Publikuar me : 09.12.2011 Ne :
Sport - 52 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Endi Tufa
Hije trukimi në “Champions League”. Skandali më i fundit lidhet me ndeshjen ku Lioni fitoi 7-1 në fushën e Dinamos së Zagrebit. Me këtë fitore deri diku të papritur për shifrat kaq të thella, skuadra franceze siguroi kualifikimin, duke detyruar Ajaksin që prej golavarazhit më të dobët të eliminohej, për të vazhduar aventurën në “Europa League”. Por dyshimet kanë lindur me tërësinë e ngjarjeve të Grupit D. Ajaksi humbi 3-0 në Amsterdam me Realin e Madridit.
Ndoshta skuadra e Hoze Murinjos ka fituar me meritë të plotë, por rezultati mund të duket paksa i tepruar. Kjo edhe për faktin se holandezëve u janë anuluar dy gola të rregullt, të shënuar në pjesën e parë nga Lodeiro dhe Anita. Në të dyja rastet, sinjalizimi për pozicion jashtë loje ka qenë i gabuar. Skenari që të gjithë i tremben, plotësohet nga ajo që ndodhi në sfidën e luajtur në Zagreb, në përballjen tjetër vendimtare për skuadrën që do të kualifikohej si e dyta në grup.
Por, imazhi nga i cili lindën dyshimet, erdhi në minutën e 64-t, kur pas golit të pestë të francezëve, mbrojtësi Domagoj Vida i shkel syrin sulmuesit Gomis dhe ngre lart gishtin e madh. Pavarësisht se ky episod bëri shumë bujë në internet dhe mediat ndërkombëtare, pamjet nuk mjaftuan që UEFA të hapte një hetim.
Kjo u konfirmua nëpërmjet një deklarate zyrtare nga federate europiane e futbollit, ndërsa çështja është marrë në shqyrtim vetëm nga autoriteti francez i basteve on-line. Kjo pasi Lionit i nevojitej një fitore me shtatë gola që të kualifikohej dhe që Reali ta ruante rrjetën të paprekur me Ajaksin.