Topalli Gjate 2011 miratuam 450 ligje. Rama Ligjet nuk jane si kuintal per hektar
Publikuar me : 27.12.2011 Ne :
Politike - 72 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Edi Rama, kryetari i Partisë Socialiste ka reaguar mbi analizën vjetore të kryetares së Kuvendit e cila deklaroi se gjatë vitit 2011 janë miratuar mbi 450 ligje. Kreu i PS-së në rrjetin social “Twitter” shkruan se Topalli në këtë mënyrë e konsideron numrin e ligjeve të miratuara si kuintal për hektarë.
Lideri i opozitës nënvizon se analiza e Topalli është e ngjashme me ato të kooperativave gjatë sistemit totalitar dhe me sarkazëm shton se Topalli foli për arritje edhe pse opozita nuk la shiun të binte.
“Spikerja si në analizën e kooperativës dhe ligjet si kuintal për hektar rendiment i lartë vjetor madje paçka se opozita s’la shiun me ra!”, shkruan Rama në “Twitter”.
Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, gjatë analizës së punës të vitit 2011, ka deklaruar se është mbyllur me një bilanc pozitiv, pasi u miratuan edhe ligjet me shumicë të cilësuar. Për të, kryefjala e këtij viti për Parlamentin ishin reformat.
“Nga 17 janar- 22 dhjetor janë miratuar 219 akte, nga të cilat ligje, marrëveshje, rezoluta etj. Debatet për këto projektligje kanë qenë të gjata e të rëndësishme. Gjatë kësaj periudhe kemi zhvilluar 38 seanca publike në 155 orë debat parlamentar. Gjatë shqyrtimit të çështjeve në rend dite, deputetët kanë bërë 870 diskutime. Vetëm sesionin e fundit, ministrat i janë përgjigjur 990 pyetjeve të deputetëve. Kemi patur nëntë interpelanca me anëtarë të Këshillit të ministrave dhe Kuvendi me rezoluta ka vlerësuar veprimtarinë vjetore të 16 organeve Kushtetuese”, tha Topalli.
E pyetur mbi debatin më të fundit për kreun e shtetit dhe mënyrën e përzgjedhjes së tij vitin e ardhshëm, kryeparlamentarja citoi se respekton institucionin e presidentit dhe ajo që kërkohet prej tij është repektimi i Kushtetutës.
“Gjëja më e rëndësishme e vitit të ardhshëm është përvjetori i pavarësisë. Jemi me fat që të jetojmë në këtë 10- vjetor. Sa i takon axhendës së ndryshme unë repektoj institucionin e presidentit deri në një moment të caktuar. Ajo që kërkoj është respektimi i Kushtetutës”, shtoi Topalli.