Publikuar me : 12.12.2011 Ne :
Kuriozitete - 47 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Nga Erald Shushari
Nisa ta shkruaj ketë shkrim pas deklaratës së Ministrit të Financave se këtë vit pensionistet nuk do të marrin shpërblim, ndërsa administrata po. Aspak i sikletosur për ketë fakt, Ministri u mundua që ta justifikojë ketë duke thëne se ky është një vit i “veçante”, d.m.th., nuk kemi para dhe nuk kemi mundësi që të japim shpërblim për pensionistët. Pastaj për të vazhduar këtë logjik justifikuese, Ministri rikujtonte rritjet e pensionit që janë bërë. Teksa e dëgjoja në interviste, m’u duk se sikur donte të thoshte pensionistëve: Pak që ju kemi rritur pensionet, po doni edhe shpërblim ju?! Tani sesa janë rritur pensionet e dimë mirë të gjithë dhe sidomos ata që e përfitojnë këtë. Të gjithë e dimë se më shumë se rritje reale, rritja e pensioneve ka qenë rritje nominale. Sigurisht, këtu tani mund të bëhet një pyetje: Kush po paguan më shumë për këtë krizë tani? Ata që kanë më shumë apo ata që kanë më pak?
Faktorët që kanë çuar në këtë krizë janë të shumta edhe komplekse. Ato kanë të bëjnë më së shumti me politikat e gabuara ekonomike dhe monetare, mungesën e rregullave të qarta për të menaxhuar borxhin publik etj. Po ky shkrim nuk ka për qëllimi për të gjetur arsyet e krizës, por më shumë se kush po paguan më shumë për të. Për ta thëne me një fjali, po e paguajnë më shumë ata qe nuk duhet ta paguanin. Fatkeqësisht, edhe nga deklarata e fundit e Ministrit duket qartë se më së shumti po e paguajnë shtresat më vulnerable të shoqërisë. Duket qartë se masat për mbajtjen e stabilitetit makroekonomik dhe zvogëlimin e borxhit publik po ndërmerren në kurriz të grupeve të pambrojtura të popullsisë, si pensionistëve apo përfituesve të tjerë të asistencës sociale dhe kriza po u faturohet atyre që nuk kanë aspak faj për të. Ndërsa ata që me politikat e tyre të gabuara kanë përgjegjësi për këtë krizë do të vetëshpërblehen. Se shpërblim nuk do të marrin, vetëm administrata, por do të marrin shpërblimin edhe Ministrat, Kryeministri, deputetet, gjykatësit etj.
Së pari, kjo është shumë e padrejtë. Nuk mundet që shpërblimin t’ia heqësh atyre që kanë më shumë nevojë dhe t’ia japësh atyre që kanë më pak nevojë.
E dyta, qeveria po i vendos këto shtresa në disa vështirësi shumë të mëdha. Pensionistët e shkretë me pensione të papërfillshme, me çmime që vetëm rritet pavarësisht se INSTAT-i nga thotë se inflacioni është ulur, pa shpërblim për vitin e ri i mbetet vetëm t’i kthejnë sytë nga fëmijët në emigracion. Por edhe ata nuk i kanë edhe aq mirë punët. Duke qenë se shumica prej tyre kanë emigruar në Greqi dhe Itali, vende të prekur keq nga kriza, ata janë më së shumti pa punë se me punë. Edhe kur vine këtu në Shqipëri, vinë me xhepa bosh. Kështu që edhe këta nuk kanë për t’i ndihmuar shumë, jo sepse s’duan, por sepse nuk munden.
Së treti, është edhe çështje dinjiteti dhe morali kjo. Nuk është puna vetëm tek parat dhe vështirësitë ekonomike, por është edhe një cenim i dinjitetit të pensionistëve. Atyre që për vite me radhë kanë lënë kockat për ketë shtet, nuk mund t’i thuash ne nuk ju japim shpërblim këtë vite se është vit i “veçantë”. Për të mos folur pastaj për premtime politike të pa mbajtura nga Kryeministri, i cili është zotuar më shumë se njëherë se sa të jetë ai në qeveri, pensionistët do të marrin gjithmonë shpërblim. Si fund, nuk kam çfarë shtoj më. E gjitha kjo është një histori turpi për këtë qeveri. T’u heqësh shpërblimin atyre që kaq shumë e shpresonin këtë, nuk mund thuash gjë tjetër veçse, turp, turp. Të gjitha fjalimet e Kryeministrit për shtet social apo mbështetje për shtresën e tretë janë vetëm demagogji që nuk vlejnë për asgjë.