Publikuar me : 30.09.2011 Ne :
Ekonomi dhe Biznes - 71 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Emirjon Senja
Lajm i mirë për ata që duan të marrin kredi nw lekw dhe i keq për ata që kanë depozita në monedhën kombëtare nëpër banka. Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë uli dje normën bazë të interesit për lekun me 0.25 për qind duke e zbritur atë në 5 për qind. Vendimi merret me qëllim rritjen e aktivitetit kreditues të bankave si dhe të qarkullimit të parasë në treg pas uljes së treguesve të inflacionit gjatë muajve të fundit. “Lehtësimi i politikës monetare synon të krijojë kushte monetare të përshtatshme për përmbushjen e objektivit afatmesëm të inflacionit, si dhe të nxitë aktivitetin ekonomik nëpërmjet stimulimit të konsumit dhe të investimeve në vend”, – shpjegoi dje Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani.
Ulja e normës bazë të interesit do të favorizojë kreditë në lekë duke ulur normat e interesit për këto të fundit. Ky është edhe qëllimi kryesor i bankës për të rritur qarkullimin e parasë në treg si dhe stimulimin e kreditimit. Përkundër favorizimit të kreditimit, ulja e normës bazë të interesit për lekun do të ulë edhe përfitimet për ata që kanë depozituar para në banka. Këta të fundit do të jenë më të prirur që t’i investojnë paratë. Të paktën kjo është ajo ç’ka synohet, pasi nxitja e investimeve mbart një mori faktorësh të tjerë, në të cilët duhet ndërhyrë.
Të pasigurt për të ardhmen, qytetarët zgjedhin shtyrjen për një kohë më të përshtatshme të investimeve duke i ruajtur paratë. “Konsumi dhe investimet janë mbështetur nga kreditimi i sistemit bankar, por rritja e tyre kushtëzohet nga hezitimi në kryerjen e shpenzimeve”, – tha Fullani. Një fenomen i tillë ka bërë që të ulet aktiviteti ekonomik i vendit, ç’ka pasqyrohet edhe nga mos realizimi i të ardhurave nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar përgjatë muajve të shkuar.
Më shumë se me një ndikim direkt në ekonomi një masë e tillë është më shumë një sinjal ndaj aktorëve të tregut, siç janë bankat, sipërmarrjet e mëdha, etj, për të thënë që Banka e Shqipërisë është duke ndjekur zhvillimet në tregje. Ndikimi i një ulje të tillë, nuk pritet të vërehet në një afat të shkurtër, por tregon trendin e ekonomisë dhe orientojnë politikat e aktorëve të treg.
Një vendim të tillë, Fullani e kishte paralajmëruar një muaj më parë në konferencën e fundit për shtyp, ku theksoi se vendit i nevojitet një stimul i ri ekonomik. “Në të ardhmen e afërt, tendenca rënëse e inflacionit dhe zhvendosja në kahun rënës e balancës së rreziqeve mund të krijojnë premisa për një rishikim të politikës monetare”, – do të shpjegonte ai në konferencën e fundit për shtyp. Ky vendim vjen direkt pas treguesve të uljes së inflacionit dhe aktivitetit të ekonomisë. INSTAT konfirmon se inflacioni gjatë muajit gusht ishte 3.1 perqind me një ulje të vazhdueshme që prej majit të këtij viti.
Formimi i inflacionit
Rritja e çmimit të ushqimeve është një ndër përbërësit kryesorë të inflacionit në vend. Ndikim në rritjen e përgjithshme të çmimeve pritet të ketë edhe rritja e taksave për karburantet
65 perqind Ushqimet
35 perqind Transport, qira, veshje, etj
Shqiptarët ngurrojnë të shpenzojnë
Ulja e konsumit është një ndër treguesit më problematik që po has sot ekonomia shqiptare. Për muaj më radhë, në raportet e Bankës së Shqipërisë pasqyrohen të dhëna që tregojnë për ulje të konsumit dhe pasiguri të qytetarëve tek ekonomia duke i shtyrë shpenzimet për një periudhë tjetër. Vazhdimisht, Guvernatori Fullani ka deklaruar se ekonomia shqiptare po zhvillohet nën kapacitetin e saj duke i bërë njëkohësisht thirrje konsumatorëve që të rrisin shpenzimet. Një gjë të tillë ai e bëri edhe dje duke konfirmuar të njëjtët tregues. “Konsumi vijon të vuajë nga pasiguria e perceptuar nga familjet shqiptare, duke i shtyrë ato të rritin normën e kursimit megjithëse të ardhurat agregate shfaqen në rritje. Ecuria e
investimeve private vlerësohet të ketë qenë e ngadaltë në periudhën në fjalë, por ajo ruan norma pozitive rritjeje”, – shpjegoi ai.