Publikuar me : 06.11.2011 Ne :
Politike - 69 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Bamir Topi
Presidenti i Republikës Bamir Topi ka reaguar pas letrës së deputetëve të PD-së të cilët i kërkon që dekretet e tij të jenë në përputhje me Kushtetutën dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me procedurën që duhet të ndiqet në këtë rast.
Në reagimin e presidentit thuhet se “në asnjë rast, Presidenti i Republikës nuk është gjendur nga Gjykata Kushtetuese në kundërshtim me këto dispozita”.
Topi ka bërë të qartë për PD se ai nuk do të konsultohet në asnjë rast me mazhorancën për emërimet pasi kjo nuk parashikohet në Kushtetutë por ka shtuar se bashkëpunimi mes tyre duhet të jetë vetëm institucional.
“Emërime të tilla nuk mund të kërkojnë konsultime paraprake, jo vetëm sepse vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk e kërkon, diçka të tillë, por edhe sepse parimi i ndarjes dhe balancimit të pushteteve presupozon respektim të kompetencave të secilit institucion dhe jo konsultim paraprak. Ky është edhe mendimi i anëtarëve të Komisionit të Venecias në Opinionin e datës 7 dhjetor 2004, ku thuhet se: Kërkesa për dhënien e pëlqimit nga Kuvendi, nuk do të thotë një ndërhyrje paraprake të Kuvendit në zgjedhjet e Presidentit, por do të thotë se Kuvendi ka kompetencën për dhënien ose jo të pëlqimit”, thuhet në reagimin e Topit.
* * *
Deputetët e Partisë Demokratike me anë të një deklarate publike i kërkuan Presidentit Bamir Topi, që çdo propozim që kërkon miratimin e Kuvendit, duhet ta bëjë në përputhje me Kushtetutën e vendit dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
Duke u nisur nga rasti i fundit, kur dekreti i Presidentit për kreun e KLSH, mori vetëm 1 votë, deputetët e PD, shprehen se “Dje, për herë të parë në historinë e Parlamentit shqiptar, që nga viti ’91, një dekret në Kuvendin e Shqipërisë mori vetëm një votë. Ky ishte votimi për kandidatin për kryetar të Kontrollit të lartë të Shtetit, të dekretuar nga Presidenti i Republikës”.
Shkak për këtë sipas tyre ishte fakti se ky propozim “ishte në kundërshtim të hapur me Kushtetutën dhe jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në deklaratë.