Publikuar me : 29.11.2011 Ne :
Sport - 23 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Publikohet edhe fotografia e fundit e Geri Spidit pak orë para se të gjendej i varur në shtëpinë e tij nga bashkëshortja. Fotoja është shkrepur në zyrat e BBC-së ku trajneri i kombëtares së Uellsit ishte i ftuar në emisionin “Futboll Fokus”. Në foto ai duket shumë i qetë dhe i çlirët, ndërsa pozon me fansa të tij në studiot në Mançester. Ish-futbollisti ishte në studio me ish-shokun e skuadrës Geri Mekallister në orën 14:30 të së shtunës. Ata kishin lënë një takim për të luajtur golf gjatë javës dhe kishin luajtur e qeshur gjatë gjithë kohës që ndodheshin në studiot e BBC-së.
Të hënën i gjithë futbolli botëror ishte në zi, duke i bërë homazhe trajnerit të skuadrës kombëtare të Uellsit. Në Federatën e Futbollit të Uellsit flamujt ishin në gjysmë shtizë. Policia e zonës njoftoi se lidhur me vdekjen e tij do të nisin hetimet sot nga ana e gjykatës. Një nga miqtë e tij e përshkroi Spidin si një “baba shumë i devotshëm” për djemtë e tij, Edin 14-vjeçar dhe 13-vjeçarin Tomi. Të dy merreshin me sport: Edi me futboll dhe Tomi me boks.

Spid me një nga fansat në zyrat e BBC-së
Në fushën e “Anfild”-it, lojtari i Liverpulit, Kreig Belami, i cili është lojtar i kombëtares së Uellsit kërkoi që të mos luante në ndeshjen e sotme. Geri Spid u tërhoq vjet nga futbolli, pasi luajti 85 ndeshje me kombëtaren e Uellsit. Njihej si një person që ishte i interesuar në psikologjinë e sportit dhe ishte i aftë të merrte më të mirën nga lojtarët e vet, të tillë si Aron Remsi i Arsenalit dhe Gareth Beil i Totenhamit. Rajan Gigs, lojtar i Mançester Junaitedit dhe Uellsit u shpreh se “Geri Spid ishte një nga njerëzit më të mirë të futbollit dhe dikush të cilin ndiheshe i nderuar ta quaje shok skuadre dhe mik. Asnjë fjalë nuk mund ta përshkruajë dhimbjen për humbjen e tij”. Në vitin 2010 ai mori “Urdhrin e Lartë të Nderit të Mbretërisë Britanike”.
Arlinda Gjypi