Publikuar me : 08.09.2011 Ne :
Kronike - 67 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Vajza 15 vjeçare që akuzoi regjisorin Leonard Bombaj për përdhunim, por pa arritur që të provojë akuzën, do të përballet me akuzën e gjobëvënies. Prokurori Ardian Nezha dhe oficeri Ervin Brahaj pritën në zyrë paraditen e djeshme vajzën 15 vjeçare të shoqëruar nga avokati, prindërit dhe psikologu. Ata e morën në pyetje në cilësinë e personit nën hetim dhe në fund i komunikuan akuzën e gjobëvënies.
Pas marrjes si të pandehur, vajza 15 vjeçare firmosi procesverbalin e deklarimit, duke i mbetur besnike deklarimeve të dhëna në fazën e hetimeve paraprake. Sipas të dhënave të prokurorisë, vajza ka vazhduar të mbaj të njëjtin qëndrim duke thënë se nuk e kishte kërcënuar regjisorin Bombaj edhe pse ai e kishte përdhunuar disa herë. Gjithashtu, vetë 15 vjeçarja ka mohuar se së bashku me këngëtarin Stresi (edhe ai i pandehur për këtë çështje) i kishin kërkuar regjisorit të paguajë shumën prej 25 mijë euro si formë presioni për të mos e denoncuar publikisht si përdhunues fëmijësh.
Edhe vetë këngëtari Arkimed Lushaj së bashku me të akuzuarit e tjerë kanë mbajtur po të njëjtin qëndrim kur u morën në pyetje nga prokuroria. Ata kanë mohuar akuzat dhe pretendojnë se nuk i kanë vënë gjobë Bombajt.
Dje hetuesit kanë zbuluar edhe identitetin e vërtetë të personit të pestë që ka marrë pjesë në gjobëvënien e Bombajt. Ai është Sevastian Kallabaku, i njohur me pseudonimin “Arusha”. Sipas prokurorisë, Kallabaku së bashku me Rolado Kurtin, Arkimed Lushajn, Elis Bashën dhe 15 vjeçaren kanë shkuar në banesën e Bombaj duke e kërcënuar për të paguar shumën prej 25 mijë euro. Nën presion Bombaj i ka dhënë makinën, të cilën ata ia kanë shitur për pesë mijë euro një personi tjetër. F.Vezaj