Publikuar me : 06.12.2011 Ne :
Politike - 75 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Flamur Vezaj
TIRANË- Procesi penal në ngarkim të ish-zv.kryeministrit Ilir Meta ka vazhduar ditën e djeshme në Gjykatën e Lartë me marrjen në pyetje të katër dëshmitarëve. Një nga një kanë dalë përpara trupit gjykues dëshmitarët Agim Rrapaj, Eden Rrapaj, Rezart Taçi dhe Fatmir Merkaj.
Agim Rrapaj ka dëshmuar në cilësinë e këshilltarit të shoqërisë “Vëllezërit Tola”. Ai ka thënë se shoqëria kishte si qëllim ndërtimin e hidrocentralit mbi lumin Shushice, në të cilën bënin pjese 10 kompani tre prej të cilave të huaja. Rrapaj ka pranuar se ishte ankuar ne zyrën e Metës në lidhje me vonesat e procedurave për koncesionin e HEC-it, në prani edhe të ministrit të Shëndetësisë Petrit Vasili. Sipas biznesmenit, nga vonesat e procedurave shoqëria kishte pasur një dëm mbi 700 mijë euro, për të cilën i kishin dërguar një memo edhe METE-s. Biznesmeni ka pranuar se ishte telefonuar një herë nga Ilir Meta dhe ky i fundit i kishte kaluar Dritan Priftin. Gjatë bisedës, Prifti i kishte kërkuar ti dërgonte nëpërmjet protokollit vendimin e Gjykatës se Apelit. Dëshmitari Fatmir Merkaj, administrator i ‘Merkaj Shpk’ një kompani, e cila u bë pjesë e bashkimit të shoqërive “Vëllezërit Tola”, për të ndërtuar hidrocentralin mbi lumin Shushicë, gjatë rrëfimit të tij pranoi se ish-ministri i Energjetikës i kishte kërkuar një dhuratë. Por kjo dëshmi është hedhur poshtë nga gjykata pasi Merkaj nuk e kishte bërë këtë deklarim gjatë dëshmisë në prokurori. Ndërkohë biznesmeni Rezart Taçi foli për pjesën e ARMO-s dhe AlbPetrolit. Dëshmitari deklaroi se kishte njohur Bekim Halilajn, por nuk e kishte pranuar propozimin e tij për dhënien me qera të një rafinerie.
Gjykata vendosi të thërrasë edhe pesë dëshmitarët e tjerë të kërkuar nga akuza, ndërkohë që seanca e radhës u la për të hënën e ardhshme. Në përfundim të seancës së djeshme, përfaqësuesi ligjor i Ilir Metës, Spartak Braho ka akuzuar Dritan Priftin duke thënë: “Në këtë proces maskaradë do të kuptoni që Prifti jo vetëm ka kërkuar peshqesh, por dhe ka marrë”.
Prifti: Meta po mbrohet nga prokurori i komunizmit dhe ish-shoferi
Dritan Prifti ka reaguar lidhur me seancën e fundit gjyqësore të zhvilluar në kuadër të gjykimit të Ilir Metës për korrupsion. Prifti cilësoi dy avokatin mbrojtës të Metës, Spartak Brahon si person të inkriminuar. Gjithashtu, Prifti ka cilësuar të inkriminuar edhe një prej dëshmitarëve si njeri të afërt të Metës pasi më parë ka kryer rolin e shoferit të tij personal.
Deklarata e plotë e Priftit:
“Më vjen të qesh kur shoh se sa poshtë ka rënë Ilir Meta me mbrojtjen në gjyqin e tij. Sot e ka mbrojtur Spartak Braho dhe Fatmir Merkaj. Njëri është prokuror i komunizmit që ka dënuar njerëz me litar, pastaj i përzier në trafik droge i denoncuar nga vetë Ilir Meta pasi kishte nxjerrë viza për dy trafikantë droge të arrestuar në Itali. Tjetri ish-shofer i Ilir Metës që mban sot fshehur nën emrin e tij aksione në koncesione hidrocentralesh dhe toka në bregdet. Ata shpifën sot se kam kërkuar se kam kërkuar para për një koncesion kur e gjithë Shqipëria e pa videon me zë dhe figurë ku shefi tyre mi ofroi 700 000 euro dhe 7 perqind. Pse do t’i kërkojë këtyre unë, kur shefi i ofroi këto para? Ta katandisesh vetëm të mbrohesh në gjykatë nga ish-shoferi dhe nga një matrapaz droge, e bëjnë Ilir Metën me të pabesueshëm në sytë e të gjithë Shqipërisë. Këta personazhe nuk i hedhin dot hi syve gjithë Shqipërisë”.