Publikuar me : 18.10.2011 Ne :
Politike - 66 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Reformimi i imunitetit është një proces që kërkon vullnet të përbashkët, ndaj duhet parë si një sfidë nga partitë parlamentare, në mënyrë që të mos mbetet vetëm parim i vënë në Kushtetutë. Ka qenë kjo deklarata e presidentit Bamir Topi në në tryezën për reformimin e imunitetit të organizuar nga ERALIUS.
Gjatë fjalës së tij, Topi i bëri thirrje Kuvendit që nëpërmjet komisioneve parlamentare të nisë punën për ndryshimet përsa i përket reformimit të imunitetit.
“Vendi ka nevojë urgjente për reformimin e imunitetit, jo vetëm si domosdoshmëri në kuadër të procesit të integrimit, por që barazia para ligjit të mos jetë vetëm parim i vënë në Kushtetutë. Vende të tjera evropiane e kanë bërë vite më parë, le t’u bashkohemi atyre. Reformimi është nevojë për zhvillimin e vendit, synim që i shërben qeverisjes demokratike dhe transparente. Ka ardhur koha të dalim nga frazeologjitë, deklaratat dhe vendimarrjet e njëanshme, mendoj se dy proces duhet konsideruar si sfidë e gjithë partive dhe kërkohet vullnet i përbashkët, konsensus për reformën”, tha Topi.
Në lidhje me reformat e kërkuara për integrimin në BE, Topi ka ripërsëritur kërkesën për dialog e bashkëpunim drejtuar partive politike në vend.
“Sot ka nevojë të ndërgjegjësohemi se sfida europiane e Shqipërisë kërkon punë, përkushtim, seriozitet dhe bashkëpunim. Aspiratat europiane të Shqipërisë duhet të jenë një sfidë e përditshme për të gjithë shoqërinë tonë, për zyrtarët, politikanët për ta bërë integrimin një bashkim real, një vlerë të rëndësishme që duam të arrijmë. Modeli i shtetit të së drejtës nuk mund të jetë i suksesshëm nëse nuk ka bashkëpunim”, theksoi Topi.
Gjithashtu, në takim ka marrë pjesë edhe ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Etore Sekui, i cili tha se reformimi i sistemit gjyqësor është një proces që duhet të përfundojë para anëtarësimit të vendit në BE. “Shqipëria ka nevojë që të ketë një ecuri bindëse për të përmushur kërkesat për anëtarësim dhe të tregojë që vendi ka institucione që mund të mbrojnë të drejtat themelore të njeriut”, tha Sekui.