Publikuar me : 29.12.2011 Ne :
Kuriozitete - 99 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Ardian Vehbiu / Peizazhe të Fjalës

Kreu i PS-së Edi Rama ka zgjedhur t’u dërgojë miqve të vet, për festat e fundvitit, një kartolinë që riprodhon imazhin e mirënjohur të Man Ray-t,
Le Violon d’Ingres.
Meqë, në vështrim të parë, ky imazh është i një gruaje lakuriqe, mediat e djathta të Tiranës u skuqën flakë dhe shpërthyen koralisht në një
Vade retro, satana!.
“Fotografi e një femre nudo,” e quante kartolinën një editorial i Gazetës 55, që pastaj nuk i kursente cilësimet e tipit “zgjedhje perverse e radhës”, “s’ka respekt për socialistët”, “dallkauk që ka vënë nën këmbë të majtën” dhe natyrisht, monumentalja “kërkon të mbajë peng edhe të ardhmen e Shqipërisë.”
Kjo gazetë ia kushtoi veprës së Man Ray-t dhe zgjedhjes së Ramës krejt faqen e vet të parë sot, duke riprodhuar një version të imazhit që nuk ka të bëjë me veprën origjinale; dhe duke i thënë lexuesit se gruaja që ka pozuar nudo për foton “ishte një grua pa frena morale në Parisin e shekullit të shkuar, e cila kaloi nëpër duart që e paguanin dhe humbi jetën për shkak të abuzimit me alkoolin dhe drogën. Modeli i gruas u është shpërndarë socialistëve si shembull i 2012-ës…”
Ia bënë këta të ndërkryer biografinë morale edhe subjektit të fotos, si të ishin inkuizitorë të Shqipërisë burrnore, që mbulon sytë me duar, sa herë idelpërpara edhe aluzioni më i pafajshëm i një bukurie fizike femërore!
(Aluzionet e
Gazetës 55 më kujtuan, ndër të tjera, që Caravaggio-s ia kanë refuzuar dikur Vdekjen e virgjëreshës, meqë kish përdorur një dashnoren e vet prostitutë si model për Shën Mërinë.)
Kur e shoh veprën e Man Ray-t, madje edhe këtë riprodhim të çuditshëm që kanë zgjedhur te Gazeta 55 (ngaqë nuk do t’ua ketë mbushur mendjen origjinali, ose për arsye të copyright-it, të cilin e djathta e respekton me fanatizëm), unë mendoj për ngjashmërinë mes trupit të femrës dhe violinës; dhe më tej, të pranisë së femrës në jetën time dhe pranisë së muzikës, ose të bukurisë në përgjithësi.
Por ja që paska edhe mendje, për të cilat kjo foto evokon lakuriqësinë, degjenerimin, perversitetin dhe zvetënimin. Rrugët e artit janë të pafund.
Pse e zgjodhi vallë Rama imazhin e Man Ray-t, për kartolinën e vet? Unë them se e zgjodhi ngaqë i ka pëlqyer dhe ka dashur ta ndajë atë ngazëllim estetik me miqtë dhe kolegët e vet. Gjithsesi, këtu nuk ka vend për analiza të mëtejshme, as për budallallëqe si këto që shkruajnë e thonë mediat e djathta.

Në foto: Man Ray, (Emmanuel Radnitzky) artist amerikan lindur në Filadelfia në 1890, vdekur në Paris, 1976 (autoportret i 1942)
Natyrisht, pala e indinjuar me kartolinën e Ramës dhe imazhin e Man Ray-t kërkon të përfaqësojë pjesën e ndershme, kanunore, patriarkale, tradicionale të shqiptarëve, që e konsiderojnë lakuriqësinë artistike si isharet e ngashënjim të djallit. Që dështon krejtësisht në këtë pozë, kjo shpjegohet fare thjesht: askush nuk i beson dot këta rondokopë, këta materialistë të betuar, këta tartufë, këta parvenu e këta qen të plaçkës e të parasë, kur i sheh të krekosen në podiumet e autoritetit moral dhe patriarkal, duke u hequr të shqetësuar e të lënduar pa masë nga fundshpina e nudos artistike të Man Ray-t.
Ka doemos shqiptarë që nuk e pranojnë dot gruan, ashtu siç është paraqitur në imazhin e zgjedhur si kartolinë nga E. Rama: u duket tepër e objektifikuar, ose e erotizuar, ose e gjymtuar (pa krahë, ose simbolikisht e privuar nga aftësia e të vepruarit). Ka mes këtyre fetarë të përkushtuar, fanatikë e fondamentalistë, njerëz të pagdhendur ose me komplekse seksuale; por ka edhe ideologe feministe ose njerëz që thjesht e refuzojnë lakuriqësinë e çfarëdo lloji.
Një gjë mund të them megjithatë: këta shqiptarë të jetërsuar nga imazhi i Man Ray-t për arsye etike, edhe më shumë do të neveriteshin nga hipokrizia e mediave që kanë rendur të shkulin flokët me Violinën e Ingresit, dhuruar socialistëve këtë fund viti 2011.