Shtypi shqiptar online - Lajme dhe te reja !
Veshtrim strabist mbi Manaqet

Publikuar me : 18.10.2011 Ne : Kulture - 51 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Elsa Demo

Dokumentari i Petrit Rukës “Homerët e filmit ballkanik”, 2011, 32’ është e para vepër e plotë dokumentare që realizon Shqipëria për vëllezërit Manaqi, kinematografë pionierë të Rajonit. Qeveria Shqiptare nëpërmjet Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, e financoi si shumë ngjarje kulturore për jubileun e 100 të pavarësisë së vendit. Nënkuptohet kështu si palë pretenduese e origjinës së Manaqëve, krahas Maqedonisë e cila trashëgon arkivin e vëllezërve, Greqisë, e krahas kulturës arumune që po e ngre zërin përherë e më lart për të drejtat e mohuara.

Dokumentari është shfaqur dy herë deri tani, me pak publik, në Festivalin e Filmit në Durrës dhe në fund të shtatorit në Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit.

Pikënisja është biografia. Ruka, dokumentarist me vite përvojë, ka shkruar skenarin pa pasur ndonjë dëshmi autentike mbi origjinën shqiptare të Manaqëve. Niset nga vendi i rrënjëve të tyre, Avdela, fshat që ndodhet sot në Republikën e Greqisë, ndërmjet Konicës, Meçovës e Grebenesë, “treva që populloheshin kryesisht nga shqiptarë të cilët jetonin në harmoni të plotë me grekët dhe arumunët”.

Ekipi i xhirimit ka marrë mundimin e ka shkuar deri në Avdelë, fshati i boshatisur ku njerëzit kthehen në muajt e verës. Pranë një çezme janë statujat në bronz të vëllezërve Manaqi. Në lagjen ku janë lindur, një tabelë tregon pronat e tyre të paprekura, ca livadhe në rrëzë të pyllit. Këtu filmuan Manaqët bashkëfshatarët e tyre më 1905, filmim që Ruka e ka përfshirë në dokumentarin e tij. Projektimi i materialeve arkivore filmike e fotografike është me cilësi të ulët.

Në këtë fshat, Dhimitër Manaqit i lindi djali i madh Janaqi (1878-1954) dhe Miltoja (1882-1964). Autori informon se nuk ka të dhëna se si rrodhi fëminia e tyre, por baza e jetës në këto anë prej shekujsh ka qenë blegtoria: “Peizazhet përreth janë me një bukuri tronditëse. Pyje shekullorë, kope të mëdha që shtegtojnë për kullota. Mjafton të shohim fotot e tyre të rralla për ta përfytyruar deri në detaje jetën e kësaj zone. Mendohej që ata të rrëmbenin kërrabat, gunën e t’iu hipnin mushkave për të vazhduar traditën e moçme. Por nuk ndodhi.”

Janaqi largohet për në Janinë ku shkollohet e merr zanat, mësues vizatimi, dhe hap studion fotografike. Duke dashur të japë një kontekst shqiptar të Janinës në tetëqindën, autori i dokumentarit ikën nga historia e hidhet në legjendë, te Ali Pashë Tepelena, “një yll i madh që kishte kthyer shqiptarët dhe grekët drejt historisë moderne. Ai i kishte bashkuar tërë racat e Ballkanit grekët, shqiptarët, arumunët, çifutët në një harmoni absolute. Kishte sunduar trimërisht gjysmë shekulli me ëndrrën kokëshkretë që t’i shkëputej nga thonjtë superfuqisë më të madhe të Euro-Azisë e pastaj kishte vdekur si një luan i plagosur me armë në dorë brenda një manastiri.”

Kjo është Janina, çerdhe e madhe e dijes.

Është kapërcyer pa dëshmi lindja, fëminia, rinia e hershme, shkollimi i Manaqëve. Kështu që profili i tyre tani rrëshqet nëpër hamendësime. “Duhet të kenë qenë me qindra shqiptarët e grekët që pozuan para objektivit të tyre”, thotë autori. Duhet të jenë takuar në këto rrugë me anglezët e Charles Urban Company që xhironin nëpër Ballkan

e që i patën Manaqët si përkthyes. Duhet të ketë qenë marramendëse tronditja e tyre kur iu panë anglezëve kamera për herë të parë. Këtej e tutje duhet të kenë ëndërruar një kamera Bioscope 300.

Vendosen në Manastir dhe hapin një studio fotografike.

Po përse këta Manaqët nuk u vendosën në qytete të mëdha si Athina apo Selaniku, pyet Ruka? Sepse nuk i duket e rastit që vëllezërit zgjedhin një qytet ku dominojnë shqiptarët. “Deri në fund të jetës ata do të jetojnë mes shqiptarësh. Mbase këtë rrugë e përcaktoi kumbari i tyre Nikollë Durrësi i cili i preu flokët Janaqit që kur ishte motak në djep. Nikolla ishte mik i babait të tyre, Dhimitër Manaqi.”

Ekipi i xhirimit ka shkuar në Manastir, ka kapur godinën ku ndodhej studioja e vëllezërve, ballkonin e saj nga filmuan ngjarje historike. Manastiri mbetet limani i tyre, me gjithë udhëtimet nga Stambolli në Beograd, duke filmuar nga barinjtë te mbretërit e sulltanët. Nga të gjitha miqësitë e tyre Ruka ndalet te ajo me mbretin Karol të Rumanisë, sepse me ndihmën e këtij mbreti u porosit dhe u ble kamera e parë e tyre historike nga Charles Urban Company e modelit Bioscope 300. “Fakti që për blerjen e kësaj kamere ndërmjetësoi vetë mbreti, flet qartë për emrin e tyre”, thotë autori.

Më 1905 ata kthehen në fshatin e lindjes dhe xhirojnë “Tjerrëset”, filmi i parë ballkanik. Në mesin e grave është gjyshja e tyre 114-vjeçare.

Më 1906, Milto Manaqi arrin një sukses personal në Bukuresht, fitues i Medaljes së Artë në ekspozitën ndërkombëtare me fotografinë “Gruaja me foshnjën nga Këlcyra”. “Nëse fotoja është bërë në Këlcyrë të Përmetit, vende ku dëshmohet qartë se ata kanë qenë”, supozon autori, “mbetet që historianët tanë të hulumtojnë se kush ishte kjo grua.”

Viti 1908 ka shumë për të thënë për lidhjet e Manaqëve me shqiptarët. Gjatë Kongresit të Manastirit “sepse e dinë që në këto dhjetë ditë po lindte gjuha e shkruar shqipe, kryethemeli i një kombi e i një shteti”, fotografojnë Gjergj Fishtën, Bajo e Çerçiz Topullin, Hil Mosin, Shahin Kolonjën, Themistokli Gërmenjin, Mit’hat Frashërin si dhe 60 delegatë të tjerë. E kishin filluar duke xhiruar shembjen e një perandorie, sulltanin e fundit tek binte, dhe Ata’ Turkun tek ngjitej, si një yll në Turqinë moderne. Kishin filmuar rilindjen e Shqipërisë “tek bënte shkronjat e saj të gjuhës së lashtë pellazgjike” dhe Kongresin e Dibrës një vit më vonë.

Më 1911 filmojnë Sulltanin turk Mehmet Rashid V në Manastir. Ishin të zakonshme për ta kronikat nga luftërat dhe dasmat, nga paradat e tubimet. Ruhen filmime të tyre në arkivat filmike të Bullgarisë e Rumanisë, vende ku udhëtuan deri në fund të Luftës së Parë Botërore. Viti 1921 i gjen sërish në Manastir ku veç studios kinematografike kanë hapur Kino-Manaqi, me 300 vende.

E vetmja dëshmi për origjinën e tyre shqiptare është gojore. Është një fragment interviste që ka dhënë për Televizionin Publik Shqiptare Irfan Tërshana. Ai thotë se i ka takuar Manaqët në Manastir më 1935, sepse donte të dinte a ishin ata që i kishin fotografuar të atin në Kongresin e Dibrës. Tërshana thotë se Manaqët me gjithë familjarët flisnin shqip, “shqipen e jugut”.

Ruka pohon se një vit para vdekjes së Milto Manaqit, arkivi i tyre u mor prej shtetit dhe u arkivua në Kinotekën Maqedone ku ruhen mbi 17 mijë negativë dhe qindra mijë metër film. “Kushedi ç’pret që të dalë në dritë dhe të zbulojë historinë shqiptare!” Me këtë shpresë mbyllet dhe dokumentari “Homerët e filmit Ballkanik”. Është Prodhim i Grishaj Film Production; Dr. Fotografie: Anton Grishaj, Montazhi: Eliodor Markja.

 

 

Petrit Ruka: Blerjet nga arkivat e huaja nuk llogariten kurrë

 

Zoti Ruka çfarë mundësish patët për të shfrytëzuar arkivin e Manaqëve në Kinotekën Maqedone?

Unë kam parë vetëm indekset, sepse ata nuk të lënë të futesh. Aty është skeduar gjithçka që kanë lënë trashëgim Vëllezërit Manaqi, gjithë xhirimet apo fotografimet në Shqipëri, në Korçë, Pogradec, Leskovik, Përmet, Këlcyrë, Elbasan etj., që do duhej të vizionesh, e t’i blesh.

 

Pse nuk tentuat?

Në buxhetin e filmit blerjet nga arkivat e huaja nuk llogariten kurrë, sepse kushtojnë. Edhe në arkivat tonë kushton 100 dollarë minuta.

Pastaj ky është një kapitull studiuesish e jo kineastësh. Kineastët me dhjetë ditë xhirim nuk mund të bëjnë hulumtime. Ne synuam të nxjerrim diçka nga Shqipëria dhe ata na dhënë vetëm, indekset. Nuk është çudi që aty të gjesh të xhiruar rituale shqiptare dasma apo vdekje.

 

Cilësia e fotove dhe e filmimeve nuk dukej e mirë.

Në këtë ekran ne pamë një të katërtën e cilësisë. Në Shqipëri nuk ekziston akoma një video-projektor që të transmetojë në HD, me përjashtim të kanalit Top Channel. Kjo është një mungesë shumë e madhe.

 

Manaqët shqiptarë, sikur nuk provohej ky qëllim?

Ne i hodhëm të gjitha tezat për diskutim dhe përmendëm ato që mund të jenë pikat më të forta për origjinën e tyre shqiptare. Por në Ballkan është shumë e vështirë të vësh pikën mbi “i”. Shanset janë që Manaqët të jenë arumunë. Në Avdelë nuk është çudi që të kenë jetuar edhe familje ortodokse shqiptare.

 

Ju thoni se fotografia e “Gruas me foshnje nga Këlcyra” është realizuar në Këlcyrë të Përmetit. Si e provoni këtë?

Në gjithë shtypin grek e rumun ajo shënohet “Gruaja nga Klisyra” Me siguri është një gabim i ortografisë greko-sllave. Unë ngul këmbë që është “Gruaja me foshnjën nga Këlcyra”, sepse ka edhe dëshmi të biografëve maqedonas e grekë që thonë se Manaqët kanë bërë foto edhe në Përmet e Këlcyrë.

 

Nuk do ishte më e udhës për një identifikim më të qartë të kohës e vendit të aq shumë fotografive që pamë sot, fjala vjen, të shumë fotove me fustanellë.

Në kurthin e veshjes për dëshmi të origjinës nuk bie dot. Sepse gjithë Greqia Veriore përdor fustanellën shqiptare, vllehët vishen si shqiptarët. Janë zona bilinguale dhe njerëzit pothuajse vishen njësoj. Është një rajon shumë i përzier.

 

Dëshmia e Irfan Tërshanës është e vetmja dëshmi gojore?

Është dëshmi që merret në konsideratë për arsye se babai i tij është fotografuar nga Manaqët, por mbetet një dokument jo autentik.

Ka dëshmi të cilat ne nuk i futëm në film, sepse mbeten shumë hipotetike. Për shembull në Maqedoni ne zbuluam që kamerën e tyre të parë nuk e ka blerë Mbreti Karol, por e Familja Qirjazi. Nuk arrita dot në kohë ta merrja dokumentin.

 

Çfarë ofron për 100 përvjetorin e pavarësisë ky dokumentar? 

E ka kontributin, ka Kongresin e Manastirit, Kongresin e Dibrës, figurat që themeluan pavarësinë. Por nuk ka ndonjë lidhje të pazgjidhshme me pavarësinë. Thjesht, i bën jehonë kohës.

 

 

Komente

Mesa duket nuk ka ende asnje koment per kete artikull.
Shkruaje ti i pari nje koment !

Homazh Pandi Zguros

Publikuar me : 25.05.2012 Ne kategorine : Kulture - Lexuar : 94 here.
Me shfaqjen e dokumentarit “Pandi Zguro, një zë i papërsëritshëm” kujtohet dhe nderohet në 1-vjetorin e vdekjes këngëtari i Ansamblit të Ushtrisë. Nesër, ora 11.00, në Qendrën Kulturore të Ushtrisë, i bëhet homazh Pandi Zguros (1944-2011), aktivitetit të tij si artist dhe ushtarak. Ministria e Mbrojtjes e dekoron nënkolonelin Pandi Zguro “Artist i Merituar” me medaljen “Për shërbime të shquara” (pas vdekjes). Marrin pjesë: Avni Mula, Milto Vaka dhe Ligor...Lexo te gjithe artikullin »


» Ah, parate, parate
» Dama Plake ne Tirane
» Finalja e Orkestres me muzike baroke
» Ne dy skenat kombetare
» Diktator jo si te tjeret
» Mbremja Gala nga Shkolla e Baletit
» Instrumenti etnik i shqiptareve
» Takim me njeriun qe di ta degjoje tjetrin
» Shkolla e restaurimit, perfundon pjesa kombetare e programit
» Qeveria i sherben Aliajt pas vdekjes

Ndaj kete artikull me miqte e tu ne rrjetet sociale me te njohura :

Fjala jote vlen !

Stacione TV Shqip
Shiko TV Rrokum online falas! TV Rrokum
Shiko Lajme Top Channel online falas! Lajme Top Channel
Shiko KTV Live online falas! KTV Live
Shiko Lajme TVKlan online falas! Lajme TVKlan
Shiko SuperSonic Live online falas! SuperSonic Live
Shiko Ora News Live online falas! Ora News Live

Gazetat PDF
PDF Gazeta Shqip!
PDF Gazeta Koha Jone!
PDF Gazeta 55!
PDF Gazeta Tema!

Publicitet

Sherbime te tjera
Lidhu ne RSS
Sherbim per Webmasterat
Rezultate sportive Live
Termat e Perdorimit
Kontakte


Indeksi | Lajmet ne faqen tuaj | Shperndarje RSS | Reklamoni Faqen tuaj | Add to Google

VetemLajme.Com : Permbledhje e shtypit Shqiptar - Produkt i PikaWeb © 2007-2012
Kujdes : Artikujt e publikuar i perkasin autoreve perkates. Prane cdo artikulli gjendet dhe burimi origjinal. Per me teper lexoni Termat e Perdorimit