Publikuar me : 26.07.2011 Ne :
Kulture - 97 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Mimoza Hysa, prozatore dhe përkthyese e palodhur e letërsisë prej gjuhës italiane, zbret në fushën e studimeve letrare me një sprovë që për subjekt ka trishtimin dhe ankthin ekzistencial te poeti ynë kombëtar Naim Frashëri. Ja dhe sugjestioni “poet kombëtar” që i tërheq të gjitha kahet e vështrimeve e që përpos orientimit mohues të derivonë të kritikës letrare, e ka shmangur shqyrtimin e përmasës më njerëzore në poezinë e tij.
Në sprovën “Trishtimi në poezinë e Naimit. Vështrim krahasues me poezinë e Giacomo Leopardi-t” e mbajtur në konferencën shkencore në Përmet javën e shkuar, në kuadër në projektit “Qytetet shtegtuese të kulturës”, Mimoza Hysa tërheq vëmendjen ndaj një poezie me vlera estetike e studiuar pak.
Ja një shembull nga thelbi i trishtimit të poezisë së Leopardit (1798-1837), që vjen prej kontradiktës së natyrës me arsyen: “O natyrë, o natyrë/ Përse nuk na e kthen më pas/ Atë që herët na e premton? Përse kaq fort/ I mashtron bijtë e tu?” (Silvias; Këngët). Ndërsa Naim Frashëri “e shkrin natyrën me kohën që rrjedh duke e fajësuar po njëlloj për mashtrimin”: “Si t’ia bënjë zemr’ e mjerë/ Me kohënë gënjeshtare,/ që ndrohetë kurdoherë/ dhe s’ngjan me të parët fare?/ Po tuke ikur na rrëmben/ Gjithë ç’duam e ç’gjë kemi;/ Oh, e shkreta seç na gënjen!/ Ashtu si qemë, më s’jemi!” (Kohë e shkuarë; Lulet e verësë)
Mimoza Hysa del në konkluzionin se “Naimi është një poet që e gjen shpëtimin tek besimi dhe aktivizimi në çështjen kombëtare, gjë që do të thotë se çështja kombëtare nuk përbën domosdoshmërisht qëllimin parësor të shkrimit të poezive. Kjo do të thotë se poezia nuk lind së jashtmi nga qëllimet, por së brendshmi nga përjetimet dhe aty duhet kërkuar”. Përfundimi tjetër me rëndësi i autores tërheq vëmendjen që përzgjedhja e lëndës letrare të Naim Frashërit në tekstet shkollore, ka nevojë të rifreskohet.
INTERVISTA
Përse është i nevojshëm rivlerësimi i poezive të trishtimit te Naimi?
Rishikimi dhe rivlerësimi i letërsisë shqipe në përgjithësi është ngritur prej kohësh nga studiuesit e sotëm si domosdoshmëri dhe nevojë e kohës. Poezia e Naimit në veçanti është situr hollësisht në planin historik dhe poeti ynë mban denjësisht aureolën e poetit kombëtar. Ky cilësim në vetvete e paracakton poezinë naimiane me kufij të qartë kohorë dhe vendorë, gjë që nënkupton një poezi të motivuar e me një qëllimtari të shprehur, në shërbesë të problemeve madhore të kohës, duke anashkaluar poezinë që ka në thelb shpirtin e pakohë e të pavend të njeriut.
Qëllimi i kumtesës sime ka qenë pikërisht përpjekja për të rivlerësuar atë korpus poetik naimian që ka për tematikë trishtimin njerëzor parë si burim të ankthit ekzistencial e metafizik që dëshmon për thelbin e përbotshëm e të përjetshëm të njeriut.
Ju i referoheni pak studiuesve paraardhës për vështrimin krahasues me Leopardin, por cila është e reja në këndvështrimin tuaj krahasues?
Kumtesa ime është hartuar sipas metodologjisë së studimeve të letërsisë krahasuese, e cila ka për objekt trajtimin e një dukurie letrare në një pikëvështrim krahasues ndërkulturor. Përgjithësisht përkthyesit, për nga vetë formimi i tyre, priren drejt përballjes së kulturave të ndryshme duke hedhur urat lidhëse për ëndrrën e madhe goetheiane të
Weltliteratur-ës. Për poezinë e Naimit ka padyshim studime të thelluara dhe cilësore (si psh. studimet e Jorgo Bulos) që mbështesin arsyetimin tim, por qëllimi i trajtesës ka qenë parja e poezisë së Naimit përtej kufijve kombëtarë dhe për këtë gjë më është dashur të heq paralele të reja me një poet tipik të romantizmit italian, i cili ka mbetur në historinë e letërsisë italiane dhe asaj botërore jo aq për korpusin e poezive patriotike që nuk i mungojnë, por për ato poezi që arrijnë ende sot të komunikojnë me lexuesin si për filozofinë e pakohë që përcjellin ashtu dhe për vlerat estetike që mishërojnë. Vetë kjo përqasje përbën një risi në studimin e poezisë naimiane, sepse nëpërmjet evidentimit të pikëtakimeve dhe pikëndarjeve mes dy poetëve arrijmë të dallojmë cila është poezia naimiane që ruan vlerat humane të perceptueshme nga çdo kohë dhe çdo shoqëri.
Mbi çfarë kritere duhet orientuar rishikimi i poezive të trishtimit?
Poezia e Naimit duhet riparë dhe riinterpretuar duke u bazuar për më tepër në kriteret estetike dhe në ato letrare, edhe pse në rastin e Naimit këto kritere nuk mund të jenë vendimtare. Duhet pasur parasysh se poezia që lidhet ngushtësisht me një periudhë historike, detyrimisht vjetrohet dhe nuk mbetet si koha. Nga trajtimi i tezës së parashtruar në kumtesë arrihet në konkluzionin se Naimi është një poet me shpirt të trishtuar që e gjen shpëtimin tek besimi dhe aktivizimi në çështjen kombëtare, gjë që do të thotë se çështja kombëtare përbën spiralen e shpëtesës dhe jo domosdoshmërisht qëllimin parësor të shkrimit të poezive. Kjo do të thotë se poezia nuk lind së jashtmi nga qëllimet, por së brendshmi nga përjetimet dhe aty duhet kërkuar.
Është pasuruar leximi i teksteve të poetëve që deri vonë janë parë si poetë socialë apo patriotë. Është pasuruar ky lexim duke iu referuar edhe teksteve bazë të religjioneve, si Bibla për rastin e Migjenit, apo Kurani në leximin që i bëni ju koncepteve te Naim Frashëri. Çfarë është arritur në të vërtetë?
Bibla dhe Kurani janë dy libra që fshehin kode të rëndësishme për zbërthimin e veprave letrare që, në studimet tona kritike të mëparshme janë anashkaluar. Nuk ka sesi të studiosh veprën letrare të Rilindjes, dhe sidomos të Naimit, pa iu referuar dy librave që kanë qenë dhe librat formues të kulturës së vetë poetit. Koncepti i pafundësisë, si burim ankthi tek njeriu, si pikënisje e trishtimit, mund të shpjegohet dhe të kuptohet më mirë duke iu referuar Kuranit që termin e përmend vetëm katër herë dhe në të gjitha rastet duke iu referuar Perëndisë. Të konceptuar në të njëjtën mënyrë e gjejmë edhe në poezinë e Naimit, edhe pse do të thosha se ka raste kur kjo pafundësi mbetet e paidentifikuar duke i lënë shteg përhumbjes dhe kërkimit njerëzor, gjë që e bën Naimin poetin pararendës të pikëllimit dhe trishtimit njerëzor që do të sjellë më vonë poezinë e projektuar së brendshmi.
Sprova juaj bën disa pohime të tërthorta që tërheqin vëmendjen ndaj dominimit të studimeve të poetit në planin historik po edhe ndaj kontradiktave të qarta. A ka ndryshuar dhe evoluar leximi i Naimit në disa dhjetëvjeçarë? A ka nevojë të rifreskohet përzgjedhja e lëndës së tij letrare në tekstet shkollore?
Dyshimi ku mbështetet trajtesa ime nis pikërisht nga përcaktimi i hershëm i Namik Resulit për Naimin si poet i karitasit, i mëshirës, gjë që bie ndesh me përcaktimet e studiuesve të mëvonshëm. Në studimet e tanishme është përqendruar vëmendja tek vlerat estetike të veprës së Naimit, gjë që u vu re edhe në kumtesat e mbajtura nga studiuesit e shkollës doktorale në Konferencën e mbajtur në Përmet. Por ajo që nuk ka ndryshuar dhe që përbën problem edhe për edukimin e shijeve të një brezi të tërë është përzgjedhja e kanonizuar e poezive të Naimit në tekstet letrare, rifreskimi i të cilave është tashmë një domosdoshmëri.
Duke rilexuar poezitë e trishtimit, cilat kanë marrë vlerën e një teksti të rizbuluar për ju?
Naimi është ndoshta poeti më i njohur për të gjithë që është stampuar tashmë në kujtesën tonë me poezitë patriotike. Nuk është e lehtë të riformatosh një figurë tashmë të kanonikuar dhe të gjesh bisqe apo vargje poezish të lëna në harresë. Por ka një varg poezish tek “Lulet e verës” apo tek “Ëndërrimet” që përmenden në trajtesën time që nxjerrin në pah një poet me një shpirt ëndërrimtar, enigmatik, melankolik e hulumtues, larg optimizmit e shpirtit luftarak e patriotik me të cilin jemi mësuar ta shohim Naimin. Është pikërisht kjo anë e errët dhe e pavënë në dukje që mund të komunikojë më mirë me lexuesin e sotëm dhe atë të së ardhmes.
Studimi
Mimoza Hysa (1967) ka studiuar Gjuhë Italiane në Universitetin e Tiranës. Janë botuar përkthime të sajat, vepra nga Maria Corti, Unghareti, Quasimodo, Montale, Mazzantini, Buzzati, Tabucchi, Manfredi, Livi. Është autore e romanit “Koha e Erës”, “Histori pa emra”, përmbledhje tregimesh. Mimoza po punon për doktoraturën mbi veprimtarinë letrare të Isuf Luzajt. Ka botuar librin e parë studimor mbi Luzajn “Esenca dhe Ekzistenca e Isuf Luzajt”. Sprovat e saj letrare kanë trajtuar deri tani çështje të riinterpretimit të veprës letrare të autorëve të ndryshëm parë në një këndvështrim krahasues. Në këtë këndvështrim është parë edhe sprova: Budi përkthyes, përshtatës apo krijues? (Sprovë përqasjeje e këngës së parë Dita e gjyqit tek Dottrina Christiana e Budit dhe Dies irae, dies illa të Tommaso da Celano).
Elsa Demo