Publikuar me : 08.12.2011 Ne :
Politike - 94 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

( I përditësuar)- Delegacioni i Parlamentit Evropian zhvilloi një takim me kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli. Kryetari i delegacionit, Eduard Kukan përshëndeti konsensusin mes partive politike dhe theksoi se “arritja e marrëveshjeve dhe votimi i tre ligjeve me 3/5 janë hapa inkurajues dhe konkrete. Shpresojmë të vijohet në këtë klimë, në përmbushje të aspiratës integruese”.
Kryetarja e Kuvendit theksoi se ndihet e lehtësuar që klima politike në parlament tashmë është normalizuar. “Kemi miratuar 3 kode që kërkojnë 3/5-tat, kemi ngritur komisionin për reformën zgjedhore, ashtu si edhe grupin e punës për Rregullore, bazuar në rregulloren e Parlamentit Evropian, me konsensusin e të gjitha palëve.”- u shpreh Topalli.
*********
Delegacioni i PE-së- Topit: Bashkëpunimi mes partive të japë rezultate pozitive
Delegacioni i Parlamentit Evropian takoi Presidentin Bamir Topi. Gjatë këtij takimi u vlerësua zgjidhja e ngërçit politik në vend dhe nisja e bashkëpunimit mes palëve për të përmbushur reformat.
Përfaqësuesit e delegacionit të PE-së u shprehën në takimin e me Topin se kanë shpresa të mëdha që bashkëpunimi mes klasës politike të japë rezultatet e duhura në funksion të aspiratave madhore të qytetarëve shqiptarë dhe Shqipërisë.
Kreu i shtetit Bamir Topi tha se procesi i integrimit të Shqipërisë në BE duhet të jetë i bazuar tërësisht në performancë dhe meritë, pasi realizimi i reformave është në interesin më të mirë të qytetarëve shqiptarë.
Presidenti Topi vlerësoi se “pas dy vjetësh ngërçi politik, perspektiva evropiane ka treguar se është një mjet bashkimi dhe tejet i rëndësishëm për ndërtimin e konsensusit ndërmjet klasës politike në vend”. Kreu i shtetit vuri në dukje gjithashtu se ngritja e Komisionit “ad hoc” për Reformën Zgjedhore dhe Grupit të Punës për rishikimin e rregullave të Kuvendit.
**********
Stabilizim-Asociimi, Kukan dhe Fajon takojnë sot në Tiranë krerët e shtetit
Sot në Tiranë është planifikuar vizita e një grupi përfaqësuesish nga Parlamenti Evropian PE-së në kuadër të takimit të 4-të BE-Shqipëri të Komisionit Parlamentar për Stabilizim Asociimin.
Delegacioni i PE-së do të kryesohet nga shefi për Evropën Juglindore në KE Eduard Kukan me pjesëmarrjen e europarlamentarëve Victor Bostinaru, nënkryetar i grupit S-D Rumani, Antonio Cancian nga EPP Itali, Tanja Fajon S-D Slloveni, Stanimir Ilchev nga partia ALDE Bullgari dhe Michail Tremopoulos nga Greens/EFA Greqi.
Gjatë ditës së sotme delegacioni i PE-së do të zhvillojë takim me presidentin Bamir Topi, me krye-parlamentaren Jozefina Topalli, me kreun e PS-së Edi Rama dhe me ministrin e Drejtësisë Eduart Halimi.
Ndërsa ditën e nesërme delegacioni i Parlamentit Evropian do të marrë pjesë në takimin e 4-ët BE-Shqipëri të Komisionit Parlamentar për Stabilizim Asociimin.