Publikuar me : 27.12.2011 Ne :
Politike - 25 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli gjatë analizës së punës të vitit 2011, ka deklaruar se është mbyllur me një bilanc pozitiv, pasi u miratuan ligjet me shumicë të cilësuar.
“Kemi bërë punë të rëndësishme. Mbyllim vitin me bilanc pozitiv të miratimit të disa ligjeve me 3/5. Axhenda parlamentare ka patur vetëm një bosht themelor me emrin reforma. Ajo ka qenë në axhendën e punës së çdo deputeti, ka qenë në qendër të programit të punës së Parlamentit. Sot mund të them me krenari se ne po përjetojmë përjetësimin e këtyre reformave”, theksoi më tej Topalli.
Ndër të tjera, Topalli gjatë fjalës së saj theksoi se gjatë këtij viti, qëndrimi i Kuvendit ka qënë i drejtë, i mbështetur në Kushtetutë dhe duke mbrojtur parlamentarizmin.
“Nga 17 janar- 22 dhjetor janë miratuar 219 akte, nga të cilat ligje, marrëveshje, rezoluta etj. Debatet për këto projektligje kanë qenë të gjata e të rëndësishme. Gjatë kësaj periudhe kemi zhvilluar 38 seanca publike në 155 orë debat parlamentar. Gjatë shqyrtimit të çështjeve në rend dite deputetët kanë bërë 870 diskutime. Vetëm sesionin e fundit ministrat i janë përgjigjur 990 pyetjeve të deputetëve. Kemi patur nëntë interpelanca me anëtarë të Këshillit të ministrave dhe Kuvendi me rezoluta ka vlerësuar veprimtarinë vjetore të 16 organeve Kushtetuese”, tha Topalli.