Publikuar me : 27.09.2011 Ne :
Kronike - 32 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Berisha dhe këshilltari i tij, Fahri Balliu, me Mark Obamën
Flamur Vezaj
Task-Forca e prokurorisë së kryeqytetit ka zbardhur bisedën mes Fahri Balliut, një njeri i afërt i kryeministrit Sali Berisha, me ish-Ministrin e Energjetikës deputetin Dritan Prifti, i cili është edhe autori i regjistrimit të fshehtë. Sipas të dhënave nga organi qendror i akuzës, mësohet se videoja “Prifti-Balliu” është dorëzuar pranë prokurorit të çështjes Gent Osmani rreth tre muaj më parë nga vetë Prifti.
Hetuesit që kanë parë videon kanë konstatuar se videoja me Balliun është regjistruar pak minuta përpara asaj me Ilir Metën. Sipas prokurorisë, edhe regjistrimi i bisedës Balliu-Prifti është bërë nga ky i fundit me anë të orës së dorës të vendosur në tavolinën e punës.
“Regjistrimi i bisedës mes botuesit Fahri Balliu dhe deputetit Dritan Prifti është bërë më datë një mars 2010, aty nga mesdita, konkretisht rreth orës 13:00 të drekës brenda ambienteve të zyrës së ish-ministritë të Energjetikës, z. Dritan Prifti. Regjistrimi është kryer nga ky i fundit me anë të orës së vendosur në tavolinën e punës të lidhur me kompjuterin që mbante po në tryezë”,- thuhet nga burimet e prokurorisë. Ky regjistrim, sipas akuzës, ka një cilësi të njëjtë me atë video të shfaqur tashmë publikisht në media mes kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim z. Meta dhe ish-nën/kryetarit të kësaj parti deputetit Prifti, i cili tashmë njihet si “bashkëpunëtor i drejtësisë”.
Në këtë video, sipas zbardhjes së bisedës, botuesi Balliu kërkonte nga ministri i asaj kohe të favorizohej një kompani ruse për çmontimin e uzinës së Azotikut të Fierit dhe shitjen e mbetjeve të hekurit për skrap. “Gjatë bisedës mes tyre, botuesi Balliu i kërkon deputetit Prifti që të favorizojë kompaninë ruse, nga e cila do të përfitonte një përqindje të caktuar dhe që kishte mjaftueshëm të ardhura edhe për z. Meta dhe vetë ish-ministrin Prifti”,- thuhet në akt-eskpertimin e zbardhjes së bisedave.
Vetë ish-ministri Prifti nuk i premton ndonjë gjë konkrete botuesit Balliu, duke u shprehur se “do të shoh ç’mund të bëj për këtë propozim”. Ndërkohë, kjo bisedë, sipas prokurorisë, nuk zgjat shumë pasi ish-ministri i asaj kohe i kërkon botuesit Balliu të largohet pasi kishte takim me zv/kryeministrin e asaj kohe dhe “shefin” e tij z.Meta.
“Fahri, do të shoh ç’mund të bëj, por, tani po përgatitem se do të vij “shefi” këtu në zyrë tek unë se ka kërkuar të më takoj. Po e pres në çdo moment, kështu që do të flasim për këtë punën e uzinës së Azotikut të Fierit”,- mësohet se shprehet Prifti në bisedën që duket e zhurmshme.
Sipas prokurorisë, kjo video është dërguar për ekspertim ku është pastruar zhurma dhe zbardhur e gjithë biseda disa minutëshe mes Balliut dhe Priftit. Por, ky konkluzion i ekspertëve të huaj nuk mund të përdoret pasi Gjykata e Lartë e ka cilësuar si të pavlefshëm video-përgjimin mes Metës dhe Priftit që është marr dhe bërë në të njëjtën mënyrë siç ka ndodh ajo mes Balliut dhe Priftit.
Dritan Prifti
“Video është çuar si denoncim në Prokurorinë e Tiranës. Të shohim ç’do bëjnë prokurorët. N.q.s ata nuk bëjnë gjë, atëherë do ta bëj publike, që të kenë presionin e popullit dhe opinionit publik. Unë s’dua të bëj estradë dhe komedi, dua rezultate. Videon e kam çuar në Prokurori. Ata të veprojnë”
Tre ekspertët që do të analizojnë video-përgjimin me Ilir Metën
Artur Rrahmani është diplomuar në shkollën e lartë të Ministrisë së brendshme, dega Sigurim. Ai ka shënuar në CV-në e tij se ka punuar në Kombinatin Mekanik të Poliçanit si oficer operativ për sigurimin. Rrahmani ka licencë avokati, punon në një qendër për mbrojtjen e të drejtave të individit dhe është ekspert kontrolli për kartëmonedhat. Ai ka bërë edhe një kurs 7 ditor për identifikimin me anë të zërit.
Ermal Beqiri, është drejtor i IT në Universitetin e Tiranës dhe ka gradën doktor në fushën e sistemeve informatike për administratën e universiteteve. I specializuar në mirëmbajtje rrjeti dhe krijim programesh ai shënon se është i aftë në negocim me klientët dhe furnitorët. Në vitet 2003-2004 ka qenë i punësuar si kamerier në restorantin universitar, ndërsa në vitin 2002 ka punuar në montim garazhesh. Hobi ka notin, futbollin, robotikën dhe informatikën.
Adrian Pollo është diplomuar për inxhinieri elektronike dhe është autodidakt në fushën e kompjuterëve. Në CV ai shënon mbi 50 trajnime të ndryshme 1-2 javore në Bari të Italisë, Gjermani etj. Pollo ushtron profesionin e inxhinierit elektronik dhe e vetmja lidhje me videot, sipas CV-së së tij, është “Projektim dhe instalim i sistemeve të videosurvejimit dhe mirëmbajtjes së tyre”. Për pesë vjet ai deklaron se ka qenë i vetëpunësuar në montimin e programeve.