ) vret veten. Kur të gjithë largohen Turandot dhe Calàf mbeten vetëm, ku ky i fundit e akuzon për mizori dhe për t’ju kundërpërgjigjur rezistencës së saj, e puth. Në fillim ajo ndjen vetëm neveri, por më pas bashkë me fjalët bindëse të Calàf-it i cili duke e ditur që tashmë akulli i kësaj princeshe kishte shkrirë, i zbulon emrin e tij . Në fund mblidhet i gjithë populli për të dëgjuar emrin e Calàf-it nga goja e Turandot-it. Ajo e ka përgjigjen: “Emri i princit të huaj është … dashuri” Kështu mbyllet dhe akti i tretë e së bashku me të dhe vetë opera.
TURANDOT, sipas këngëtarëve
Kasti i përzgjedhur për tri shfaqjet e kësaj vepre madhështore ishte mjaft premtues, por …
Në natën e parë roli i Turandot-it i qe besuar primadonnës së tanishme të “Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit”, Eva Golemit. Nuk ishte hera e parë që përballej me veprën e Puccini-t. Gjashtë vjet më parë ajo interpretoi rolin e Liu-së, ku la mbresa të jashtëzakonshme për interpretimin e saj të ndjerë dhe aftësive të saja vokale. Në rolin e Turandot mbahen mend shumë Eva, të cilat kanë performuar mjeshtërisht një prej roleve më të vështirë në repertorin e sopranove dramatike, ku mund të përmendim Eva Turner apo Eva Marton. Në rastin e Eva Golemit, e cila vitet e fundit ka pasuruar repertorin e saj me role për soprano liriko–dramatike, si Norma,Tosca apo Manon Lescaut, iniciativa për të realizuar një rol thellësisht dramatik si ai i Turandot kërkonte një guxim të madh, për vetë faktin se nuk mund të themi që ky është roli më i përshtatshëm vokalisht për të. Teknikisht e përsosur, vihej re siguria e saj në të kënduar. Me gjithë mundimin e saj për të sjellë një princeshë të akullt, timbri i ëmbël dhe pianissimot, të cilat janë pika më e fortë e saj, sollën një Turandot fine dhe elegante ndryshe nga ç’është në të vërtetë. Mund ta konsiderojmë versionin e Golemit një Turandot alla Montserrat Caballé. Po kështu ky rol i qe besuar dhe sopranos dramatike Irini Nikolla, pritshmëritë për të cilën ishin mjaft të larta duke qenë se nuk ishte hera e saj e parë që do të vishte kostumin e princeshës së akullt. Me gjithë shijen e mirë të lënë gjashtë vjet më parë në mbrëmjen e 7 dhjetorit asistuam në atë që dhe vetë Turandot këndon: … “Turandot Tramonta”, e cila do të përkthej si perëndimi i Turandotit. Prania e suflerit në këtë rast do të kishte qenë mëse e domsodoshme duke qenë se sopranoja Nikolla harroji fraza të tëra të aries “In Questa Reggia”. E hidhur dhe e trishtë, por kjo vazhdoi gjatë gjithë aries ku shpërqendrimi dhe moskoordinimi me dirigjentin na krijoi imazhin e një Turandoti të pasigurt. Me gjithë timbrin mjaft të përshtatshëm për këtë rol kalimet nga një regjistër në tjetrin bënë që shpesh zëri të ishte mjaft i lëkundur duke krijuar dhe luhatje intonative. Nuk patëm mundësinë të dëgjonim këngëtaren Sonila Baboci, emri i së cilës qëndronte vetëm në poster, ndërsa në skenë nuk u paraqit në asnjë nga datat e shfaqjes. Nuk duhet të habitemi sepse kjo nuk është hera e parë që ndodh. Sërish emri i të njëjtës këngëtare shkruhej në posterin e vënë 6 muaj më parë për premierën e operës “Don Carlos”. Të jetë vallë vetëm një koincidencë?
Natën e tretë surpriza e radhës ishte një Turandot e sapoardhur nga Maqedonia e cila u fut menjëherë në skenë. Me gjithë rezervat për mënyrën e të kënduarit vlen për tu vlerësuar profesionalizmi i kësaj këngëtareje e cila pa asnjë provë performoi në skenë denjësisht.
Ndërkohë që në rastin e personazhit të Calàf-it , përballeshin dy tenorë : Armaldo Kllogjeri (premierë) dhe Stephen Mullan (nata II,III). Të dy shumë të ndryshëm si në paraqitje ashtu dhe në vokal. Në rastin e Kllogjerit mund të konsiderohet si një performancë e mirë e tij, ku vlen për tu vlerësuar dhe koha rekord për përgatitjen e këtij roli. Zëri i tij melodioz rrëmbeu zemrën e publikut dhe bëri që të duartrokitej gjatë. Në rastin e tenorit Mullan vihej re një ndryshim timbrik gjatë kalimit nga një regjistër në tjetrin kjo dhe si pasojë e të shkuarës së tij si një bariton.
Liu-të u sollën nga dy këngëtare të reja njëra nga Shqipëria: Eriona Gjyzeli dhe tjetra nga Kosova: Besa Llugiqi. Ndërmjet të dyjave spikati thellësisht këngëtarja kosovare për të cilën pa frikë mund të themi se kemi të bëjmë me hapat e para të një primadonna emri i së cilës do të qëndronte denjësisht në teatrot më të rëndësishëm në botë. Timbri i saj melodioz, i butë, i kthjellët ( karakteristikat e një zëri Puccinian) ,si dhe lehtësia në të kënduar, sollën një Liù që do të mbahet mend gjatë. Po kështu vlen për tu përmendur dhe bass –baritoni Armando Lika, në rolin e Timurit, interpretimi i të cilit rrembeu duartrokitjet e publikut. Për të arritur në fund tek orkestra ku problemet nuk munguan. Shpesh dëgjohej ndonjë trombë e lodhur që i humbte madhështinë muzikës. Nuk munguan dhe problemet me dirigjentët ku problemet më të mëdha u vunë re nën udhëheqjen e zotit Edmond Doko ,ku tempet ishin shumë të ngadalta çka bëri që të krijohej një konfuzion mes korit dhe orkestrës.
Pamundësia e instrumenteve financiarë apo e burimeve njerëzore sjell atë që në art nuk pranohet kurrsesi: kompromisi. Shpesh tentojmë të mirëkuptojmë çdo gjë dhe asnjëherë nuk shprehim pakënaqësitë tona. Fryma kolektiviste është një mentalitet që vazhdon të ekzistojë dhe për sa kohë nuk përballemi me të vërtetën, niveli i artit shqiptar do të mbetet në kuadrin e një arti mediokër.