Trashegimia Kulturore shqiptare e shekullit te njezet nuk eshte e dokumentuar dhe as e studiuar.
Lorenc Bejko perpiqet te beje nje guide te pare qe perfshin uzina, fabrika, kombinate, bunkere, reparte, zona ushtarake, deri te objekte te dhunes shteterore, burgje, kloni kufitar.
Bejko Trashegimise po i propozohet nje model i para viteve 90, por edhe fryma e asaj kohe presione dhe shpifje te uleta ndaj kritikeve
Trashegimia Kulturore e shekullit te njezet eshte ne rrezik, se pari si cdo fenomen qe jeton mes nesh i panjohur. Trashegimia moderne eshte nje pasuri qe mbetet per tu studiuar, mbrojtur, regjistruar.
Instituti i Monumenteve te Kultures, kur i kerkon te dhena per kete teme, te percjell si ai qe ka ngaterruar pavijon.
Galeria Kombetare e Arteve nuk disponon qofte edhe indikacione elementare. Drejtoria Rajonale e Monumenteve per Tiranen eshte e urdheruar nga ministria e Turizmit dhe Kultures te mos flase per Shekullin. Individet. Ata qe mund ti vijne ne ndihme vendit jane individet qe nuk aderojne ne ndonje institucion-parti.
Duke marre shkas nga diskutimet e muajve te fundit per trashegimine ne rrezik, iu drejtuam Lorenc Bejkos, arkeolog-historian, ish drejtor i Institutit te Monumenteve te Kultures. Ai ben nje udhetim virtual ne vendet ku ndodhet Trashegimia moderne shqiptare dhe vlerat qe duhen dokumentuar sakte sipas kritereve te percaktuara.
Biseda me Bejkon, nuk harron te kujtoje se propozimet per reformen ne trashegimine kulturore jane kthim prapa, para viteve 90.
Eshte folur se fundi per problemin e mosregjistrimit te trashegimise kulturore te shekullit te njezete. Eshte mire qe si fillim te japim nje percaktim cfare perfshihet tek kjo trashegimi; cfare shtrirje gjeografike ka; cfare te dhenash ka deri tani per te; cfare duhet bere?
Trashegimia e shekullit te 20te, ose sic mund ta quajme ndryshe Trashegimia Moderne eshte nje koncept relativisht i ri per sistemin shqiptar te trashegimise kulturore, por jo vetem ate shqiptar. Vetem ne keto 20 vitet e fundit eshte ngritur ne menyre institucionale nga ICOMOS apo Qendra e Trashegimise Boterore, shqetesimi per studimin, vleresimin dhe konservimin e kesaj trashegimie.
Percaktimi i saj eshte jo gjithmone i lehte dhe ka evoluar brenda dy dekadave. Shume legjislacione kombetare per trashegimine, edhe ai shqiptar deri para pak kohesh percaktonin nje kufi kohor jo me pak se 100 vjet per objektet e vena ne mbrojtje si monumente kulture.
Kjo pike eshte e tejkaluar dhe jane bere perparime ne drejtim te mbrojtjes se Trashegimise Moderne. Edhe interesi juaj eshte shenje pozitive per sensibilizimin e shoqerise shqiptare per kete pjese te vlerave te saj. Eshte pikerisht sensibiliteti i ulet i shoqerise bashkekohore ndaj Trashegimise Moderne nje nga problemet/rreziqet e saj.
Shekulli i njezete ka vetem 10 vjet qe ka kaluar dhe distanca e shkurter e ben te veshtire objektivitetin e vleresimit te tij ne te gjitha kendveshtrimet. Te gjithe ne me te medhenjte se 10 vjec kemi lindur dhe e kemi jetuar ate, ndaj gjykimi i tij duket si gjykim i vetvetes, gje jo dhe aq e lehte per natyren njerezore. Nga ana tjeter, Trashegimia Moderne ka disa specifika ne krahasim me Trashegimine me te hershme qe do te perpiqem ti permend shkurt.
Nisur nga konteksti historik, cfare specifikash ka kjo trashegimi?
Sikurse edhe trashegimia me e hershme ajo moderne duhet pare si deshmi historike e nje periudhe te kaluar, por konteksti i saj historik eshte shume i ndryshem.
Ai ka ne thelb modernizimin e vrullshem te shoqerise njerezore qe eshte karakterizuar nga studiues te filozofise dhe sociologjise (po une po perdor ate te Jügen Habermas) si nje teresi procesesh te formimit te kapitalit dhe mobilizimit te burimeve, te zhvillimit te forcave prodhuese dhe rritjes se rendimentit te punes, te konsolidimit te pushtetit politik te centralizuar dhe formimit te identiteteve kombetare, te perpunimit te te drejtave te pjesemarrjes politike dhe te formave urbane te jeteses, te edukimit formal dhe te sekularizimit te vlerave e normave, etj. Pra, ne qender te modernizimit nuk qendron vetem koncepti teknologjik, por edhe ai i individualizimit te shoqerise, demokratizimit dhe industrializimit te saj.
Nuk ka dyshim se keto ndryshime te thella u materializuan me shfaqje te papara me pare si p.sh. metropolet e medha, komplekset industriale, format e reja te transportit dhe komunikimit, planifikimet urbane, banesat e medha kolektive, teknologjite dhe materialet e reja te ndertimit, konceptimet e reja te peizazheve, etj. Shqiperia nuk ben perjashtim.
Shekulli i njezete ishte jashtezakonisht i rendesishem per shoqerine shqiptare, historine dhe kulturen kombetare. Mjafton te permendim ngjarje te tilla madhore si shpallja e pavaresise, konsolidimi i shtetit shqiptar, mbreteria, Lufta e Dyte Boterore, industrializimi gjate periudhes se socializmit, apo ndryshimet rrenjesore politiko-shoqerore te viteve 1990 dhe clirimi i Kosoves.
Keto dhe shume te tjera kane formesuar nje trashegimi te pasur moderne shqiptare qe kerkon studim te thelluar, dokumentim te sakte dhe perpunim kriteresh koherente per venie ne mbrojtje nga sistemi i Trashegimise Kulturore.
Duke pasur parasysh dinamiken e asaj kohe, cfare dallimesh vihen re ne trashegimine e dy gjysmave te shekullit?
Vihet re nje dallim jo i vogel. Duken si me te pranueshme gjeresisht dhe me vlera me te spikatura monumentet e gjysmes se pare te shek. XX. Ndoshta per qendrimin emocional qe kemi ndaj periudhes se socializmit.
Por ka ardhur koha te jemi me te kujdesshem edhe ndaj investimit te madh dhe produktit historiko-kulturor te shoqerise shqiptare te gjysmes se dyte te shekullit te kaluar. Kemi jetuar dhe vazhdojme te jemi ne kontakt me Trashegimine Moderne dhe tentojme te mos e vleresojme objektivisht.
Shume gjera nuk na bejne pershtypje, nuk i shohim fare, nuk behemi merak per zhdukjen dhe degradimin e tyre. Kjo edhe sepse Trashegimia Moderne mbart pak koncepte origjinale dhe ne shumicen e saj perbehet nga riprodhime te shumta (te standardizuara) te nje forme.
Ne gjysmen e dyte te shek. XX, ndertimi dhe materialet tradicionale u zevendesuan nga teknologji dhe materiale te reja ndertimi. Objektet e arkitektures jane aq te shumta dhe i ndeshim ne forme te perseritur deri ne merzi, sa nuk na ngjallin asnje interes. Keshtu qe procesi i vleresimit dhe perzgjedhjes eshte i rendesishem. Percaktimi i kritereve te perzgjedhjes behet edhe me primar.
UNESCO dhe disa institucione te saj jane perpjekur te perpunojne disa linja guida ne kete drejtim. Ato e vene theksin tek aspektet estetike te Trashegimise Moderne, por edhe tek kontributi i saj ne historine e teknologjise dhe ne zhvillimet politike, kulturore, ekonomike dhe sociale.
Duhet konsideruar me kujdes vlera historike dhe antropologjike e monumenteve si produkte te rrethanave politiko-shoqerore, te merren ne mbrojtje tipe te rinj monumentesh qe perfaqesojne zhvillime te rendesishme ekonomiko-shoqerore. Vetem vlerat estetike nuk jane te mjaftueshme. Me rendesi ne vleresim jane idete, thellesia dhe impakti i tyre ne jeten reale, si dhe menyra e materializimit te tyre.
Si ish-drejtor i Monumenteve te Kultures keni bere dicka ne kete drejtim?
Nese i referoheni periudhes kur kam drejtuar IMK, mund te them se kam realizuar nje pjese te vogel te objektivave qe kisha per kete kategori te trashegimise.
Per arsye se nje sere rrethanash me detyruan ta nderpres vetem pas 15 muajsh qendrimin ne ate funksion, por edhe sepse puna e thelluar qe kerkohet me dukej larg kapaciteteve njerezore te IMK. Ishte dhe mbetet e forte bindja ime se ne ate institucion kerkohet nje pune strategjike per formimin e kapaciteteve dhe riformatimin e funksioneve. Kjo kerkon strategji afatgjate dhe te mos ndryshoje me ndryshimet e shpeshta te drejtuesve.
Sidoqofte, jam perpjekur te aktivizoj disa studime te vlefshme per venien ne mbrojtje te nje pjese te Trashegimise Moderne ne qytetet e Pogradecit dhe Bilishtit (studime te Prof. Pirro Thomo) si dhe shtrirjen e tyre ne disa nga peizazhet rurale me me vlere, si ne rastin e fshatit te Rehoves ne Kolonje. Bashkepunuam me disa universitete italiane per qendrimin ndaj objekteve te rendesishme ne Tirane, si Hotel Dajti, Pallati i Brigadave dhe ndertesa e Kryeministrise.
Duhet ta permend se gjeta ne IMK te trasheguar nga paraardhesit e mi (vecanerisht Artan Shkreli dhe Gjerak Karaiskaj) disa kontribute te rendesishme ne kete fushe. Mbetet e nevojshme vazhdimesia e punes.
Kontributi i tanishem lidhet me perfshirjen e kesaj teme ne programet e studimit qe Universiteti i Tiranes ka filluar per Trashegimine Kulturore, diskutimin me studentet e ciklit te dyte (Master) qe neser shpresoj te kontribuojne konkretisht ne njohjen dhe ruajtjen e Trashegimise Moderne.
Keni ngritur shqetesimin per efektet e infrastruktures mbi trashegimine mjedisore dhe kulturore. Sa e rrezikuar eshte ne vecanti trashegimia e shekullit te njezet nga transformimi qe po peson dita dites territori i vendit?
Transformimi i vrullshem i mjedisit shqiptar po behet nje karakteristike themelore e shek. XXI. Ndaj eshte e domosdoshme qe sistemi i Trashegimise Kulturore te beje disa hapa drejt perfshirjes ne keto zhvillime.
Krijimi i Agjencise se Sherbimit Arkeologjik dhe promovimi i Drejtorive Rajonale te Trashegimise ne nivelin e institucioneve te specializuara ishin dy nga keto hapa te rendesishem qe u ndermoren ne 2008.
Disa rezultate pozitive shihen qysh sot, me rritjen e numrit te investigimeve paraprake qe ASHA kryen qysh ne fazen e projektimit te veprave te ndryshme. Duhet punuar shume me fort per stimulimin e sektorit jo-shteteror, i nevojshem per te mbeshtetur punen e madhe qe kerkohet te behet.
Edhe ne kete drejtim shihet dicka pozitive sic eshte krijimi dhe aktiviteti profesional i Qendres Frasheri.
Trashegimia Moderne eshte e rrezikuar nese procesi i Studimit te Impaktit mbi Mjedis nuk kryhet seriozisht dhe me procedura rigoroze.
Para pak kohesh me terhoqi vemendjen protesta me bllokimin e perkohshem te punimeve per ndertimin e rruges Levan-Vlore nga banoret e nje fshati te Vlores. Kerkesa e tyre ishte jo vetem legjitime, por minimumi i asaj qe u takon.
Rruga ua ndan fshatin me dysh dhe per punet e tyre te perditshme prodhuese, u duhet te kalojne rrugen e re dhjetera here ne dite me mjete bujqesore dhe gje te gjalle. Jane te ndergjegjshem se do te rrezikojne jeten e tyre dhe te drejtuesve te mjeteve.
Kerkojne nen- ose mbi-kalim dhe kjo eshte e drejta e tyre e plote. Studimi paraprak i ndertimit te kesaj rruge duhet ta kishte marre parasysh ndikimin social-ekonomik te saj mbi kete komunitet.
E njejta gje vlen edhe per trashegimine kulturore te nentokes qe prekin ngritja e veprave te tilla...
Eshte tendence e perhapur tek investitoret dhe zbatuesit se procesi i Studimit te Impaktit mbi Mjedis sjell humbje kohe dhe parash! Jo! Eshte ligj i shtetit shqiptar dhe standard i shoqerise moderne qe duhet zbatuar dhe me shume seriozitet! Praktika ka treguar se nuk eshte humbje as kohe, as ngarkese financiare.
Perkundrazi, ndihmon planifikimin e mire, eviton problemet dhe pengesat e fazes se zbatimit. Nepermjet ketij procesi, Trashegimia Kulturore shnderrohet ne nje sektor te rendesishem ekonomik te shoqerise shqiptare.
Ofron pune per specialiste te rinj (dhe jo vetem te rinj) qe po perfundojne studimet ne sistemin e reformuar te arsimit te larte duke i nxitur te operojne si profesioniste te lire (vendet shteterore te punes nuk ka dyshim qe do te mbeten gjithmone te kufizuar), ose te inkuadrohen ne organizime jo-shteterore; aktivizon ato burime alternative financiare te shoqerise qe jane te nevojshme per vleresimin, dokumentimin dhe mbrojtjen e Trashegimise Kulturore; ofron sherbimin e domosdoshem per shoqerine e sotme dhe te neserme lidhur me mbrojtjen e pasurise kulturore dhe integrimin e saj me jeten e vendit.
Ne kete kuader, a keni ndonje koment per sa ka ndodhur me rrugen drejt nje parku te rendesishem si i Butrintit?
Edhe rasti i rruges ne zonen e mbrojtur te Butrintit buron nga moszbatimi i Studimit te Impaktit mbi Mjedis te projektit. Puna filloi menjehere, por organet e Trashegimise Kulturore nderhyne duke bllokuar punimet dhe bile edhe duke modifikuar projektin.
A nuk eshte kjo humbje me e madhe kohe dhe ekonomike per projektin, sesa koha dhe shpenzimi per kryerjen (te kerkuar me ligj!) e Studimit te Impaktit mbi Mjedis?
Rasti i Butrintit tregoi edhe nje gje tjeter interesante Agjencia e Sherbimit Arkeologjik u tregua nje institucion i afte per ta perballuar gjendjen emergjente te krijuar nga fillimi i papritur i punimeve. U krye vrojtim siperfaqesor arkeologjik dhe disa germime shpetimi me pas, qe treguan mundesine e negocimit te permiresimit te infrastruktures me ndikimin e saj mbi pasurine arkeologjike.
Per sa i perket qendrimit tim ndaj rruges ne Butrint, mendoj se permiresimi i saj dhe i sigurise se vizitoreve ishte e domosdoshme (sic permendet edhe ne planin e administrimit te Parkut Arkeologjik te pranuar edhe nga UNESCO), por projekti mund dhe duhet te ishte me modest dhe me ndikime sa me te kufizuara mbi mjedisin natyror.
Meqenese nuk e kam pare asnjehere projektin perfundimtar te rruges, kete gjykim e mbeshtes ne ato qe kam verejtur ne terren. Rasti i Butrintit tregon se sa i nevojshem eshte edhe debatimi publik i disa projekteve sensitive. Koha kerkon hapje me te madhe te institucioneve ndaj shoqerise dhe grupeve te interesit dhe nje dialogim me efektiv me ta.
Keni qene kritik ndaj perpjekjes per reformimin e sistemit te trashegimise kulturore ne vend. Shume shpejt, me fillimin e punes se parlamentit shqiptar pritet te kete te reja ne kete drejtim. Ku po gabohet me ndryshimet e propozuara nga MTKRS dhe keshilltaret e trashegimise?
Une nuk pretendoj ti jap vetes rolin e gjykuesit se kush gabon e ku. Por kam shprehur mendimet dhe bindjen time. Shoqeria shqiptare kerkon nje rol shume dinamik te Sistemit te Trashegimise Kulturore.
Qe nga viti 2003 e ketej kjo ka filluar te ndodhe hap pas hapi dhe nje pervoje pozitive, sikurse dhe shume probleme jane evidentuar dhe kerkojne zgjidhje. Krijimi i parqeve arkeologjike, Agjencise se Sherbimit Arkeologjik dhe nisja e forcimit gradual institucional te Drejtorive Rajonale te Trashegimise Kulturore, se bashku me administrimin e dedikuar te disa muzeve kombetare (Kruje, Berat, Korce) ka cuar ne disa rezultate pozitive qe duhen thelluar. Jemi ende shume larg transformimit te ketyre realiteteve ne produkte te mirefillta kulturore, por rruga e zgjedhur eshte ne drejtimin e duhur.
Çfare kam parasysh me produkt kulturor? Nje muze ose nje Park Arkeologjik, p.sh. nuk mund te mbeten vetem vende ku dikush pastron barin dhe mbeturinat, apo ruan territorin dhe merr edhe masa konservuese; vendos disa tabela drejtuese dhe emertuese te monumenteve apo objekteve. Jo.
Atehere cduhet te jete nje park apo nje muze arkeologjik?
Duhet te jete nje institucion qe prodhon kulture, qe te shnderrohet ne qender te aktivitetit kulturor te territorit te gjere rreth tij; u drejtohet grupeve te ndryshme te shoqerise dhe vizitoreve potenciale duke u ofruar atyre arsye te forta pse duhet te vizitojne dhe rivizitojne; promovon koleksionin dhe monumentet e veta, por edhe thelbin kulturor te komuniteteve rreth tij; shnderrohet ne pike referimi per identitetin rajonal; nxit prodhimet tradicionale lokale; ndikon ne ekonomine e zones; behet aktiv ne edukimin e qytetareve, vecanerisht te brezit te ri nepermjet programeve kreative te edukimit; promovon aktivitete dhe produkte te diversifikuara turistike; ben marketimin e vlerave te veta; nxit aktivisht kerkimin shkencor, njohjen e thelle te monumenteve apo koleksioneve; monitoron, miremban dhe konservon objektet dhe peizazhet qe administron; bashkepunon me institucionet brenda dhe jashte vendit. Behet, pra, nje organizem i gjalle dhe aktiv.
Per te arritur kete nuk ka rruge tjeter vec profesionalizimit te ketyre institucioneve dhe forcimit te strukturave administruese. Keto struktura nuk duhet te shkrihen dhe te reduktohen ne nje grup punetoresh mirembajtjeje sepse kjo do ta reduktonte rolin e institucioneve ne ate qe kishin para viteve 1990. Koncepti i konservimit te monumenteve ne kohen tone eshte nje proces dinamik negocimi te vazhdueshem.
Ai behet atje ku eshte monumenti dhe ne kontakt te vazhdueshem me te gjithe faktoret sociale dhe ekonomike rajonale dhe lokale. Per kete arsye Drejtorite Rajonale te Trashegimise Kulturore jane dhe duhet te behen shtylla kurrizore e sistemit te Trashegimise. Ato absolutisht nuk duhet te shnderrohen ne struktura te thjeshta zbatuese te urdhrave qe vijne nga qendra.
Ato duhet te forcohen profesionalisht dhe te shnderrohen ne administruesit e vertete dhe te pergjegjshem te Trashegimise se territorit te tyre. Ky eshte nje nga problemet e medha parimore qe kam me ato qe sic thoni ju do te fillojne te ndodhin ne shtator.
Ku bazohen ndryshimet qe propozohen?
Ndryshimet qe propozohen bazohen ne nje koncept teresisht te tejkaluar kohe per trashegimine dhe zhvillimin e saj te qendrueshem. Sic e kam thene shpesh, ato perfaqesojne te kaluaren dhe ne asnje menyre te ardhmen e sistemit shqiptar te trashegimise. Perfaqesojne nje kthim shume te perkohshem dhe shume te panevojshem mbrapa (nuk e di pse duhet ta pranojme kete, po mesa duket po behet realitet qe nuk kemi cti bejme vec shprehjes se mendimeve alternative).
Qe nga momenti kur MTKRS nisi diskutimin e hapur per propozimet e bera e deri sot kam pare me shume kujdes se si propozuesit jo vetem qe sjellin modelin e para viteve 90, por edhe frymen e asaj kohe presione dhe shpifje te uleta ndaj kritikeve, shantazhe ndaj njerezve te sistemit, intriga te paprincipa. Mendimet alternative dhe vecanerisht kundershtite i quajne si humbje kohe dhe bartesit e tyre si armiq personale.
E gjitha kjo me ka habitur pa mase dhe nxitimi i madh per te mbaruar pune shpejt, shpejt, shume shpejt e ben te domosdoshem monitorimin e kujdesshem te ecurise se gjerave.
Thellimi i reformimit eshte i nevojshem dhe duhet te mbeshtetet ne studimin e thelluar te te sotmes dhe te se ardhmes. Duhet te ngjalle entuziazem ne zgjidhjen e gjerave dhe ne debatimin e hapur te alternativave. Duhet te frymezoje vecanerisht te rinjte e sistemit qe jane e ardhmja fiziologjike e tij.
Kurse keto ndryshime ju siguroj qe jane depresive, te papjekura, siperfaqesore dhe konfuze. Humbje e vertete kohe, peshqesh per ate brez te operatoreve te sistemit te trashegimise qe ka misionin ta cojne realisht perpara modernizimin e tij dhe qe sot ka si alternative te vetme fjalen.
Disa kategori te Trashegimise Moderne
Uzina, fabrika, bunkere, burgje
Lorenc Bejko vlereson trashegimine moderne per shumellojshmerine dhe cilesine e saj. Ja cilat jane sipas tij disa nga kategorite kryesore te Trashegimine Moderne Shqiptare
- Trashegimia industriale e vleresuar ne raport me arkitekturen, territorin dhe mjedisin uzina, fabrika, kombinate (ai metalurgjik ne Elbasan eshte vecanerisht terheqes) dhe elemente te tjere te lidhur me to.
- Ansamblet urbane apo zonat industriale si zgjerime te atyre tradicionale, ose qytete te rinj fare te ngritur nga zero ne funksion te nje koncepti te ri te organizimit ekonomik, shoqeror dhe te territorit.
- Koncepte te reja urbane, plane urbanistike.
- Trashegimia e mobilitetit format e reja te transportit, infrastruktures, veprave inxhinierike si rruge, ura, porte, aeroporte, hekurudha, stacione treni, etj.
- Peizazhe urbane, rurale dhe hapesira publike si sheshe, parqe, kopshte, zona rezidenciale, etj.
- Objekte kulturore-edukative pallate kulture, muze, shkolla, universitete, kampuse universitare te tipit te qytetit studenti.
- Objekte te rinj banimi kolektiv.
- Objekte sportive si stadiume, pallate sporti, pishina sportive, poligone qitjeje.
- Objekte shendetesore si spitale, poliklinika, qendra spitalore.
- Objekte administrative te administrates qendrore dhe lokale.
- Objekte te artit monumental skulptura monumentale, mozaike, relieve, shatervane publike.
- Objekte te mbrojtjes dhe ushtarake bunkere, reparte, zona ushtarake, armatime luftarake jashte funksionit (aviacioni, flota, armet e tjera).
- Objekte te dhunes shteterore burgje, kloni kufitar.