Publikuar me : 15.09.2011 Ne :
Ekonomi dhe Biznes - 69 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Emirjon Senja
Në kthimet nga udhëtimet e tyre, shqiptarët sjellin në vend edhe mallra të blerë në ato vende, të cilat arrijnë madje edhe në vlera të konsiderueshme. Kjo kategori, cilësohet edhe si mallra të përdorimit vetjak dhe deri në shumën 30 mijë lekë nuk i nënshtrohet taksave doganore. Për çdo vlerë mbi këtë, dogana vjen një tarifë prej 2 për qind. Heqja e regjimit të vizave me vendet e BE-së dhe rrjedhimisht intensifikimi i udhëtimeve në këto vende ka rrit sasinë e mallrave që shoqërojnë udhëtarët, të cilët në mjaft raste detyrohen të paguajnë edhe detyrime doganore. Duke marrë parasysh këtë fakt por edhe standardet e BE-së, Kodi i ri Doganor i hartuar nën udhëheqjen e këtyre organizmave pritet të rrisë edhe më tepër vlerën e lejueshme të mallrave që mund të futën nga udhëtarët pa iu nënshtruar detyrimeve doganore.
Aktualisht, çdo udhëtar mund të marrë me vete në valixhet e tij në rrugën e kthimit nga vendet e Bashkimit Evropian mallra me vlerë maksimale 30 mijë lekë. Nëse mallrat kalojnë këtë vlerë, pjesa mbi 30 mijë lekë do të tariforet me 2 për qind. Shuma prej 30 mijë lekë vlen vetëm për një person. Nëse udhëtimi është kryer nga një familje prej katër personash, ata mund të kalojnë mallra me vlerë totale prej 120 mijë lekësh. Në rastet kur bëhet fjalë për fëmijë nën moshën 15 vjeç, vlera që mund të kalojnë pa deklaruar është 15 mijë lekë. Për deri në 18 vjeç bëjnë përjashtim duhani dhe alkool.
Tarifa doganore është një ndër tre detyrimet që përbëjnë taksat doganore. Dy të tjerat janë Tatimi mbi Vlerën e Shtuar si dhe Akciza. Kjo e fundit aplikohet mbi mallra si cigare, alkool, kafe, etj. Në lidhje me këto, legjislacioni aktual doganor lejon kalimin pa paguar akcizë apo detyrime të tjera të vetëm 10 paketave cigare, (një stekë) një shishe pije alkoolike me përmbajtje të lartë alkooli si dhe të dy shisheve verë.
Në Kodin e ri Doganor, vlera e mallrave që lejohet të kalojë në doganë pa u deklaruar dhe rrjedhimisht pa u taksuar pritet të jetë më e madhe se 30 mijë lekë. Më konkretisht, shuma që Drejtoria e Përgjithshme e Doganave do t’u lejojë udhëtarëve të fusin pa deklaruar mallra me vlerë deri në rreth 45 mijë lekë. Vlera e lejueshme do të përgjysmohet nëse udhëtari është i mitur. Rritja të vlerës së mallrave që nuk tariforen në doganë do të bëhet edhe për dërgesat postare. Aktualisht, nuk taksohen pakot me vlerë deri në 10 mijë lekë duke përjashtuar kategorikisht pijet alkoolike dhe duhanin, të cilët i nënshtrohen detyrimeve.
Sistemi i ri i tarifimit për mallrat e përdorimit vetjak duke u standardizuar në dy për qind, u miratua në nëntor të vitit të shkuar në vigjilje te heqjes së regjimit të vizave me vendet e Bashkimit Evropian. Më parë, tarifa doganore varionte nga 5 deri në 15 për qind në varësi të mallit. Ndërkohë, krahas Kodit Doganor të përpiluar me ndihmën e KE-së të depozituar pranë Ministrisë së Financave, qarkullon një tjetër version i kodit aktual doganor, i cili ndodhet në Kuvendin e Shqipërisë dhe pret të marrë 84 votat e nevojshme për t’u miratuar.
Çfarë lejohet të kalohet në doganë pa taksa
Produkte duhani:
- 200 cigare, ose
- 100 cigarillo (cigare me pesë maksimale prej 3 gram secila) ose
- 50 puro, ose
- 250 gram duhan, ose përzgjedhje në përpjesëtim të drejtë i këtyre produkteve të ndryshme
Pijet alkoolike:
1 litër pije të distiluara dhe alkoole me fortësi alkoolike ndaj volumit më të lartë se 22 perqind, ose alkool etilik i pa denatyruar me forcë alkoolike ndaj volumit 80 perqind dhe më shumë,
2 litra: pije të distiluara dhe alkoole dhe aperitive me bazë vere ose alkooli, tafia, sake, ose pije të ngjashme me fortësi alkoolike ndaj volumit që nuk e kalon 22 perqind, ose verëra të gazuara, likere, ose një
përzgjedhje në përpjestim të drejtë e këtyre produkteve të ndryshme, dhe
2 litra verëra të zakonshme;
c) 50 gram parfume ose 0,25 litra kolonjë;
d) produkte mjekësore në sasi të nevojshme për të plotësuar nevojat personale të udhëtarit.
Për udhëtarët nën moshën 15 vjeç nuk përjashtohen cigaret.
Për udhëtarët nën moshën 18 vjeç nuk lejohe pijet alkoolike