Publikuar me : 31.10.2011 Ne :
Kronike - 60 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

TIRANË – Raporti i tre ekspertëve të rinj të videos së skandalit Meta, pritet të lexohet paraditen e sotme në procesin penal që po zhvillohet pranë Gjykatës së Lartë. Organi i akuzës ka sjell me cilësinë e të pandehurit ish-zv/kryeministrin Meta njëherazi kryetari i partisë Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI). Gjatë seancës së sotme, e cila do të filloi në ora 10:00 të paradites, pritet që të tre ekspertët t’i përgjigjen pyetjeve të palëve në këtë proces, në lidhje me video skandalin. Regjistrimi i bërë në mars të 2010 në zyrën e Ministrit të Energjetikës së asaj kohe Dritan Prifti, tregon “shefin” Meta, duke i kërkuar ministrit të favorizonte një kompani private në shpalljen fitues të koncesionit të ndërtimit të një hidrocentrali dhe favore të tjera të listuara në një bllok.
Ende nuk dihet si do vejë seanca e sotme por ajo zhvillohet në një klimë të qartë mosbesimi sidomos ndaj tri ekspertëve shqiptarë të caktuar për riekspertim, pak kohë pasi videoja e transmetuar edhe në mediat shqiptare u pa dhe u vlerrësua si autentike nga eskpertë ndërkombëtarë.
Pak ditë më parë, kur ishte parashikuar dorëzimi i raportit të ekspertimit të videos Meta – Prifti ishte njëri nga ekspertët e pranishëm në sallën e gjyqit, që i kërkoi Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë t’i vënë në dispozicion programet origjinale të ëindos që i disponon laboratori i Policisë Shkencore pranë Ministrisë së Brendshme, pasi vetë ata nuk kishin programin origjinal por të “vjedhur”, sipas tij. Këtë kërkesë, e kundërshtoi prokurori i çështjes, i cili i kujtoj togave të zeza se ekspertët tashmë ishin betuar dhe e kishin marr përsipër kryerjen e këtij ekspertimi edhe pse nuk ishin të pajisur me teknologjinë origjinale. Por, Kolegji Penal pranoi kërkesën e ekspertëve për të shtyrë seancën edhe për një javë, duke i lënë kohë që të përgatisin raporti përfundimtar të ekspertimit të videos. Sipas “treshesh” së ekspertëve të rinj, atyre u mungonte programi origjinal i kompjuterit, ndërkohë që organi i akuzës, në seancën e kaluar i kërkoi Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, që të detyroj ekspertët të mos kryejnë ekspertimin e videos me programe kompjuterike të shkarkuara në mënyrë pirateske nga interneti. Siç duket tre ekspertët e kontestuar nga prokuroria, tashmë e kanë përfunduar ekzaminimin e videos me programe të shkarkuara dhe vjedhura nga interneti.
Pritet që paraditen e sotme, Gjykata e Lartë të shprehet nëse e pranon raportin përfundimtar tre ekspertëve apo jo. Ndërkohë, nga të dhënat e prokurorisë, mësohet se ndaj tre ekspertëve ka shumë gjasa që të niset hetimi për “ekspertizë të rremë”, dyshim ky që pritet të provohet gjatë ditëve në vazhdim.
Aq më tepër që mbrojtja deklaron se paraditen e së shtunës, në ambientet e një lokali në zonën e njohur si “9-katshet” njëri nga mbrojtësit ligjor të ish-zv/kryeministrit Ilir Meta ka qëndruar për më shumë se një orë në një tavolinë së bashku me tre ekspertët në fjalë. Sipas dëshmisë, i pari që është ulur në këtë lokal të njohur në atë zonë, ka qenë avokati mbrojtës i cili ka edhe zyrën pak metra më tutje, ndërsa pas pak minutash në tavolinë janë afruar dhe ulur tre ekspertët Artur Rahmani, Adrian Pollo dhe Ermal Beqiri. Biseda mes tyre ka zgjatur deri rreth orës 11:15 minuta, kur janë ngritur nga tavolina të gjithë së bashku për tu larguar në drejtime të ndryshme. Një takim i tillë i zhvilluar vetëm një ditë para se të paraqesin raportin përfundimtar të ekspertimit hedh hije dyshimi për mbrojtjen se nuk bëhet veçse për të rakorduar mes tyre, se çfarë përmbajtje duhet të ketë ky raport. Për këtë arsye, pritet që seanca e sotme të jetë e tensionuar.