Publikuar me : 28.12.2011 Ne :
Kronike - 77 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Dashamir Biçaku
TIRANË- Ministri i Brendshëm Bujar Nishani reagoi dje në median shqiptare në lidhje me shkrimin e publikuar nga “Shekulli” se makina që ka në përdorim ministri rezulton të jetë e vjedhur. Në reagimin e tij, ministri i Brendshëm konfirmoi se shkrimi i “Shekullit”, ishte i saktë, por ai shpjegon se për makinën ishin ndjekur procedurat ligjore për mjetet e bllokuara dhe se ai kishte kaluar në Rezervat e Shtetit me një vendim autoriteteve gjyqësore. Sipas argumentimit të ministrit të Brendshëm, mjeti me të cilin ai lëviz është bllokuar dhe sekuestruar për mungesë dokumentacioni. Më tej përmendet fakti se mjeti është ka kaluar në pronësi të shtetit, duke qenë se poseduesi i saj nuk kishte paraqitur në organet kompetente dokumentacionin që provonte se mjeti ishte në pronësi të tij.
Por dokumentet që disponon “Shekulli” tregojnë se bëhet fjalë për një makinë të bllokuar nga policia me datën 8 janar të vitit 2008, nga komisariati i Policisë nr.2. Pas verifikimit të shasisë së mjetit ai është konfirmuar se ishte i vjedhur në Serbi dhe ishte i kërkuar nga Zyra e Interpolit në Beograd. Fakti se mjeti ishte i vjedhur në Serbi, konfirmohet edhe nga Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë, e cila shpjegon gjithçka në detaje në vendimin e dënimit të poseduesit të mjetit në kohën e bllokimit. Për këtë shkak është zhvilluar edhe një proces- gjyqësor gjatë të cilit, poseduesi i mjetit Pajtim Serjani, nuk ka mundur të provojë se mjetin e kishte blerë në mënyrë të rregullt.
Sipas policisë mjeti me numër shasie “ËDD221861A112090”, ishte denoncuar i vjedhur me 29 nëntor në kryeqytetin serb Beograd, nga pronari i tij. Në të kundërt ministri pretendoi dje se mjeti ishte bllokuar për mungesë dokumentacioni dhe jo se mjeti rezultonte i vjedhur në Serbi, në kryeqytetin e kësaj të fundit në Beograd. Pas vjedhjes Serbi, mjeti i mësipërm mësohet të ketë hyrë në Shqipëri, pak ditë pasi ishte denoncuar i vjedhur.
Gjatë hetimit dhe marrjes së deklarimeve nga hetuesit e komisariatit nr.2, Pajtim Serjani, të cilit iu bllokua mjeti, iu deklaroi atyre se autovetura e markës “Mercedez- Benz” ishte i kushëririt të tij, djalit të tezës, Gëzim Mejdanit. Duke qenë se mjeti ishte pa targa dhe pa dokumentacion, policia e bllokoi atë, ndërsa thirri për të sqaruar çështjen, pronarin e deklaruar të mjetit, Gëzim Mejdanin. Ky i fundit paraqiti një kontratë noteriale që më vonë rezultoi e falsifikuar veprim për të cilin ai pranoi akuzën në Gjykatën e Tiranës gjatë procesit ndaj tij ndërsa pretendoi se mjetin e kishte blerë në mirëbesim tek një person i tretë dhe se nuk kishte pasur dijeni se ishte i falsifikuar. Pavarësisht këtij pretendimi, të Mejdanit, gjyqtari Bujar Krasniqi, dënoi të pandehurin me dy muaj burg dhe 300 mijë lekë të reja gjobë, me kusht që brenda 18 muajve të mos kryente asnjë vepër tjetër penale. Për mjetin e bllokuar, gjyqtari Krasniqi, vendosi të kalonte në favor të shtetit.
Punë pisash
Ilir Gjoni *
“Punë pisash”- ky ishte komenti që bënte një blogger, ndër të shumtët, në sitin e “Shekullit”. Edhe unë kështu mendoj. Kjo është një punë e pistë . E pistë në të gjitha drejtimet. Ky rast i demaskuar nga “Shekulli”, është mjaft domethënës dhe flet qartë për atë çka quhet shembull tipik i mungesës së etikës dhe hipokrizisë morale të drejtuesve të Ministrisë së Rendit.
Në një këndvështrim më simplist aksioma është e ditur:” Nëse vjedhja është veprim i gabuar atëherë dhe blerja e asaj qe është e vjedhur është e gabuar”. Duke u bërë konsumator i një malli të jashtligjshëm, në një kuptim bëhesh bashkautor në prodhimin e tij. Në këtë rast mund të thuhet (ashtu sic është përpjekur dëshpërueshëm ta bëjë dhe Ministria e Rendit) se kjo është një blerje e ligjshme. Por këtu dalim tek thelbi i problemit- Morali dhe etika. Duke bërë një veprim të tillë, praktikisht drejtuesit e Ministrisë kanë kryer 50 perqind te transaksionit jo etik e imoral duke u bërë bashkëpartnerë dhe duke mbështetur industrinë dhe procesin e vjedhjes, madje duke e stimuluar atë.
Legaliteti dhe moraliteti i çdo veprimi janë pazgjidhshmërisht të lidhura, aq më tepër kur kemi të bëjmë me drejtuesit më të lartë të strukturave të rendit. Çdo veprim ligjor mbart në vetvete mesazhe të drejtpërdrejta apo të nënkuptuara normative që orientohen drejt krijimit të një sjellje apo qëndrimi në funksion të shërbimit të shoqërisë. Me këtë qe kanë bërë e bëjnë drejtuesit politikë e policorë të Ministrisë së Rendit, tregojnë të kundërtën. Ata japin mesazhin e një institucioni moralisht të korruptuar, por legalisht “të rregulluar”.
Rasti i denoncuar është shenjë e qartë e kriminalizimit të Ministrisë së Rendit. Por ajo çka më gërryen si kuriozitet është të di se çfarë mendojnë specialistët e PAMECA-s apo ICITAP-it për këtë. Do ishte mire që, meqenëse janë këtu për të asistuar strukturat e rendit, ti japin qoftë edhe një shembull të vetëm Nishanit, Burgajt, Kuliçajt e të tjerëve nga policitë apo strukturat ligjzbatuese të vendeve të tyre nëse kanë hasur ndonjë drejtues tyre që qarkullon me autovetura të vjedhura. Ndoshta akoma nuk kanë arritur te ky leksion por, bëjnë mirë të nxitojnë se ndonjë dite do ta shohin veten të fotografuar në makinat e trafikantëve të drogës të vëna në dispozicion të Policisë së Shtetit.
Megjithatë unë përfitoj nga rasti për të nënvizuar se kjo ngjarje nuk është veçse një episod në tërë sagën e bëmave të Ministrisë së Rendit. Nga një institucion ligjërisht i depolitizuar, ajo tashmë është kthyer në një instrument politik. Forcat e Policisë së Shtetit janë vënë nën thundrën e hekurt të një grupi pseudo policisësh që CV-në e tyre e bazojnë te kontributi që kanë dhënë në mbështetje të partisë në pushtet dhe shërbimeve që i kanë bërë Sali Berishës. Rasti më i fundit i vendimit të qeverisë për të mos u dhënë shpërblimet e fundvitit policëve është rasti më flagrant që zhvlerëson pa më të voglën mëdyshje tërë propagandën e zyrtarëve të ministrisë duke filluar nga Ministri e poshtë lidhur me gjoja përkujdesjen e qeverisë ndaj strukturave të Policisë së Shtetit.
Policet e Shtetit janë katandisur në instrumente qorre që pranojnë kokulur çdo komandë idiote dhe nëpërkëmbje dinjiteti që i bëjnë drejtuesit e tyre barkngopur. Nuk ka se si të presim rezultate në luftën kundër krimit ordiner e aq më tepër atij të organizuar kur përballë qëndrojnë policët e rraskapitur me bosët mafiozë që bakshishet i kanë sa vetë paga mujore e një polici. Nuk ka se si të motivohen ata kur shohin Ministrin, Zëvendësministrin Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Zëvendësdrejtorin e Policisë e shumë ofiqarë të lartë që përdorin makinat luksoze të vjedhura e kur ata vetë nuk kanë karburant për mjetet e tyre të punës.
Prandaj efiçenca e punës së strukturave të rendit jo vetëm që ka rënë, por në mjaft raste këto struktura janë bërë vetë problem për rendin. Vrasjet e tipit mafioz, mungesa e sigurisë së jetës së qytetareve, klima e terrorit që po mbërthen shoqërinë si pasojë e moszbulimit të asnjë prej rasteve më të rënda të vrasjeve, mungesa e vëmendjes së drejtuesve të Policisë për Trupën Policore dhe nëpërkëmbja e dinjitetit të punonjësve të Policisë, krijimi i një kaste parazite të privilegjuarish dallkaukësh partiakë dhe tejfryrja e strukturave të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë në kurriz të policit të terrenit- të gjitha këto e kanë demoralizuar trupën policore gjë e cila pasqyrohet qartë në demotivimin e tyre dhe për pasojë rritjen e kriminalitetit në vend.
Përpjekjet për të truktuar statistikat në rritje të kriminalitetit janë të kota. Para disa ditësh ju vodh vetura zyrtare Ministrit të Kulturës. Edhe kjo, në logjikën dhe tendencën e kësaj qeverie shitet si një arritje e demokracisë,- pra këtu te ne hajdutët kanë demokraci të plotë,-ata vjedhin tek njerëzit e thjeshtë , por nuk bëjnë dallim dhe për ministrat, as për ata që bredhin me makina të vjedhura.
Nënkryetar i Komisionit Parlamentar të Sigurisë Kombëtare