Publikuar me : 26.01.2012 Ne :
Kuriozitete - 52 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Kristi Pinderi
Ka disa pyetje, në dukje teknike, që mund të ndihmojnë opinionin publik për të kuptuar dinamikën e një krimi në datën 21 janar të një viti më parë, dinamikë që në fakt ka vazhduar për plot një vit të tërë e që me gjasa vazhdon akoma. Ne po bëjmë më poshtë disa pyetje dhe po tentojmë të gjejmë përgjigjet, deri në atë pikë sa na lejon informacioni që tashmë mund të sigurohet.
Pyetja e pare: Dikush ka vendosur të riformatojë serverin për të fshirë të dhënat, por kush vendosi që para fshirjes nga origjinali, të dhënat të ruheshin në një kopje tjetër?
Përgjigje, për aq sa është e mundur, deri tani: Pak pas mesnatës, mes 21 dhe 22 janarit 2011, kompjuteri qëndror, ai i serverit në Kryeministri, është riformatuar. Sipas ekspertizës amerikane dimë që ndërhyrja e parë thelbësore në server ka ndodhur në orën 00.51 të datës 22, pra disa orë pas demonstratës. Logjikisht, kushdo beson me të drejtë se një ndërhyrje e tillë, sidomos në atë orë, është një ndërhyrje emergjente që synon të fshijë të dhënat, video por edhe audio që janë ruajtur deri në atë moment në serverin e kryeministrisë nga plot 11 kamera me qark të mbyllur. Për fat të keq, ky është një informacion që nuk na tregon dot se pse fiks 5 orë më parë këto të dhëna janë ruajtur në një memorie të jashtme (external drive)! Dikush vendos të fshijë disa prova dhe urdhëron procesin e riformatimit! Ne dimë se kur një vrasës kërkon të fshejë gjurmët e krimit, ai fsheh çdo gjurmë të mundshme, por asnjëherë nuk mban apo ruan gjurmët, siç në fakt, paska ndodhur me rastin e 21 janarit. Dmth, 5 orë para se gjurmët të fshiheshin, ato janë ruajtur në një memorie të jashtme! Pyetja qëndron, akoma pa përgjigje:Kushka vendosur që gjurmët e një krimi të ruheshin në një kopje tjetër, e 5 orë më vonë të fshiheshin nga origjinali…?
Pyetja e dytë: 11 kamerat e kryeministrisë, çfarë informacioni të veçantë mund të na japin më shumë, në krahasim me ato qindra orë xhirime nga kamerat e televizioneve që dokumentuan edhe më një kënd më të gjerë mbulimi gjithçka që ndodhi jashtë kryeministrisë në 21 janar?
Përgjigje, për aq sa është e mundur, deri tani: Eshtë lehtësisht e verifikueshme edhe me sy të lirë se në territorin e jashtëm të Kryeministrisë nuk ka më shumë se 5 kamera! Njëra është e pozicionuar në anën jugore, përballë hotel Rognerit; një tjetër është gjithashtu në anën jugore, që mbulon hyrjen anësore në kryeministri, atje ku parkon eksporta e kreyministrit, një tjetër ndodhet në cepin tjetër, sërish në anën jugore, veçse kjo e treta ka të paktën 180 gradë mundësi mbulimi (dmth është e lëvizshme); e katërta ndodhet në cepin verior të fasadës kryesore, ajo shikon edhe nga bulevardi, por mbulon edhe një pjesë të anës veriore të kryeministrisë (kamera që më shumë se të tjerat ka mundur të dokumentojë të gjitha vrasjet); e pesta ndodhet në hyrjen nga ana veriore, zakonisht atje nga hyjnë ministrat, nën portikun me disa kollona; një e gjashtë mund të jetë në anën lindore, andej nga në fakt monitoron më shumë Ministrinë e Financave, sesa vetë ndërtesën e kryeministrisë, por ajo është e vështirë të dallohet nga kalimtarët. Pra kemi 5 në rastin më të keq, apo 6 kamera maksimalisht, që të gjitha jashtë ndërtesës. Ku janë 5 të tjerat? Ka të paktën një kamerë në çdo kat (deri këtu bëhen 9 kamera gjithsej, meqë janë 3 kate kryesore). Ngelet për tu kuptuar ku janë dy kamerat e tjera nga 11 gjithsej që përbëjnë sistemin monitorues. Njëra, mund të jetë në katin e nëndheshëm të kryeministrisë, është një kat zakonisht edhe për shërbime për stafin. Sërish, mbetet të kuptohet se ku ndodhet kamera e 11? Logjika ta thotë se ajo është kamera që monitoron nga afër paradhomën e kryeministrit… Ndërkohë, nga veprimet e IT për të kopjuar të dhënat e serverit, duket qartë se kemi të bëjmë me plot 12 komanda të tipit copy-paste (kopjimi i parë ndodh më 19.24 minuta, e me rradhë deri në kopjimin e 12 në orën 21.34), mos kemi të bëjmë edhe me një kamera të 12-të…?
Rikthehemi te pyetja se për çfarë arsye është urdhëruar që të dhënat e këtyre kamerave të fshiheshin, pak minuta para orës 1 pas mesnate të datës 22 janar 2011? 6 prej tyre, ato që mbulojnë territorin e jashtëm, edhe po të mos ishin fare sdo na thonin ndonjë gjë më shumë se ajo që dimë tashmë, falë gjithë atyre kamerave të televizioneve që kanë qenë atje për orë të tëra. Logjikisht beson se kamerat e brendshme, ato në secilin kat kryesor, dhe sidomos kamera 11 (apo me gjasa dhe një e 12) paskan rregjistruar diçka që askush nuk duhet ta marrë vesh… Cfarë konkretisht? Minimalisht kanë rregjistruar hyrjet dhe daljet në zyrën e kryeministrit, por me gjasa kanë rregjistruar edhe zëra, pra audio… Një përfytyrim i pafre s’do e kishte problem të imagjinonte ndonjë prej zyrtarëve duke dalë a duke hyrë në zyrë, e duke dhënë urdhëra me zë të lartë në telefon, m’u aty para kameras… Përndryshe, për çfarë arsye duhej urdhëruar fshirja e tyre?!
Pyetja e tretë: Ku ndodhet materiali i fshirë nga serveri?
Pergjigje: Një memorie e jashtme e aftë për të ruajtur regjistrimet e të paktën 11 kamerave duhet të jetë minimalisht një external drive që nuk kushtojnë dot më pak se 120 dollarë në Shqipëri. Blerja e një objekti që kushton të paktën sa një pension qyteti, me siguri do të ishte dokumentuar nga administrata qëndrore, në kryeministri, diku duhet të jetë ndonjë faturë, diku duhet të ketë ndonjë gjurmë të saj e nëse ka, me siguri të dhënat e kopjuara ndodhen akoma në pronë publike!Apokemi të bëjmë me një aparaturë që nuk gjendet në asnjë inventar shtetëror? Nëse është kjo e fundit, mos ndoshta kemi të bëjmë me një dëshmitar kryesor deri më dje pa asnjë rol e pa asnjë indikacion, që befas, mund të shndërrohet në një hero të vërtetë, ose në një viktimë të 5 të 21 janarit…?