Shtypi shqiptar online - Lajme dhe te reja !
Udherrefim nga Baudelaire

Publikuar me : 11.11.2011 Ne : Kulture - 42 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

“Spleen” një kaleidoskop fotosh, këngësh dhe milituarash frymëzuar nga poema e Charles Baudelaire “Le Spleen de Paris” 1869.


Elsa Demo

Alban Hajdinaj po punon prej dy muajsh për të ndërtuar ekspozitën e përvitshme dhe më e rëndësishmja në Galerinë Kombëtare të Arteve. Në origjinë të këtij “Onufri”, që hyn në vitin e tetëmbëdhjetë, është estetika e modernitetit sipas Charles Baudelaire (1821-1867). I frymëzuar prej esesë së poetit simbolist modern, “Piktura e jetës moderne”, Hajdinaj po mbledh një tubë punësh që janë krijuar përgjatë dhjetëvjeçarësh të traditës dhe historisë së re të artit pamor shqiptar.

Nga biseda me Alban Hajdinaj (1974) mësojmë se ka të ngjarë që kjo të jetë një ekspozitë antologjike mbi tematikën e modernitetit, me autorë të djeshëm e të sotëm të përfaqësuar në gjithë natyrat e mediumeve.

“Onufri 2011”, edicioni XVIII mbahet më 22 dhjetor 2011– 5 shkurt 2012. Juria ndërkombëtare vlerëson tre punët më të arrira e si me shaka Hajdinaj thotë se fitues i këtij edicioni mund të jetë dhe një artist i vdekur. Galeria Kombëtare e Arteve ka deklaruar se kuratori u caktua nga “këshilli organizativ i këtij aktiviteti”. Alban Hajdinaj është njëkohësisht edhe punonjës i sektorit të studimit dhe edukimit artistik në GKA.

Punët e Hajdinajt hynë në pavijonin e artit bashkëkohor të pas viteve nëntëdhjetë në GKA. Është një pjesëmarrës në disa edicione të “Onufrit”. Në një nga herët e fundit është prezantuar me një cikël vizatimesh, mbi faqet e librave të shkollës. Shpesh me punët e tij ai shpreh idenë se përpjekja për origjinalitet dhe krijim nga hiçi është një dështim i njohur tashmë. Ai e ka vënë re këtë gjë edhe në “Onufër”.

 

Mbi çfarë motivi po i mblidhni punët e këtij “Onufri”? 

Ideja për këtë “Onufër” sillet rreth “Piktura e jetës moderne”, titulli i një eseje që ka shkruar Charles Baudelaire më 1863. Jam duke kërkuar jo punë të bëra domosdoshmërisht sot, por në një kontekst tjetër dhe që krijojnë rezonancë me një ese mbi artet të shkruar 150 vjet para.

 

Rezonancë të çfarë ideve?

Baudelaire hedh idenë që arti ka qenë modern në të gjitha kohërat dhe jep çelësin se si ne të kuptojmë modernitetin e epokave të tjera të mëpërparshme. Ai merret me përshkrimin e jetës. Pikturat dhe skicat që na sjell si shembull janë piktura të jetës së përditshme në metropol, që paraqesin ndryshimet, jetën sociale, zhvillimin e makinës, e mjeteve të reja që hyjnë në përdorim. Dhe ekspozita do të shkojë drejt një kërkimi të modernitetit apo të rrënjëve të modernitetit në Shqipëri që mund të gjendet dhe te punë më të vjetra. Të them të drejtën nuk kam gjetur punë interesante të kohëve të fundit.

 

Po përmbysni skemën e aktualitetit në ekspozitën ndërkombëtare?

Nuk është çështje qejfi që të thyesh skemën, por e di që “Onufri” ka qenë një lloj skeme që kërkon punë brenda konceptit të kuratorit. Unë nisem nga qëndrimi im. Është diçka ndryshe. Është një kërkim në punë realisht të vjetra. Unë fare mirë mund t’i rikthehem realizmit socialist, fotografëve të vjetër. Fotografia është pjesa që më intereson më tepër, bashkë me pikturën. Shoh me shumë interes fotografinë e viteve ‘70, edhe më të hershme, pse jo.

 

Po krijoni një antologji të modernitetit?

Veprat i lidh aspekti modern që bartin në vetvete. Baudelaire është më specifik në modernitetin që hedh si ide, kur pohon se moderniteti ka qenë dhe do të jetë gjithmonë. Ai përpiqet të shkatërrojë rendin e vjetër të vlerave dhe parashtron një estetikë që influencoi te piktura që pasoi e Manet-së, Courbet-së. Piktura e jetës moderne duhej të tregonte jetën, kushtet e reja në të cilën jetohej, përvojën e jetës në metropol, Parisi atëkohë po bëhej i tillë. Për Baudelaire-in ishte i shëmtuar, e ai futi pikërisht estetikën e të shëmtuarës. Mua më duket me interes që ai hedh një modul për ta parë të tashmen duke kuptuar të shkuarën. Kjo mund të duket e çuditshme tek “Onufri” meqë “Onufri”…

 

Synon të zbulojë atë që është e re tani për tani…

Po, po ne nuk e kuptojmë dot të renë pa kuptuar të vjetrën.

 

Po bëni një revizionim të panoramës së artit, po shkoni drejt që kristalizimi të asaj që ka ndodhur?

Kam përshtypjen që nuk është parë ndonjëherë moderniteti me këtë sy. Nuk kam parë ndonjë studim mbi modernitetin e artit figurativ në Shqipëri. Bëhet ndonjëherë pyetja kur ka filluar, me çfarë daton, kur ka hedhur rrënjën e parë si qëndrim.

 

Para se të operonit me estetikën e Baudelaire-it mbi modernitetin, çfarë u shkas që ju ta vendosnit këtu këndvështrim për “Onufrin”?

Jam bërë skeptik dukë parë edicionet pararendëse të “Onufri”, duke parë çfarë ekspozohet më së shumti, çfarë ka zënë vend kohët e fundit. Më duket se gjithë produkti artistik ka hyrë në ca terma shumë të ngurtë, është kthyer në një lloj retorike që reflekton problemet e kohës. Them se është ngushtësuar shumë pikëpamja mbi artin. Them edhe që ky lloj këndvështrimi mund të çlirojë pikëpamje mbi artin. “Onufri” s’mund të jetë gjë tjetër veçse një qasje se si njerëzit ta kuptojnë artin. Njerëzve iu duhet dhënë një mundësi se si ta shohin artin. Kurse pjesa e konkursit nuk më intereson.

 

Si po ecën kërkimi në terren?

Jam në proces. Kam parë fotografi interesante, piktura ca më pak. Nuk do doja t’i zbuloja. Kam parë në arkiva të vjetra, po edhe në arkiva bashkëkohore. Kam përshtypjen që fotografia është një zhanër që ka ecur shumë në Shqipëri, duket se ka ecur shumë më përpara se arte të tjera në Shqipëri. Sa për pikturën duket tek artistët është ushtruar një trysni. Ata janë përpjekur që të bëjnë atë që kërkohet, e furnizojnë si të thuash kërkesën me prodhim. Janë artistët vetë që kanë një lloj skepticizmi për punën e tyre.

 

A nuk ngatërrohet me modernitetin ky reagim, “t’i përgjigjesh asaj që kërkohet”?

Modernitet këtu shihet si qasje ndaj problematikës sociale që duket gati mediatike, por nuk është ky moderniteti që mendoj unë. Modernitetin e gjen në një figurë, në një autoportret. Çfarë ka ndodhur me këto zhanre të artit, pse janë zhdukur? Këto janë pikëpyetje që unë do doja t’i shtroja. Pse piktura është kthyer në një lloj retorike që bën dhe pyetjen dhe përgjigjen vetë dhe nuk i lë asgjë shikuesit çfarë të shtojë, sepse autori e mbaron para se ta fillojë. Unë shpresoj që “Onufri” t’i shtrojë këto pyetje. Për mua kjo do të ishte e mjaftueshme.

 

Kur duhet të jetë gati?

Më 22 dhjetor.

 

Vetëm me artistë shqiptarë?

Fokusi i parë është këtu brenda. Por do doja të shtoja qoftë edhe një artist të huaj që ka dhënë kontribut specifik në këtë fushë. Estetika e Baudelaire-it është lëvruar rëndom, nuk jam unë që po e sjell. Ka artistë që janë influencuar krejtësisht nga kjo estetikë dhe kanë punuar e punojnë për këtë. Unë jam në përpjekje e sipër, pa harruar vështirësitë e shumta. Të thërrasësh një artist të huaj duhen para.

 

“Onufri” punon me 20 milionë lekë të vjetra akoma?

Ndoshta aq. Sigurisht që janë shumë pak. Nuk e di si është punuar më parë.

 

Si e ndjeni dhe prekni ju modernitetin?

Të gjithë artistët e prekin modernitetin, sepse kam përshtypjen që gjithë jeta të shfaqet në këtë formë. Po ndonjëherë unë shoh me sy kritik edhe veten time. Ne këtu i jemi përgjigjur një lloj kërkese tjetër që ka ardhur nga fare jashtë Shqipërisë. Është tendenca që për të kapur kohën duhet të bëhesh postmodern. Personalisht kam pasur rrugë tjetër. Jam përpjekur të jem postmodern po aq sa dhe t’i bëj rezistencë postmodernizmit. Një lloj ambiguiteti që kam zhvilluar në punën time. Ka rrjedhur më tepër nga interesat që kam pasur kohët e fundit në teori dhe në estetikën e artit. Një kërkim për të kuptuar çfarë jam duke bërë. Artisti sot është me tepër një pjesë mbushëse e një game që e ndërton dikush tjetër, e ndërton kuratori. Më përpara nuk ka qenë kështu. Që do të thotë: është kuratori ai që e vendos artistin në kontekstin që mendon ai.

Nga ky lloj interesi kam rënë në kontakt me Baudelaire-in. Po sigurisht që në përzgjedhjen e punëve i besoj intuitës si artist, pastaj vjen pjesa tjetër, sa i korrespondon idesë.

 

Tani po udhëtoni për një ekspozitë në Francë. Përse është fjala?

Është Festivali i Videoartit në Paris, në Muzeun e Artit Bashkëkohor të Luginës së Marnës. Prezantoj më 5 nëntor katër video dhe një konferencë për publikun. Videot janë realizuar në vitet 2003-2007. Tema e festivalit është rezistenca si praktikë e artistit. Puna ime ka të bëjë me një lloj rezistence që unë përpiqem t’i bëj sistemit të artit. Jam përpjekur ta ngre si dialog mes debatesh, si një pikë mes dy të kundërtave, mes dy gjërave që përplasen, nga njëra anë tendenca që bota globaliste ushtron mbi një periferi apo lokalitet të vogël si Shqipëria, te kultura sidomos. Por kjo vjen bashkë me gjithë faktorët e tjerë ekonomikë politikë, për ta shndërruar këtë vend. Dhe sa e “dhunshme” bëhet kjo gjë, sa të shtrënguar jemi t’i bindemi dhe të formatohemi ndaj një qasjeje që na imponohet nga kjo lloj force më e madhe se ne. Videoja “Trans lines” 2005 ekspozohet për herë të parë. Është një video ku autobusët në Tiranë të marrë nga Franca mbajnë emra stacionesh francezë. Autobusë të dorës së dytë që merreshin lirë ose faleshin. I filmova sepse m’u duk interesante që ata shënonin një tjetër destinacion por në fakt rrinin këtu brenda. Për të vajtur tek kjo ideja e trysnisë që ushtrohet mbi një lokalitet të vogël nga qendrat globaliste dhe e gjithë propaganda që ngrihet pastaj që ti duhet të shkosh aty. Këto shndërrohen në simbole, krijojnë atë halucinacionin, idenë e rreme sikur po shkon në një vend, por në fakt ti je këtu, me të ardhurit vërdallë që krijon transin, sepse të është dhënë një modul që nuk ka lidhje me realitetin tënd.

 

Piktura e jetës moderne

Charles Baudelaire është nga novatorët më të mëdhenj të letërsisë franceze me influencë të gjerë përtej vendit dhe shekullit që jetoi. Esenë “Le peintre de la vie moderne” 1863 (Piktura e jetës moderne) ai ua kushton artistëve që i konsideron modernë dhe origjinalë.  Baudelaire evokon veprën Constantin Guys, piktor akuarelist të cilin e ka takuar më 1859 dhe i ka koleksionuar vizatime. Këto akuarele synojnë ta kapin jetën në efemerinë e saj. Kjo ese është cilësuar “poema më madhështore në prozë që ka shkruar Baudelaire”. Ai jep një përkufizim se çfarë është sipas tij estetika e modernitetit dhe këmbëngul në veçantinë e çdo epoke. I rikthehet shembullit të Constantin Guys, i cili ndryshe nga shumë të tjerë, ka ditur të kapë modernitetin dhe të marrë të përjetshmen prej asaj që është kalimtare.

Kjo ese do të botohet në katalogun e “Onufri 2011”.

 

 

 

 

Komente

Mesa duket nuk ka ende asnje koment per kete artikull.
Shkruaje ti i pari nje koment !

Homazh Pandi Zguros

Publikuar me : 25.05.2012 Ne kategorine : Kulture - Lexuar : 94 here.
Me shfaqjen e dokumentarit “Pandi Zguro, një zë i papërsëritshëm” kujtohet dhe nderohet në 1-vjetorin e vdekjes këngëtari i Ansamblit të Ushtrisë. Nesër, ora 11.00, në Qendrën Kulturore të Ushtrisë, i bëhet homazh Pandi Zguros (1944-2011), aktivitetit të tij si artist dhe ushtarak. Ministria e Mbrojtjes e dekoron nënkolonelin Pandi Zguro “Artist i Merituar” me medaljen “Për shërbime të shquara” (pas vdekjes). Marrin pjesë: Avni Mula, Milto Vaka dhe Ligor...Lexo te gjithe artikullin »


» Ah, parate, parate
» Dama Plake ne Tirane
» Finalja e Orkestres me muzike baroke
» Ne dy skenat kombetare
» Diktator jo si te tjeret
» Mbremja Gala nga Shkolla e Baletit
» Instrumenti etnik i shqiptareve
» Takim me njeriun qe di ta degjoje tjetrin
» Shkolla e restaurimit, perfundon pjesa kombetare e programit
» Qeveria i sherben Aliajt pas vdekjes

Ndaj kete artikull me miqte e tu ne rrjetet sociale me te njohura :

Fjala jote vlen !

Stacione TV Shqip
Shiko TV Rrokum online falas! TV Rrokum
Shiko Lajme Top Channel online falas! Lajme Top Channel
Shiko KTV Live online falas! KTV Live
Shiko Lajme TVKlan online falas! Lajme TVKlan
Shiko SuperSonic Live online falas! SuperSonic Live
Shiko Ora News Live online falas! Ora News Live

Gazetat PDF
PDF Gazeta Shqip!
PDF Gazeta Koha Jone!
PDF Gazeta 55!
PDF Gazeta Tema!

Publicitet

Sherbime te tjera
Lidhu ne RSS
Sherbim per Webmasterat
Rezultate sportive Live
Termat e Perdorimit
Kontakte


Indeksi | Lajmet ne faqen tuaj | Shperndarje RSS | Reklamoni Faqen tuaj | Add to Google

VetemLajme.Com : Permbledhje e shtypit Shqiptar - Produkt i PikaWeb © 2007-2012
Kujdes : Artikujt e publikuar i perkasin autoreve perkates. Prane cdo artikulli gjendet dhe burimi origjinal. Per me teper lexoni Termat e Perdorimit