Publikuar me : 25.11.2011 Ne :
Kulture - 62 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Elsa Demo
Një simbol i ri futet në serinë e shenjave paralajmëruese në aeroport dhe pikat doganore të Shqipërisë. Ikona është një dorë e ngritur para një objekti arkeologjik. Është një simbol ndërkombëtar që UNESCO e ka futur në përdorim në bazë të Konventës së vitit 1970 “Mbi Mjetet për Ndalimin dhe Parandalimin e Importit, Eksportit dhe Transferimit të Pronësisë së Pasurive Kulturore”. Shqipëria i njeh të drejtat dhe detyrimet e Konventës prej vitit 2002.
Imazhet e dy objekteve arkeologjike nga Muzeu Historik Kombëtar futur brenda shenjës universale të ndalimit, janë fytyra e fushatës së përgjithshme që po ndërmerr qeveria shqiptare. Një numër, 129, i fton qytetarët t’i telefonojnë policisë për të denoncuar grabitje apo dëmtime të objekteve kulturore. Qindra afishe me këto elemente do të vendosen në pikat e kalimit kufitar të Shqipërisë për të informuar qytetarët për rrezikun që sjell dëmtimi, transportimi dhe fshehja e informacionit lidhur me objektet e trashëgimisë kulturore. Slogani është: “Trashëgimia kulturore – Identiteti Evropian i Shqipërisë”. Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve është e ngarkuar me misionin për të bashkërenduar punët me institucione si policia e shtetit dhe doganat. Ajo e shpalli dje fushatën, në takimin ndërkombëtar “Lufta kundër trafikimit të paligjshëm të objekteve kulturore në Evropën Juglindore. Strategjitë për informimin, komunikimin dhe ndërgjegjësimin e opinionit publik”. Nën patronazhin e Zyrës së UNESCO-s në Venecia, me mbështetjen e Fondit
Një OKB në Shqipëri. Me pjesëmarrjen e specialistëve të trashëgimisë, përfaqësues të kompanive ajrore dhe aeroporteve, nga shtëpitë e ankandeve dhe galeritë e arteve, në Shqipëri, Bullgari, Bosnje dhe Hercegovinë, Kroaci, Qipro, Greqi, Mal i Zi, Rumani, Serbi, Maqedoni dhe Turqi: të gjithë aktorë që ndikohen nga zbatimi i Konventës së 1970-ës.
Anthony Krause, Drejtues i Sektorit të Kulturës në UNESCO tha se për organizatën ndërkombëtare që ai përfaqësoi dje në Tiranë, “prioriteti madhor nuk është përqasja ligjore, por ndihma që iu duhet dhënë vendeve të Evropës Juglindore për të ngritur inventarët kombëtarë, bazën e të dhënave, mjetet e informimit dhe komunikimit, është ndihma për shkëmbimin e praktikave më të mira dhe për ndërgjegjësim”.
Krause tha që është kohë kritike për Shqipërinë, ka zona muzeale, veçanërisht si Apolonia dhe Butrinti që janë “shumë të ekspozuara ndaj rrezikut të trafikimit. Është shumë e rëndësishme që të ketë një sensibilizim kombëtar”.
Konstatimi më i përsëritur në takim ishte që Shqipëria nuk vuan nga mungesa e kuadrit ligjor por nga mungesa e komunikimit mes institucioneve.
Ministri i Turizmit dhe Kulturës, Aldo Bumçi iku shpejt nga takimi dhe la pas një mesazh. Është e vërtetë që rezultojnë rreth 2200 objekte të humbura pas vitit 1990, por “Qeveria Shqiptare në bashkëpunim me Interpolin po punojnë për rikthimin e këtyre objekteve dhe ka sinjale pozitive për disa prej tyre për të cilat do pregatiten procedurat e nevojshme për kthimin në vendin e tyre të origjinës”.
Një deklaratë e Izet Durakut që drejton Qendrën Kombëtare e Inventarizimit të Pasurisë Kulturore (QKIPK) nuk pati ndonjë jehonë aty për aty: “Në bazën e të dhënave të Interpolit figurojnë vetëm 12 objekte të vjedhura!”
QKIPK e cila bën dokumentimin dhe katalogimin informatik të objekteve të trashëgimisë kulturore në pronësi publike dhe private, u vjen në ndihmë institucioneve shtetërore, koleksionistëve, poseduesve e pronarëve, krijuesve të arteve pamore. Këta të gjithë përmes dokumentacionit të ruajtur në bazën e të dhënave, sigurohen ndaj humbjeve të mundshme, grabitjeve dhe dëmtimeve. Kësisoj sigurohet informimi dhe aktivizimi i Interpolit dhe sektorit Antitrafik në Ministrinë e Rendit. Si është e mundur që Interpoli ka kaq pak informacion kur katalogu i QKIPK përfshin informacion për 2182 objekte të humbura, megjithëse nga këto vetëm 250 kanë foto?
Në bazë të ligjit “Për Trashëgiminë Kulturore”, të gjithë objektet që dalin jashtë shtetit për ekspozim dhe restaurim, duhet të regjistrohen në bazën e të dhënave të QKIPK, për tu pajisur me pasaportën përkatëse të objektit dhe kodin e pronësisë i cili është i papërsëritshëm. Pasaporta për një objekt përfshin informacion për: fushën, kategorinë, tipin, materialin, teknikën, kulturën, autorin, periudhën, dimensionin, pronarin, poseduesin, vendndodhjen, numrin e inventarit.
Duraku ngriti shqetësimin që “institucioneve në mënyrë të përsëritur iu kërkohet të dërgojnë pranë Qendrës sonë të dhënat përkatëse për objektet. Për sa kohë nuk janë kataloguar gjithë objektet, ekziston rreziku i humbjes dhe vjedhjes.”
Edhe grabitja e objekteve të kultit është mëse e mundshme përderisa janë të shpërndara në monumentet e kulturës dhe nuk janë të regjistruara në Qendër.
Edhe më problematike paraqitet situata me koleksionistët privatë të cilët, sipas drejtorit të QKIPK, i kanë objektet të pakataloguar. Prandaj shihet i domosdoshëm përcaktimi i një afati të detyrueshëm. “Në se kjo nuk ndodh, do të ndikojë në të ardhmen në rrjetin ndërkombëtar të trafikimit.”
Një memorandum bashkëpunimi që QKIPK ka nënshkruar me Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave ka mbetur në letër. DPD është një faktor me rëndësi në luftën antitrafik dhe pa bashkëpunim konkret me një institucion si Qendra, nuk mund të ketë raporte për objekte që s’duhet të kalojnë kufirin pa dokumentacion të rregullt ligjor (pasaportën e objektit të lëshuar nga QKIPK, lejen e Ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ose të Këshillit të Ministrave).
Edhe çështja e rivlerësimit të objekteve kulturore në shkallë vendi, mbetet një problem. Sepse siç evidenton Duraku “në inventarët ekzistues ato ruhen me çmimet qesharake të komunizmit. Ligji e përcakton qartë që çdo institucion i specializuar shtetëror ka të drejtën e vlerësimit dhe rivlerësimit të objekteve”.
Olsi Lafe drejtor i Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e TKRS-së thotë që “nëse institucionet nuk krijojnë pasaportat zyrtare të objekteve, ato nuk do të figurojnë kurrë të hedhura në sistemin kombëtar që mundëson identifikimin e qartë të objektit”.
Sa për “listën fiktive” të Interpolit ku figurojnë vetëm 12 objekteve të vjedhura, Lafe përgjigjet: “Fakti që u përmend, tregon se jemi duke e zgjidhur këtë çështje.” (Përndryshe specialisti nuk do ta kishte përmendur?) Vonesa e shumë institucioneve për të bërë rivlerësimin e objekteve që kanë në fonde është një shqetësim i vazhdueshëm. Edhe për këtë, kjo fushatë do të ndikojë për mirë, sipas Lafes, që njerëzit të bëhen të vetëdijshëm për parandalimin e trafikut. Për të siguruar që gjërat kanë filluar të lëvizin, ai përmendi një rast të fundit të hetimit të dy personave. “Unë mund t’ju them që për një rast afër Tiranës, janë në proces të marrjes në pyetje drejtuesit e një institucioni shtetëror për çështje të një objekti me vlera të trashëgimisë. Pra, përgjegjësitë janë të gjithanshme.”
Lëvizja e lirë dhe e kontrolluar e pasurisë kulturore, është një nga çështjet delikate që duhet të rregullojë ligji “Për Trashëgiminë Kulturore”, kur shteti nuk është i vetmi pronar, por janë edhe privatët, një numër i konsiderueshëm që posedojnë pasuri të tilla dhe kanë të drejtë të blejnë, shesin, dhurojnë, krijojnë koleksion, muze privatë, njëlloj si pronari shtet.
Ky ligj i detyron të gjithë pronarët në identifikimin e pasurisë së tyre, regjistrimin, katalogimin dhe pajisjen me një tip pasaporte. Çdo gjë që del jashtë kufijve të dihet nga del dhe ku shkon, qofshin këto figurina me vlerë, objekte arkeologjike, etnografike, xhevahire të trashëguara, deri tek arkivat e dorëshkrimeve të personaliteteve të kulturës, që sot nuk jetojnë më dhe ndodhen në duart e pinjollëve. Gjithçka që duhet regjistruar dhe survejuar nga ligji.
Vlera financiare
Vlera e objekteve të këtij lloji përcaktohen nga një komision i veçantë specialistësh. Çdo shifër është një hamendje, sepse objekti si pasuri kombëtare as shitet, as blihet. Ajo vlerë vihet që të mos abuzohet dhe çmimi i veprave të artit e objekteve të tjera me vlerë caktohet sa më i madh me qëllim që të rritet përgjegjësia e ruajtjes së tyre. Kështu që vlera monetare është deri-diku një vlerë apriori.
Objekte të humbura
Numri i objekteve të vjedhura nga 1991 deri më sot është 2182 dhe vetëm 250 prej tyre kanë foto. Janë të fushave të ndryshme: objekte kulti (ikona, ikonostase, shandanë, kambana..); objekte arkeologjike (buste, shtatore, portrete, gurë varesh…); objekte të arteve pamore (piktura, skulptura, relieve etj.); objekte etnografike (objektet e zbukurimit, vegla pune, veshje, arme, pajisje ambienti etj.). Katalogu “Onufri” që mban të regjistruar pasurinë e rrjetit muzeor kombëtar e lokal të vendit dhe galerive të artit për 61328 objekte. Katalogu “Maro Kondi” ku pasqyrohet pasuria e personave privatë, që nuk e ka statusin, por në të ardhmen mund ta marrë, përfshin informacion për 11379 objekte.
85 objekte arkeologjike (unaza, vëthë, varse, fibula , togëza etj.) nga Muzeu Arkeologjik Tiranë
57 objekte (byzylykë, varëse, terakota, amfora etj.) nga Muzeu Arkeologjik Durrës
28 objekte (buste, portrete, relieve, amfora etj) nga Muzeu Arkeologjik Apolloni
11 objekte (kthyer 8) nga Muzeu Arkeologjik Butrint
526 objekte nga Instituti i Antropologjisë së Kulturës dhe Studimit të Veprave të Artit 11 ikona nga Drejtoria e Kulturës Kombëtare Berat
18 ikona në vitin 2008 nga Drejtoria e Kulturës Kombëtare Gjirokastër
20 objekte nga Muzeu Etnografik Elbasan