Publikuar me : 12.12.2011 Ne :
Sport - 76 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Endi Tufa
Kombëtarja shqiptare mund të njohë ditën e hënë trajnerin e saj. Sipas shtypit italian është menaxheri i FIFA-s, Sokol Haxhia, që bën të ditur se ditën e parë të javës së ardhshme kuqezinjtë do të njohin emrin e timonierit të tyre. Në një intervistë të dhënë në redaksinë e faqes “Tuttomercatoëeb”, njeriu që po shoqëron presidentin e FSHF-së, Armando Duka në tratativat për të gjetur trajnerin e ri, bën të ditur se ai do të jetë italian.
Sipas Haxhias, zgjedhja e presidentit Duka për të marrë një trajner italian, vjen për shkakun se shkolla teknike e Italisë është absolutisht më e mira. Menaxheri i FIFA-s ka zbuluar gjithashtu faktin që Duka kërkon për një tjetër mandat trajner të huaj duke vijuar rrugën e zgjedhjeve të bëra deri më tani. Sipas tij, përzgjedhja e trajnerit do të bëhet zyrtare ditën e hënë duke konfirmuar se emrat në tratativë janë disa: De Biasi, Pillo, Karbone, Kamoleze dhe Berete. Megjithatë, menaxheri Haxhia nuk ka bërë të ditur se kush është në “pole position” dhe thekson se në garë janë të gjithë.
Kombëtarja shqiptare ka mbetur pa trajner që pas përfundimit të kontratës të kroatit Josip Kuze, i cili e drejtoi skuadrën deri në fund të eliminatoreve të Euro 2012. Pas largimit të tij u mendua që në krye të kuqezinjve do të vinte një shqiptar, por tratativat me Besnik Hasin janë prishur në çastet e fundit. Në dy ndeshjet miqësore të muajit nëntor ndaj Azerbajxhanit dhe Maqedonisë, skuadra është drejtuar nga trajneri i përfaqësueses së 17-vjeçarëve dhe ish-ndihmësi i Kuzhesë, Xhemat Mustedanagiç.