Publikuar me : 26.12.2011 Ne :
Kuriozitete - 37 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Jorida Pasku
Arben Duka, autori më i njohur i teksteve në Festivalet e RTVSH, duket se është shpallur kulak nga drejtuesit e RTVSH për shkak të publicistikës së tij opozitare dhe vargjeve të famshëm satirike në Shekulli kundër disa figurinave të pushtetit.
Tendenca e qartë për të injoruar kontributin e tij u duk qysh natën e parë të para-festivalit kur para prezantimit të këngës së tij “Vlen sa një jetë”, spikerja tha se Duka është fitues i tre çmimeve të para si autorë tekstesh.
Në fakt ai është fitues i 7 çmimeve të para si autorë tekstesh në atë festival dhe dhjetëra çmimeve të dyta dhe të treta. Arben Duka ka fituar tre Çmime si bashkautor me këngët: “Çel si gonxhe dashuria”, “Në moshën e rinise”, “Mirësia dhe e vërteta”. Dy çmime të para për natën e të rinjve me këngët: “Yjet e shpresës”, “Ti ku ishe nëna ime?” dhe mbi te gjitha ka dy çmime te para si poeti më i mirë me tekste: “Mirësia dhe e vërteta” dhe ” Besoj veç në dashuri”. Ai ka marrë pjesë në 35 festivale dhe ka mbi 70 këngë.
Përpjekja e drejtuesve të Festivalit të 50 në RTVSh për ta injoruar një nga kontributorët më të mëdhenj të gjallë të këtij festivali tregton qartë ku është katandisur radiotelevizioni publik, i cili duket se ka frikë dhe nga historia e vet, kur vjen fjala për të bërë bilancin e 50 viteve të tij.
“Kam marrë pjesë në 35 festivale dhe kam mbi 70 këngë. Kjo është e vërteta po Pa-laçot s’e thonë, mbasi më konsiderojnë armik të pushtetit. Kjo gjë ndodh për arsyen e thjeshtë se TVSH-në e drejton TV KLAN dhe skenarin e festivalit e ka shkruar TV KLAN dhe unë jam këtej nga “SHEKULLI” – tha Duka në linjë telefonike për Shekullin