Shtypi shqiptar online - Lajme dhe te reja !
Turandot ne diktaturen gri

Publikuar me : 04.12.2011 Ne : Kulture - 36 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Nga Jorida Pasku

Kur hapet skena e parë e operës “Turandot” të Xhakomo Puçinit në provat e Teatrit të Operës dhe Baletit, nën regjinë e Nicola Zorzi-t, përpara kostumeve gri, kapotave të errëta të burrave, skenografisë që mban në të njëjtat tone ngjyrat, hiqet dorë nga të parit e shfaqjes si një përrallë e magjishme. Kutitë metalike dhe ato të drunjta të ngjyera me varak, rëndojnë edhe më në ndjesi. Asgjë nga kimonot e vendit ku merr jetë ngjarja, apo kapjet e hijshme të flokëve.

Gratë e operës shqiptare e mbulojnë kokën me shami gri. Një krijim i skenografes Manuela Gasperoni që ka ardhur nga Italia bashkë me regjisorin.

Kompozitori nuk arriti ta përfundonte në gjallje të vet veprën me tri akte (deri në vitin 1924), madje edhe për titullin më vonë pati dilema, kështu që regjisorët nuk kufizohen në konceptin mbi të cilin ngrenë shfaqjen.

Fakt është që “Turandot” filloi të krijohej më 1921. Puçini njihte edhe versione të tjera të veprës, atë në gjermanisht të Fridrih Shilerit me titull: “Turandot, princesha nga Kina”, që bazohej në tekstin e hershëm të Carlo Gozzi-t. Historia është një përrallë e koleksionit pers “Libri i një mijë e një ditëve”. Në këtë kohë ekzistonte edhe një version frëngjisht i librit “Një mijë dhe një ditë” nga François Pétis de la Croix.

Krijuesi e kishte të mbaruar veprën në kohën kur ndjeu shqetësime serioze me shëndetin, por teksti i duetit të fundit e linte të pakënaqur. Mëdyshjet vazhduan deri kur Giuseppe Adami, një nga dy libretistët e operës bashkë me Renato Simoni-n, punoi për të dhe ranë dakord. Dy ditë më vonë, u diagnostikua sëmundja, ishte kancer. Puçini u nis menjëherë drejt Brukselit. Para se ta linte qytetin e kurimit, i bëri vizitë Toscanini-t, që më vonë do bëhej dirigjenti i premierës dhe iu lut: “Mos e lër të vdesë Turandotin tim”. Zemra e Puçinit pushoi më 29 nëntor 1924 pas një ataku. Ishte pikërisht koha kur trajtimi me rreze dha rezultat! Tekstin e veprës e kompletoi më vonë Franco Alfano. Premiera u mbajt në Teatrin La Scala, Milano më 25 prill, 1926. Për shkak të portetizimit që i bëhej shoqërisë kineze, vepra u lejua në Kinë vetëm në të dalë të shek të XX. Veç tematikës, nuk llogaritej fakti që muzika sillte frymën tradicionale, në himne, melodi dhe ritëm.

Orkestra e “La Scala”-s u drejtua nga njeriu të cilit Puçini i besoi amanetin, Arturo Toscanini. Në mes të aktit të tretë, orkestra pushoi. Toscanini njoftoi: “Këtu përfundon opera sepse në këtë moment maestroja vdes”. Bie perdja. Fjalët e dirigjentit janë marrë nga kujtimet e dëshmitarëve në premierën e “Scala”-s, shumë prej tyre të futura edhe në libra. Një tjetër tregon se pasi përfundoi pjesa, dirigjenti tha: “Këtu maestroja lë penën e tij”. Natën e parë u ruaj versioni i kompozitorit të njohur. Natën e dytë u dha shfaqja me ndërhyrjet e Alfanos.

“Turandot” vihet në Shqipëri 6 vjet pas shfaqjes së parë. Drejtori i operës Zhani Ciko kujtoi që kjo është premiera e 7-të e këtij viti, edhe pse për sezonin 2010-2011 ajo është e dyta. Titulli e “bën të dridhet” drejtorin. I kujtohet Revolucionin Kinez, kurse “dekori i ngjet një burgu si ai i Spaçit”. Është e vërtetë. Fryma e revolucionit ndihet në çdo gjë, aty edhe te shamitë e pionerit që mbajnë në qafë nxënësit e Liceut Artistik “Jordan Misja”. Ciko u konsultua me regjisorin për idenë e “inskenimit” të diktaturës shqiptare dhe siç duket në veshje e kostume ai ra në një mendje me të. Po si mund të kemi një panoramë të Shqipërisë para viteve ‘90 me një princeshë që sundon vendin? Ja shpjegimi që jep regjisori dy ditë para premierës i rehatuar në hollin e Teatrit të Operës dhe Baletit, ndryshe nga dita e takimit me median kur bashkë me mjeshtrin koncertues Vittorio Parisi u larguan vrik pas skenës me mbylljen e aktit të parë. Mjeshtri nuk mundi ta përmbante nervozizmin. “Dashuria vjen në fund të veprës si shpëtimtarja e çështjes. Nuk është vetëm dashuria mes një burri dhe një gruaje ajo që trajtohet në shfaqje, por ajo universale që mund të ndihmojë botën. Nuk më intereson nëse dashurohen apo jo Turandot dhe Kalafi.Turandot nuk është parë si një përrallë, por si ngjarje dramatike. Është shkruar me forcë dramaturgjike dhe rezulton e dhunshme. Ka një inkuizicion nga një grua që i imponon një tip jete popullit që punon dhe fiton, vuan tek sheh të derdhet gjak. Ajo sheh me sytë e saj një vetvrasje. Zorzi, që ka realizuar në Shqipëri edhe operat “Lucia di Lammermoor”, “Norma”, “Rigoletto”mendon se çdokush mund ta lexojë veprën si të dojë, ajo është e hapur.

Edhe këtë herë kemi të bëjmë me një dashuri. Princesha Turandot dashurohet nga Kalafi. Për të fituar dashurinë e saj ai duhet të kapërcejë tri pengesa. Qoftë njëra nga tentativat të shkojë kot, ai është i vdekur. Ky është shkurt subjekti i operës, që ngjit në skenë këngëtarët lirikë: Eva Golemi, Irini Nikolla (Turandot), Armaldo Kllogjeri, Stephen Mullan (Kalaf), Armando Likaj (Timur), Eriona Gjyzeli, Besa Llugiqi (Liu), Erlind Zeraliu, Denis Skura (Pang), Edvin Kastrati (Ping), Gilmond Myftari, Roel Llupo (Pong), Sokol Tomorri, Luan Sula (Mandarino), Ardian Kamberi (Altoum). Dirigjent është Edmond Doko. Dirigjent kori Dritan Lumshi. Dr/kori për fëmijët Irida Bega. As/regjisore Ada Gurra. Interpretojnë nxënësit e Liceut Artistik “Jordan Misja” dhe studentët e Shkollës së Nënoficerëve “Thomson”.

Heroina e Zorzi-t, për vetë sopranon Etleva Golemi, është e “akullt, nuk i lëviz as qerpiku. Është një rol me një gamë të gjerë vokale, me akute dhe superakute, sfidë për çdo këngëtar”.

Golemi nuk e ka herën e parë me operën e Puçinit. Në operën e vitit 2005 ka qenë Liu, rol që i dha çmimin e Këngëtarit më të Mirë Lirik në “Kult 2006”.

I kursyer në lëvizje është edhe plaku Timur, në rol baritoni 28-vjeçar Armando Likaj. Edhe herë të tjera regjisorët e kanë parë adapt për rolet e aristokracisë, por këtë herë është dyfish vështirë. Timuri është edhe i vjetër, edhe i verbër. “Ndjesia që e kam pasur më të vështirë në përgatitjen e rolit ka qenë ajo e babait. Plus që kam punuar shumë nga ana psikologjike me personazhin me ndihmën e regjisorit, që është praktik, energjik, spontan, kuptohet shumë mirë”, përfundon ai.

Opera shfaqet në datat 5, 7, 9 dhjetor, ora 19.00 në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit. Data e 3 që ishte caktuar më parë nga teatri u shty për shkak të zizë kombëtare.

Versioni i parë po në këtë skenë (5 maj, 2005), bashkëpunim i teatrit shqiptar me Teatrin e Operës së Romës, ishte me regji të Stefano Montit, vënë në skenë nga regjisori shqiptar Nikolin Gurakuqi. Skenografia është e Edoardo Sanchi-t, kostumet të Sanchi-t dhe Silvia Aymonino-s. Mjeshtër Koncertues dhe dirigjent: Fabio Pirona dhe nga pala shqiptare koncertmaestre Zana Turku, dirigjent Alqi Lepuri. Interpretuan: Edit Mihali dhe Irini Nikolla (Turandot), Besim Mesiti (Perandori), Alexei Ivanov (Timuri), Agim Hushi (Kalafi), skllavja Liu ishte Marjana Leka dhe Etleva Golemi.

 

 

 

 

 

 

 

 

Komente

Mesa duket nuk ka ende asnje koment per kete artikull.
Shkruaje ti i pari nje koment !

Homazh Pandi Zguros

Publikuar me : 25.05.2012 Ne kategorine : Kulture - Lexuar : 94 here.
Me shfaqjen e dokumentarit “Pandi Zguro, një zë i papërsëritshëm” kujtohet dhe nderohet në 1-vjetorin e vdekjes këngëtari i Ansamblit të Ushtrisë. Nesër, ora 11.00, në Qendrën Kulturore të Ushtrisë, i bëhet homazh Pandi Zguros (1944-2011), aktivitetit të tij si artist dhe ushtarak. Ministria e Mbrojtjes e dekoron nënkolonelin Pandi Zguro “Artist i Merituar” me medaljen “Për shërbime të shquara” (pas vdekjes). Marrin pjesë: Avni Mula, Milto Vaka dhe Ligor...Lexo te gjithe artikullin »


» Ah, parate, parate
» Dama Plake ne Tirane
» Finalja e Orkestres me muzike baroke
» Ne dy skenat kombetare
» Diktator jo si te tjeret
» Mbremja Gala nga Shkolla e Baletit
» Instrumenti etnik i shqiptareve
» Takim me njeriun qe di ta degjoje tjetrin
» Shkolla e restaurimit, perfundon pjesa kombetare e programit
» Qeveria i sherben Aliajt pas vdekjes

Ndaj kete artikull me miqte e tu ne rrjetet sociale me te njohura :

Fjala jote vlen !

Stacione TV Shqip
Shiko TV Rrokum online falas! TV Rrokum
Shiko Lajme Top Channel online falas! Lajme Top Channel
Shiko KTV Live online falas! KTV Live
Shiko Lajme TVKlan online falas! Lajme TVKlan
Shiko SuperSonic Live online falas! SuperSonic Live
Shiko Ora News Live online falas! Ora News Live

Gazetat PDF
PDF Gazeta Shqip!
PDF Gazeta Koha Jone!
PDF Gazeta 55!
PDF Gazeta Tema!

Publicitet

Sherbime te tjera
Lidhu ne RSS
Sherbim per Webmasterat
Rezultate sportive Live
Termat e Perdorimit
Kontakte


Indeksi | Lajmet ne faqen tuaj | Shperndarje RSS | Reklamoni Faqen tuaj | Add to Google

VetemLajme.Com : Permbledhje e shtypit Shqiptar - Produkt i PikaWeb © 2007-2012
Kujdes : Artikujt e publikuar i perkasin autoreve perkates. Prane cdo artikulli gjendet dhe burimi origjinal. Per me teper lexoni Termat e Perdorimit