Publikuar me : 12.12.2011 Ne :
Politike - 95 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Procesi penal në ngarkim të ish-zv.kryeministrit Ilir Meta vijon sot në Gjykatën e Lartë me marrjen në pyetje të gjashtë dëshmitarëve. Seanca e sotme do të përqendrohet në dëshmitë e 6 personave të tjerë, pas dëshmive të Agim Rrapajt, Eden Rrapajt, Rezart Taçit dhe Fatmir Merkajt, të dhëna në seancën e javës së kaluar.
Agim Rrapaj ka dëshmuar në cilësinë e këshilltarit të shoqërisë “Vëllezërit Tola”. Ai ka thënë se shoqëria kishte si qëllim ndërtimin e hidrocentralit mbi lumin Shushice, në të cilën bënin pjese 10 kompani tre prej të cilave të huaja. Rrapaj ka pranuar se ishte ankuar ne zyrën e Metës në lidhje me vonesat e procedurave për koncesionin e HEC-it, në prani edhe të ministrit të Shëndetësisë Petrit Vasili.
Sipas biznesmenit, nga vonesat e procedurave shoqëria kishte pasur një dëm mbi 700 mijë euro, për të cilën i kishin dërguar një memo edhe METE-s. Biznesmeni ka pranuar se ishte telefonuar një herë nga Ilir Meta dhe ky i fundit i kishte kaluar Dritan Priftin.
Gjatë bisedës, Prifti i kishte kërkuar ti dërgonte nëpërmjet protokollit vendimin e Gjykatës se Apelit. Dëshmitari Fatmir Merkaj, administrator i ‘Merkaj Shpk’ një kompani, e cila u bë pjesë e bashkimit të shoqërive “Vëllezërit Tola”, për të ndërtuar hidrocentralin mbi lumin Shushicë, gjatë rrëfimit të tij pranoi se ish-ministri i Energjetikës i kishte kërkuar një dhuratë.
Por kjo dëshmi është hedhur poshtë nga gjykata pasi Merkaj nuk e kishte bërë këtë deklarim gjatë dëshmisë në prokurori. Ndërkohë biznesmeni Rezart Taçi foli për pjesën e ARMO-s dhe AlbPetrolit. Dëshmitari deklaroi se kishte njohur Bekim Halilajn, por nuk e kishte pranuar propozimin e tij për dhënien me qera të një rafinerie.